Eduard Demo
Vlora jo vetëm Det






Krahina e Smokthinës në Vlorë me bukuri natyrore dhe historike shtrihet përgjatë pjesës jugore të malit të Tartarit dhe në pjesën veriore të malit të Çipinit.
Me shumë gojëdhëna dhe legjenda, të lidhura kryesisht jo vetëm me natyrën malet, burimet e ujit, vendbanimet e hershme, kalatë, por edhe me jetën e veprimtarinë e përditshme e me qëndresën e banorëve të saj. Ajo përfshinë edhe një pjesë të krahinës së Mesaplikut. Në këtë shkrim nuk është synimi i ndarjes së krahinave por bukuritë natyrore, vendbanimet e hershme, monumentet e Kulturës dhe të Natyrës, traditën dhe trashëgiminë si dhe vlerat që afron zona si pjesë e Identitetit tonë Kombëtar.
Në traditën e poezisë e të tregimit trasmetuar me gojë e Smokthinës përmenden legjenda e Zjarreve të sinjalizimit në maja malesh, me të cilat fshatrat njoftonin njëri-tjetrin për rrezikun e armikut. Lajmi përhapej nga një majë në tjetrën brenda pak minutash. Vendet e fshehjes së thesareve, veçanërisht pranë rrënojave të kalave e të shkëmbinjve të veçantë si legjendë, është e përhapur. Shpesh rrëfehet se thesaret ruheshin nga “shenja” ose “drita” që shfaqeshin natën. Burime dhe kroje të bekuara, të cilave u atribuoheshin veti shëruese janë disa. Banorët e vjetër tregojnë se uji i tyre ndihmonte të sëmurët dhe udhëtarët për ti shëruar dhe fuqizuar.
Shumë rrëfime popullore flasin për luftëtarë që mbronin kalimet malore dhe fshatrat e krahinës. Një legjendë e njohur në zonën e Lumit të Vlorës tregon se malet e Smokthinës kanë qenë strehë për luftëtarë dhe kryengritës, të cilët njihnin shtigje të fshehta ku armiku nuk mund t’i gjente. Këto shtigje kalonin nga një fshat në tjetrin përmes pyjeve e kreshtave malore.
Në këtë zonë përballë fshatit Bashaj e cila është pjesa juglindore e krahinës se Smokthinës ndodhet Kalaja e Boderit. I përket periudhës së antikitetit të vonë, është ndërtuar në një kodër në anën jugore të lumit të Smokthinës. Në majën e kodrës ka një shesh rreth 1000 m2. Periudha e ndërtimit të saj është e Shekullit të VI pas Kr. Muret e kalasë rrethojnë pjesën më të lartë të kodrës dhe formojnë një shumëkëndësh të çrregullt, me perimetër mbi 270 metra. Në pjesën jugore muret ruhen deri në 4 metra lartësi. Në këtë anë ndodhet kulla më e ruajtur e këtij fortifikimi. Dy kullat janë katër këndore, ajo në anën veri-perëndimore, nuk është në gjendje të mirë. Trashësia e murit rrethues arrin deri në 1.90 m, ndërsa lartësia maksimale e tij është ruajtur deri në 4 m në dy fragmente, në anën jugore dhe lindore.Teknika e ndërtimit të mureve është ajo ndërtimit me gur mesatar dhe të vegjël të papunuar të lidhur me llaç gëlqereje dhe tjegulla midis tyre, tipike për ndërtimet e antikitetit të vonë. Eshtë shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë, me urdhëresë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës datë 08.01.1977.
E gjithë krahina është një zonë me vlera të veçanta monumentale, veçanërisht në prehistori me shpella karstike të cilat paraqesin shumë interes për speleologët. Bukuri mahnitëse ka edhe gjithë rrjedha lumit i Smokthinës i cili burimet i ka në fshatin Vërmik dhe është degë e Lumit të Vlorës. Studiuesi E. Novak shkruan në vitin 1923 se : “Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike.” Monument natyre në fshatin Matogjin është Rrapi shekullor në mes të fshatit. Me florë dhe faun të pastër ajo është e lakmuar nga shumë vizitorë të vëndit dhe të huaj. Bimët mjeksore dhe ato eterovajore janë të disallojta, të kërkuara në tregjet ndërkombëtare. Nuk duhet lënë pa vizituar kjo zonë me bukuri shlodhëse !