
Miq dhe lexues,
Duke marrë shkas nga deklarata e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Marco Rubio, mbi rëndësinë e aftësisë së një shteti për të siguruar burimet jetike, ilaçet dhe kapacitetet e nevojshme për mbrojtjen e tij, Ben Blushi ka sjellë një analizë me këndvështrime historike e politike.
Në reflektim të kësaj analize, kam shkruar edhe unë disa mendime mbi situatën në Ballkan, sigurinë dhe rrënjët e kombit. Shkrimin tim e gjeni më poshtë.
Në mirëkuptim, nëse ju vlen mendimi juaj.
Ju uroj një ditë të mbarë!
A MUND TË BËHET SHQIPËRIA NJË SHTET MË I MADH?
Një reflektim mbi deklaratën e Marco Rubios dhe shkrimin e Ben Blushit
Një deklaratë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më tërhoqi vëmendjen: një vend që nuk është në gjendje të sigurojë burimet jetike, të prodhojë ilaçe dhe të ndërtojë kapacitetet e nevojshme për mbrojtjen e tij, e ka më të vështirë të mbrojë popullin dhe interesat e veta.
Çfarë duhet të kuptojmë nga kjo?
Jo se shtetet e vogla duhet të zhduken dhe as se kufijtë duhet të ndryshohen me forcë. Por se një shtet pa fuqi ekonomike, siguri, institucione të forta dhe aftësi për të mbrojtur interesat e veta është më i pambrojtur përballë zhvillimeve të mëdha ndërkombëtare.
Pikërisht këtu më duket me interes edhe shkrimi i Ben Blushit, politikan, ish-ministër i Jashtëm dhe shkrimtar: “A mund të bëhet Shqipëria një shtet më i madh?”
Në përgjithësi, jam në të njëjtën gjatësi vale me Ben Blushin në analizën e situatave në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Çamëri dhe, në tërësi, në hapësirën shqiptare. Por unë do ta shtroja pak ndryshe:
A mund ta bëjmë Shqipërinë më të fuqishme pa prekur kufijtë?
Besoj se po.
Historia na tregon se shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë dobësinë politike dhe mungesën e një zëri të përbashkët.
Në vitet 1912–1913, vendimet e Fuqive të Mëdha në Londër përcaktuan shtetin shqiptar dhe kufijtë e tij. Por jashtë Shqipërisë politike mbetën Kosova me Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën e Mitrovicën; trevat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën e Strugën; si edhe pjesë të tjera të hapësirës shqiptare, ndër to edhe Çamëria.
Në procesin e dytë të Londrës, për shkak të zhvillimeve politike e ushtarake dhe interesave të Fuqive të Mëdha, u konsoliduan kufijtë e shtetit shqiptar, që në thelb janë kufijtë që njohim edhe sot.
Kjo është historia. Por ne jetojmë në të tashmen.
Prandaj nuk mendoj se Shqipëria duhet të kërkojë “gllabërim” territoresh. Koha e ndryshimit të kufijve me forcë duhet të mbetet pas.
Rruga jonë është tjetër: të përshpejtojmë bashkëpunimin me Kosovën, në ekonomi, arsim, kulturë, infrastrukturë, siguri dhe diplomaci.
Duhet të forcojmë bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës, por edhe me të gjitha forcat politike, të pozitës dhe opozitës. Po kështu, duhet të bashkëpunojmë me të gjitha forcat shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, si dhe të mbështesim të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë.
Të mbrojmë gjuhën shqipe, arsimin, kulturën, historinë dhe vlerat tona identitare.
Dhe mbi të gjitha, të mos heshtim kur cenohen të drejtat e shqiptarëve.
Kjo nuk do të thotë të jemi kundër fqinjëve. Do të thotë të dimë të mbrojmë interesin tonë.
Një Shqipëri më e madhe nuk është domosdoshmërisht një Shqipëri me më shumë kilometra katrorë.
Është një Shqipëri me më shumë fuqi ekonomike, më shumë siguri, më shumë diplomaci, më shumë kulturë dhe më shumë zë.
Me Kosovën, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Çamërinë, Medvegjën e Bujanovcin, Plavën e Gucinë dhe trevat e tjera shqiptare, hapësira jonë e bashkëpunimit dhe e mbrojtjes së interesave kombëtare mund të bëhet shumë më e madhe.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, shqiptarët u bashkuan në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për të mbrojtur trojet dhe interesat e tyre kombëtare. Sot nuk kemi nevojë për luftë. Kemi nevojë për bashkëpunim, vizion dhe përgjegjësi kombëtare.
Por duhet të jemi edhe vigjilentë.
Lojërat dinake, prapaskenat dhe kulisat nuk kanë përfunduar. Historia e Ballkanit na mëson se, kur shqiptarët heshtin ose nuk flasin me një zë, vendime të rëndësishme mund të merren në kurriz të tyre.
Prandaj Shqipëria duhet të ketë një politikë kombëtare të qëndrueshme, që të mos ndryshojë me ndërrimin e qeverive.
Nuk kërkojmë të marrim tokat e askujt. Kërkojmë të mos lejojmë që të drejtat, identiteti dhe interesat e shqiptarëve të anashkalohen.
Kjo, sipas meje, është mënyra moderne për t’iu përgjigjur pyetjes:
A mund të bëhet Shqipëria një shtet më i madh?
Po. Jo duke ndryshuar kufijtë, por duke rritur fuqinë, unitetin, bashkëpunimin dhe peshën e shqiptarëve.