Robert Martiko
KUR LIRIA HUMB MASËN, BARAZIA KEQKUPTOHET DHE DEMOKRACIA RREZIKON VETVETEN
Rreth poezisë-refleksion të Taena Matës mbi demokracinë dhe paralajmërimin e Platonit.
Në këtë poezi, Taena Mata ndërton një reflektim poetik e filozofik mbi një nga dilemat më të vjetra të demokracisë: mundet liria, kur humbet lidhjen me përgjegjësinë dhe masën, të krijojë kushtet për shkatërrimin e vet? Poezia nis me vlerat themelore të rendit demokratik: lirinë e fjalës, pjesëmarrjen dhe të drejtën për t’u dëgjuar, por gradualisht çon drejt paradoksit të një lirie që, e pakufizuar nga përgjegjësia, mund të shndërrohet në çrregullim.
Boshti i poezisë ndërtohet mbi një zhvillim dramatik: liria tejkalon kufijtë, dobësohet disiplina, autoriteti refuzohet, përhapet kaosi dhe, përballë pasigurisë, njerëzit fillojnë të kërkojnë dikë që t’u premtojë rend dhe mbrojtje. Pikërisht aty shfaqet rreziku: shoqëria mund të jetë e gatshme të dorëzojë një pjesë të lirisë së saj në këmbim të sigurisë. Kështu, ajo që nisi si liri mund të përfundojë në të kundërtën e saj.
Referenca ndaj Platoni është thelbësore. Te vepra e tij, Republika, ai përshkruan kalimin nga demokracia në tirani dhe paralajmëron për pasojat e një etjeje të pakufizuar për liri. Por mendimi i tij nuk duhet lexuar si kundërshtim ndaj lirisë në kuptimin modern. Platoni fton të mendohet për masën, vetëkontrollin dhe për përgjegjësinë pa të cilat asnjë rend politik nuk mund të jetë i qëndrueshëm.
Sot, këtij paradoksi i shtohen forma të tjera rreziku. Liria mund të dobësohet edhe kur individi tërhiqet nga jeta qytetare, mbyllet në botën e tij private dhe humbet interesin për të mirën e përbashkët. Një shoqëri njerëzish të lirë, por indiferentë ndaj jetës publike, mund të bëhet më e cenueshme ndaj manipulimit dhe autoritarizmit. Por edhe barazia mund të keqkuptohet. Një demokraci e shëndetshme duhet të jetë në gjendje të mbrojë njëkohësisht barazinë dhe jouniformitetin njerëzor.
Fundi i poezisë: “Po ty, miku im, si të duket…?” – është veçanërisht domethënës, sepse autorja nuk imponon një përgjigje. Ajo e fton lexuesin të hyjë në dialog dhe ta vazhdojë vetë pyetjen e Platonit në kohën tonë.
Në këtë kuptim, krijimi i Taena Matës nuk është një kritikë ndaj demokracisë, por një thirrje për ta mbrojtur atë nga deformimet e saj. Liria nuk ruhet vetëm duke e shpallur, por duke ditur ta ushtrojmë; barazia nuk kërkon që të bëhemi të njëjtë, por që dallimet tona të mos kthehen në arsye për mohimin e dinjitetit dhe të drejtave.
Dhe ndoshta këtu qëndron edhe sfida e përhershme e demokracisë: të ndërtojë liri pa kaos, barazi pa uniformitet, autoritet pa autoritarizëm dhe individualitet pa indiferencë ndaj së mirës së përbashkët.
Si liri ndihet fillimisht demokracia,
liri për të folur
liri për të marrë pjesë
mendimet dëgjohen…,
por liria e shtrirë tej kufijeve
diçka të rrezikshme sjell –
humbet disiplina,
autoriteti refuzohet,
shoqëria ngadalë
fillon humbet ndjenjën e saj të rendit.
Dhe kur kaosi përhapet,
njerëzit stabilitet kërkojnë
duan dikë
që atë u’a premton.
Një lider i fuqishëm ngrihet
dhe premton ai mbrojtje
dhe premton ai rend…
Dhe kështu, dalëngadalë,
si pakuptuar
liria fillon e zbehet…e zbehet
dhe demokracia transformohet në tirani.
Paralajmërimi i Platonit
më shkon ndër mend
ai që prek jo veç politikën,
por dhe vetë natyrën njerëzore.
Ndaj pyetja e tij –
“Liria e tepërt vetë lirinë a mund ta shkatërrojë ?”
Botën moderne ende e shqetëson.
Po ty miku im si te duket…?
