Marigona Kelmendi

Rrugëtim
Të kam thënë
Sa herë kam heshtur
Shumëherë dhe klithur
Pa e ditur Babë
Nëse kam pasur të drejtë.
Në padrejtësinë time
Të brishtë
Qesh fëmijë
Babë e çfarë s’të thoja
Ti i qetë.
Si tymi që ngjitej oxhakut
Drejt pafundësisë qiellore
Qeshje e gëzoheshe
Me rritën time
Kurrë fshehur s’e ke.
Ti Babë Ti
Zemra ime e madhe
Që rrihje për ëndrrat e mia
Ti heroi im i heshtur
Fryma ime e jetës
Që më mësove të mos ndalem
Të mos thoja kurrë
U lodha.
Babë o Babë
Ti si Ti
Më flisje me urtinë e pragut
Që nuk e kalon kurrë i huaji
Jo nuk kam guxim.
T’i kthehem gurit dheut kroit
Që tok me mua
Të kanë mall dhe Ty.
Babë edhe heshtja flet shumë
Si sonte që pikë gjumi nuk kam
Folmë pak për ne
Ta dish.
Jemi aty ku doje
Ku dhe ti ëndërroje
Kanë kaluar vite
Po ti
Vetëm Ti
Babë
Sot.
Më mungon
Rrugëtimit tim
Dritës së syve Tu
A nuk më thoje
Përherë.
Golumja jote.