
Sa shumë kisha parë pa të njohur ty
Derisa të njoha ty,
mendoja se kisha njohur gjithçka.
Kisha bredhur nëpër botë,
kisha dashuruar si i marrë,
kisha parë qiellin e bukur,
por nuk kisha parë vellon
që fshihte magjinë e tij.
.
Kisha parë diellin,
por s’isha njohur kurrë nga afër
me një rreze
që të prek në heshtje.
Kisha puthur buzë,
por nuk kisha ndier
atë shije që mbetet
edhe pasi puthja mbaron.
.
Kisha parë sy
që më hynin si shigjeta në shpirt,
por nuk kisha njohur
një shpirt si yti,
që dinte të më mbante
kaq butë.
.
Sa shumë kisha parë
pa të njohur ty…
Shiu më dukej thjesht shi,
derisa erdhe ti
dhe unë fillova
të bisedoj me pikat e tij.
.
Natën e njihja vetëm si errësirë,
por tani e shoh
si një dritë të heshtur
që më mban zgjuar
kur malli më flet për ty.
.
Sa shumë kisha njohur para teje,
por askund
nuk kisha gjetur dikë si ti.
Më magjepse
si një fëmijë
që hyn për herë të parë
në një botë të madhe
dhe kupton papritur
se gjithçka që kishte parë më parë
ishte vetëm fillimi.
Ariel Bella