Sako Sali Sakaj – luftëtar dhe atdhetar i përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. – Eduard Demo.

Eduard Demo

Fshati Ploçë përveçse nga rënojat e qytetit të lashtë Ilir të Amanties, është i dëgjuar për burra luftëtarë, patriotë dhe atdhetarë të shquar.

Si pjesë e krahinës së Kudhës – Grehotit Ploça në rjedhën e historisë në shekuj e shekuj, ka ndërvepruar jo vetëm me fshatrat e Sevasterit, Golimbasit, Shkozës, Dushkarakut e Mazharit, por edhe më gjerë me fshatin Vajzë e Velçë e me gjithë krahinën e Lumit të Vlorës dhe Labërisë.

Në vitet e kryengritjeve dhe luftrave për pavarësi, liri kundër pushtuesve të vendit tonë është shquar luftëtari dhe atdhetari flaktë Sako Sali Sakaj 1874-1982, bir i denjë i Ploçës.

Sako Sali Sakaj është një nga ato figura të heshtura të historisë sonë kombëtare, që megjithëse nuk zën vend në tekstet kryesore, mbartin në vetvete frymën e qëndresës dhe të përkushtimit ndaj atdheut. Në Ploçë të Vlorës, ai u rrit në një mjedis ku dashuria për lirinë dhe krenaria për tokën shqiptare ishin pjesë e jetës së përditshme. Kjo frymë e formoi që në rini si një luftëtar të vendosur dhe të gatshëm për sakrifica.

Në vjeshtë të vitit 1908 ai ka qënë në pritjen e patriotit të madh të kombit Shqiptar, Ismail Qemalit në stadiumin e Amanties, Ploçë, për të cilën tregon edhe fjalët e tij thënë gjatë prjtjes. Në nderim të ardhjes së atdhetarit të madh, në bukën e shtruar në stadium, sipas zakonit Ismail Qemalit ju shtrua përpara bishti i dashit. Ismail Qemali e hoqi nga pjatanca dhe e vendosi në barin e njomë me trëndelinë. E pyetën “përse Ismail Bej”, ai ju përgjigj ” e ku ka më mirë se trendelina ” tregon Sako Sakaj në kujtime.

Në fillimet e veprimtarisë së tij luftarake, ai u rreshtua si vartës i Komandant Kanan Maze,në batalionin shqiptar komanduar nga Kanan Mazja së bashku me 13 bashkëfshatarë në përpjekjet për çlirimin e trojeve shqiptare në jug. Në luftën e Janinës 1911-12 ai mori pjesë në përballje të ashpra kundër forcave armike, duke dëshmuar trimëri e vendosmëri. Kjo periudhë shënoi një shkollë të vërtetë për të, ku ai përvetësoi jo vetëm aftësi luftarake, por edhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie për fatin e kombit. Në kujtimet e tij tregon se ,periudha e dimrit të atij viti me ngrica dhe borë masive tregoi solidaritetin e shtëpive vendase arvanite në Janinë, që ishte shumë e fortë. Ato treguan hapur mirëseardhjen e trupave vlonjate udhëhequr nga Kanan Mazja, duke i ndihmuar me strehim, ushqime, veshmbathje. Domethënëse ishte veprimi i një Nene në Janinë e cila i strehoi luftëtarët, i paisi me 13 velënxa të bardha, që i morën me vete në frontin e luftës. Të shquar për guximin dhe aftësinë e të luftuarit në front ata për disa ditë reshtë nën drejtimin e Kanan Mazes, për tju shpëtuar predhave të artilerisë armike kanë luftuar brenda vijës së ujit të gjolit të Janinës. Dhe jo më kot poeti popull e ka përjetësuar me këngën :

” O Bezhan përmbi Janinë

Treqindë topa një e shtimë

Lidhur gjylet me zinxhirë

Njeratjetrën ç’e arrinë.”

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte një moment kulmor për çdo patriot shqiptar, dhe Sako Sakaj nuk qëndroi jashtë këtij procesi. Mbas një telegrami i ardhur nga Vlora, komandantit të trupave vlonjate në Janinë, Kanan Mazes, me tekst ” Kthehuni në Vlorë, në mbrojtje të Flamurit.”, ai, Kanan Mazja urdhëroi tërheqjen e batalionit vlonjat dhe nisjen drejtim veriut, pra Vlorës. Mbas debatit me komandantin turk i cili urdhëroi vendosjen e mitralozëve përpara trupave vlonjate dhe hapjen zjarr në rastë të largimit të tyre, ndërhyrja me vendosmëri e Kanan Mazes duke ju deklaruar trupave turke që : “Në rastë se ju do të hapni zjarr kundër trupave të mi, do të më qëlloni mua të parin.” nuk i ndaloi ata të ktheheshin në Vlorë. Vet Kanan Maze prin i pari kolonën i mbështetur nga Sako Sakaj dhe Azbi Cano Mavrova. Me mbritjen në Vlorë së bashku me luftëtarët e komandant Kanan Mazes, u caktuan ruajtës së Qeverisë së Vlorës në formën e një mini Garde të besuar dhe të aftë në mbrojtjen e saj.

Sako Sakaj kontribuoi në mbrojtjen e kësaj pavarësie të brishtë, duke u përfshirë në përpjekjet për të konsoliduar shtetin e ri shqiptar. Për të, liria nuk ishte vetëm një ideal, por një detyrim që kërkonte angazhim të vazhdueshëm.

Një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij ishte pjesëmarrja në Lufta e Vlorës, një nga betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne. Veprimtaria e tij edhe gjatë fazës së përgatitjes së luftës, nën drejtimin e ushtarakut Kanan Maze ishte aktive. Në këtë luftë kundër pushtuesve italianë, ai u rreshtua përkrah bashkë fshatarëve dhe luftëtarëve nga e gjithë Shqipëria, duke treguar sërish vendosmëri dhe guxim. U shqua në betejen e Kotës duke u gdhirë dita 5 Qershori i 1920, dita e parë e fillimit të Luftës Kombëtare të Vlorës dhe të sulmit të parë frontal për marrjen e qytetit të Vlorës në Qafën e Koçiut në dt. 9 Qershor. Në ditën e festimit më 3 Shtator 1920 në Sheshin e Flamurit Sako Sakaj tregon : Në përplasjen me agallarët e vlorës gjatë festimeve për fitoren, të cilët treguan cinizëm e ligësi, ai tregoi virtyt dhe vlera të larta morale, gjë të cilën e dëshmon edhe kënga popullore. Agallarët e vlorës ju drejtuan Mato Hasanit nga fshati Brataj që : ” hajde na merr një valle.” Mato Hasani ju përgjigj – ” po mora unë një valle, ju do të ikni nga Sheshi i Flamurit. Dhe më qartë e bukur e tregon teksti i këngës së valles :

” Fjal e Qemalit që tha

Historia kështu thotë

Nuk e bëjmë kabull na

Të jemi për nënë botë

Nuk e bëjmë si ata

Si agallarët me shokë

Shitën vatanë edhe gra

Të ndjerit në Evropë

Tinë moj e zeza kaza

Si njohe a i qëlloftë

Duke bërë temena

Na mbeti dora në kokë

Me bujqit bënin dava

Ç’i bë pulë e detit zogjtë.”

në këtë valle të kënduar, Mato Hasani shoqërohej me Sako Sakaj dhe luftëtarët e ardhur nga gjithë Shqipëria.

Fitorja në këtë luftë jo vetëm që forcoi pavarësinë e vendit, por edhe vulosi emrin e Sako Sali Sakaj dhe shumë luftëtarëve të thjeshtë si kontribues të çlirimit kombëtar.

Në vitet më të vona, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Sako Sakaj vazhdoi të mbështesë përpjekjet për çlirimin e vendit nga pushtimi fashist. Edhe pse ndoshta jo gjithmonë në vijën e parë të frontit për shkak të moshës, ai mbeti një figurë mbështetëse, duke kontribuar me përvojën dhe autoritetin e tij, jo vetëm në Ploçë por edhe më gjerë. Sinjifikative është debati me kryeplakun e Ploçës në vitin 1942, për mbështetjen e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar apo të organizatës së Ballit Kombëtar. Në atë kohë në shtëpinë e kryeplakut kishte bujtur Isuf Luzi, një nga figurat qëndrore të tij. Sako Sakaj me autoritetin e tij ndikoi që Ploça të mbështeste luftën kundër pushtuesit në krahë të Frontit Antifashist Nacionaçlirimtar. Vendimi i drejtë i tij për të mbështetur luftën për çlirim e dëshmoi fitorja përfundimtare e Shqipërisë mbi pushtuesin nazifashist.

Figura e Sako Sali Sakajt përfaqëson tipin e luftëtarit popullor shqiptar të thjeshtë, të vendosur dhe të palodhur në mbrojtje të atdheut. Ai është simbol i një brezi që nuk kërkoi lavdi personale, por punoi në heshtje për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

Nderimi dhe lavdia e veprës së tij, këtij biri dhe burri të Ploçës, trashëgimia e tij mbetet një shembull frymëzimi për brezat e sotëm, duke na kujtuar se historia nuk ndërtohet vetëm nga emra të mëdhenj, por edhe nga njerëz të zakonshëm me zemër të madhe.

Kujtimi Tij është në respektin tonë si bashkëfshatarë të tij !