Shfaqja e agimit
Me shikimin e shtrirë përtej xhamit,
aty ku drita zbriste lozonjare me këmbë të zbathura,
pashë natën të largohej ngadalë,
si një hajdut që gjeti portën të mbyllur.
.
Nuk bëri zhurmë.
Mori me vete vetëm hijet,
ndërsa agimi mbeti në prag,
duke hapur dritaret e ditës.
.
Drita hyri pa trokitur,
sepse e dinte se e priste çdo derë.
.
Qielli hapi krahët mbi qytet,
sikur të përqafonte çdo vetmi.
.
E unë shijoja gjithë atë skenë,
të fshehur pas perdeve gri.
Duartrokitja ime ishte heshtja,
ndërsa buzëqeshja rrinte ulur mbi buzë.
.
Kur dielli doli si aktori kryesor,
i thashë vetes:
“Tani shfaqja sapo ka filluar,
dhe unë dua ta jetoj deri në fund.”
.
Mora filxhanin e kafesë,
u ula pranë dritares
dhe nuk ia ndava sytë dritës.
.
Ariel Bella
