Arjana Fetahu Gaba
Shpirtra në Kohë Stuhish

Ajo po drejtohej drejt hyrjes sime të pallatit. Ishte shoqja ime e fëmijërisë, ndonëse dy vite më e madhe, e gdhendur me një pjekuri të hershme që unë ende s’e kuptoja. Unë kisha qenë gjithmonë një vajzë e urtë, me një shpirt të qetë e të dashur, ndaj vajzat më të rritura më ftonin shpesh në rrethin e tyre të ngrohtë.
Ate ditë, oborri i pallatit ziente nga zërat e argjendtë të fëmijëve.
Ishte një ditë e ngrohtë, e qëndisur me diellin e parë të pranverës që e kishim pritur si një premtim të madh. Mes asaj gjallërie, mungonte vetëm Jeta. S’kishte ardhur të luante.
Kur e pashë të ecte vetëm, e pyeta se ku po shkonte.
– Tek shtëpia jote, – më tha me një zë që mbytej në një lloj ngurrimi. E shoqërova me hap të shpejtë, sepse edhe mua më digjte një etjë e madhe e fëmijërisë për ujë. Nderkohë, vështrimi i saj ishte i humbur në mjegullën e një brenge, dhe hapat e saj dukeshin të hutuar, sikur mbanin mbi supe një peshë të padukshme.
I rashë ziles dhe pragun e mbrojti prania e ngrohtë e nënës sime.
Dera u hap si një përqafim dhe mami na ftoi brenda. Atëherë dëgjova zërin e dridhur të Jetës që pyeti:
– Teta, më dërgoi mami… A mund të na zgjidhësh dhe sot?
Nuk e dëgjova përgjigjen e nënës sime, sepse etja e pangopur më shtyu me vrap drejt çezmës. E futa gjithë grykën e ftohtë të metalit në gojë, duke pirë me një etje të çmendur, pa e ditur se në atë moment, në korridor po shuhej një tjetër etje, shumë më e egër: ajo e mungesës.
Kur u ktheva tek dera, pashë Jetën që po fuste me nxitim diçka në xhep, ndërsa një buzëqeshje e lehtë si fllad i çliroi fytyrën.
– Faleminderit, teta, – tha ajo, dhe sytë e saj sikur u ndezën sërish.
Nëna ime, me atë bujari të heshtur që shpërndante dritë pa bërë zhurmë, na zgjati dy pesëlekëshe të shndritshme në duar:
– Shkoni e blini nga një akullore.
Fluturuam shkallëve përposhtë, të dyja si dy dallëndyshe të gëzuara. Por në mendjen time të vogël mbeti si gozhdë ajo pyetje misterioze e shoqes sime, kuptimin e së cilës nuk e rroka dot atëherë. Isha vetëm një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar, e paprekur nga stuhitë e jetës, ndaj as nënën nuk e pyeta.
Vite më vonë, kur koha ma poqi mendimin, kuptova gjithçka. Kuptova pyetjen me peshën e rëndë sa një mal të mikes sime. Ndonjëherë njeriu gjendet në ngushticën e errët të jetës, por pikërisht prandaj njerëzit duhet të jenë si degët e të njëjtës pemë, për të mbajtur njëri-tjetrin në këmbë.
Ne u nisëm të dyja drejt ëmbëlsisë së asaj dite dhe sytë e Jetës shkëlqenin si xhevahire, njësoj si të mitë. Ajo ishte shoqja ime, së cilës edhe sot e kësaj dite ia kujtoj sytë e shkruar dhe ato dy vrima të vogla në faqe që i mbusheshin me dritë kur qeshte.
Koha të përziera stuhish, por me shpirtra që dinin ta lexonin dhe ta kuptonin tjetrin pa pasur nevojë për fjalë.
Sot, kohet kanë ndërruar faqe dhe bota vuan nga një tjetër etje, shumë më e dhimbshme. Jetojmë në kohën e bollëkut, ku kamja na ka rrethuar nga të gjitha anët, e megjithatë njerëzit janë tharë përbrenda. Janë mbyllur në guaskat e tyre të arta, duke mbyllur veshët para heshtjes së tjetrit, para asaj varfërie që dikur e shëronim me një përqafim e dy pesëlekëshe. Kamja na i ka tjetërsuar rrahjet e zemrës, duke i kthyer në trokitje të ftohta monedhash. Jemi bërë të pasur në duar, por të varfër në dritë. Dhe në këtë natë të madhe të shpirtit, bota jonë e trazuar po e humb busullën, po sillet rreth vetes pa mund t’i gjejë dot udhët drejt Zotit, sepse rruga e Tij kërkon shpirtra të zhveshur nga kjo rrenë e botës, ashtu siç ishim ne atë ditë pranvere: të thjeshtë, të pastër dhe me sy që shkëlqenin si xhevahire.
New Jersey, May 2026