STREHËT E MITIT

Ese
Kështjellat janë ngritur nga njerëzit për njerëzit, foletë për zogjtë, zgavrat për insektet, skutat për zvarranikët dhe hojet për bletët… Çdo qenie kërkon një hapësirë mbrojtjeje e jetese, të pushojë dhe të garantojë ekzistencën. Por njeriu është e vetmja qenie që, përveç strehës së trupit, kërkon domosdoshmërisht një strehë edhe për shpirtin, e pikërisht këtu fillon dhe rrënjëzimi i mitit…
Miti nuk është vetëm një dukuri lashtësie, por është mënyra më e hershme me të cilën njeriu u përpoq të shpjegonte atë që nuk mund ta kuptonte. Përpara se njeriu të lëronte tokën “djerr” të filozofisë, besoi te forcat e natyrës, duke i bërë ato të perëndishme; për rrjedhojë, i dha asaj një tjetër imazh: fytyrë e dëshirim…
Hëna feks për ujqërit, sepse njeriu i ka dhënë natës një dëshmitar hyjnor-pagan. Yjet duket sikur vallëzojnë kur shkëmbejnë dritë, sepse njeriu nuk kënaqet me universin e heshtur; ai kërkon dialog e lëvizje dhe, atje ku ekziston materia, ai bëhet rrymë e vetlëvizjes…
Mitet greke janë pasqyrat e fuqishme të këtij kërkimi, që “polli” kjo tokë e virgjër.
PROMETHEU:
Nuk është thjesht një titan që vodhi zjarrin. Ai është njeriu që guxoi të marrë dijen dhe të paguajë çmimin e saj. Zjarri bëhet simbol qytetërimi dhe drite, por dhe përgjegjësie. Sa më shumë ndriçim merr njeriu, aq më shumë përgjigjet për hijet që krijohen nga errësira…
IKARUSI:
Është ana tjetër e së njëjtit dëshirim. Ai nuk dënohet sepse kërkoi qiellin, por ndëshkohet sepse harroi kufirin e paskajshëm. Miti nuk e dënon ëndrrën, por dehjen nga ëndrra. Njeriu që nuk njeh raportin e masës, mund ta kthejë edhe lirinë në një rënie dhe në një çekuilibër.
Pra, Ikarusi është miti që guxoi drejt diellit, por që prishi ekuilibrat në ekstreme ndëshkuese.
NARCISI:
Nuk mbytet thjesht në një burim. Ai mbytet në imazhin e vet, duke u marrosur e dashuruar me vetveten. Ai është moderni përpara pasqyrës, i cili rrezikon të humbasë gjithë botën duke admiruar vetëm reflektimin e tij, me egoizmin, me lakminë e delirantit, ndoshta psikik…
SIZIFI:
Është ndoshta miti më tragjik i ekzistencës. Ai shtyn gurin drejt majës dhe guri kthehet përsëri poshtë. Por filozofia e tij nuk qëndron vetëm te absurditeti. Qëndron te vazhdimi. Njeriu mund të mos e ndryshojë fatin, por mund të ndryshojë mënyrën se si e përballon atë. Guri bëhet kështu jo vetëm dënim, por edhe matës i qëndresës, ndaj ai bëhet dhe simbol guximi të thyeshmit.
ORFEU:
Ai zbret në botën e të vdekurve për dashurinë. I lejohet ta marrë Euridikën, por me një kusht: të mos kthejë kokën. Në atë çast miti prek një të vërtetë të thellë njerëzore: ne shpesh e humbasim atë që duam jo sepse nuk e duam mjaftueshëm, por sepse dyshimi na detyron të kthehemi pas… Ai sfidon, nëpërmjet artit, edhe vdekjen; ai është, në thelb, sfiduesi më kokëfortë.
Pra:
Mitet nuk janë varrosur në Akropol; ata nuk janë nëntokësorë, janë mbjellë e mbirë brenda qenies dhe ndërgjegjies njerëzore, si “gurë-hyjnorë” drite.
- Prometeu bashkëjeton te ai që kërkon dije.
- Ikarusi te ai që kërkon të pamundurën.
- Narcisi te ai që dashuron marrëzisht vetveten.
- Sizifi te ai që sheh vetëm drejt Himalajes.
- Orfeu te ai që dashurinë e sfidon vdekjen.
Është ky “mozaik-ikonash”, është kjo arsye pse njeriu ndërton kështjella, jo vetëm për t’u mbrojtur, por për të krijuar një botëkuptim brenda qenies; ndaj kështjella është fortifikata kundër kaosit, duke kërkuar brenda kësaj bote ligjet e brendshme të ekzistencës, ku në shoqëri faktori subjektiv është mjaft përcaktues, i cili orienton, projekton dhe realizon idetë, qëllimet dhe strategjitë në epoka të caktuara historike.
Por njeriu ka dhe paradoksin e vet:
Ndërton mure e bedena, për t’u mbrojtur, dhe pastaj kalon gjithë jetën duke kërkuar derën, me “lloza” ndryshku, ku myshku kthehet në mister.
Miti na mëson:
Se strehimi i jashtëm nuk mjafton. Mund të kemi kështjella, prona, pushtet, emra dhe kujtime, por përsëri ndodhemi të pastrehë brenda vetes tonë.
Prandaj pyetja më e vjetër nuk është: Ku jeton njeriu, por a ka arritur ai të bëhet shtëpia e tij?
Ndoshta aty nis e përfundon miti dhe fillon filozofia, ajo mëma e dijeve…
Ndërsa MITI e shpjegon botën me simbole, ndërsa FILOZOFIA bën analiza dhe sinteza dhe hedh dritë të ardhmes, me anë të mendimit, dhe të dyja së bashku kanë si dallimet, po aq dhe pikëtakimet e tyre;
ku MITI quhet e para filozofi e njerëzimit, ndërsa FILOZOFIA është miti që filloi të mendojë dhe të bëjë e të veprojë ndryshe, konform dialektikës.
Migel Flor