Ti m’gjan me njat yll që bahet gati me ra prej qiellës…Bruna Gjoni Pervathi

Bruna Gjoni Pervathi

Ti m’gjan me njat yll që bahet gati me ra prej qiellës…
E unë i baj gati duert me t’prit,
tu i mshel sytë… e tu i ngatrrue dëshirat.
Nji shportë me qershiza t’pjekme i kam mbledhë,
që ky maj me na ambëltue
e me na i hek tan idhnimin e dimnave.


Hapat e tue n’krahanorin tem kërcasin si sytha gjethesh,
që duen me çelë sa tret dimni.
E unë n’xixëllonjë jam kthye me t’ba dritë.
N’drynin e zemrës dy qershiza prej majit jam tu t’i varë,
me ta diftue udhën,
njat udhë që e kam veshë me lulkuqe n’tana stinët.
Ti… Ti m’gjan me Shëngjergjin,
që vjen e na shkrin borën e mbetun.