Vend i shenjtëruar-Mira Zaho Mëhilli

Vend i shenjtëruar

Shtëpia, fole e shpirtit,
që prej bekimit hyjnor,
me dritësimin e lulëzimit,
ëmbëlsisht nis formësohet.

Vendi, ku ekzistenca
e botës njerëzore,
me dashurinë pa kushte,
lehtësisht konturohet.

Vatër e ndjesive
të ngrohta, të ndërsjella,
ku ritmin e rahjeve,
zemrat sinkronizojnë.

Streha, ku sytë
me gjuhën e shpirtit,
shkëlqimit të tyre
gdhendur, komunikojnë.

Foleja, ku pika e lotit,
oqeane dhimbjeje
përreth krijon, me flladisje
dashurie i përthan.

Vendi, ku perënditë zbritën
paqen, lirinë e vërtetë,
keqkuptimeve barriera
të pakalueshme u ngritën.

Hapësira e sigurisë,
ku plagët e shpirtit,
prej mizorive të botës
përtej mureve, shërohen…

Mira Zaho Mëhilli
26.10.2023