Verën jetës ia kam pirë…!Vangjel Pellumbi

Vangjel Pellumbi

Erdha prapë nga ato anë,
çantat në duar, që s’më mundën.
Dukesha si një djalë i ri,
veç me thinjat në ballë.

Mos e harroni moshën e tretë,
që rrudh edhe rrënjët e flokëve.

Ecja si leventë; “djalë”, më thonë,
sikur isha njëzet vjeç, nga malli.

Kjo është jeta, more djema!
Do të vijë edhe në kokat tuaja.
Do të trokasë derë më derë,
se pleqëria vjen pa u ndjerë.

Verën jetës ia kam pirë!
Shëndete ngrita me njëqind dolli.
As e ndjeva kur më trokiti në derë
pleqëria, që kockat t’i bën të kërcasin përherë.

Unë kam kaluar shumë vështirësi
nëpër rrugët e jetës sime.
Hyra shtigjeve e s’dola kurrë;
bjer e ngrihu, shtyu e vritu…

Kjo është jeta ime!
Kjo është jeta ime, plot trazira,
me rrugë të vështira e zemra të ngrira,
me fjalë të pambërritura në gojën time.

Prandaj them:
Verën jetës ia kam pirë,
tani gëzoj moshën e tretë – pleqërinë!

V. Pëllumbi
20.06.2026
Tren, Bilisht – Devoll