
Fjalë e autorit
Libri që doli në qarkullim i cili titullohet “ YJET NË SHKËLQIM “, është fryt i një pune të gjatë e voluminoze me 530 faqe, i cili lindi nga dashuria, përkushtimi dhe përqendrimi i thellë. Nuk më lodhi, sepse e shkruajta duke derdhur shpirtin me sinqeritet të plotë – jo vetëm për të sjellë kujtime, por edhe vlera që të mbeten ndër breza.
Kam hapur dritaren e mendjes dhe të shpirtit për të nxjerrë shkëlqimin e njerëzve të thjeshtë e të jashtëzakonshëm. Përmes tyre kam dashur t’i jap librit frymë dashurie, peshë, harmoni e buzëqeshje. Sepse këta njerëz të artit e të jetës kanë derdhur bagazhin e tyre shpirtëror, duke u zhytur në origjinalitetin e kohës dhe duke sjellë esencën e të qenit: maturi, energji, vitalitet e bukuri.
Në këto faqe kam shkruar me gjuhën e zemrës. Edhe pesë gjuhë të dish, s’ka si gjuha e zemrës – ajo mbetet privilegji më i pastër. Kam synuar të jap vlera letrare, sinqeritet, ndjenjë, thjeshtësi, fakte, derdhje poetike e mendime filozofike, të cilat i mblodha si buqeta me lule të freskëta, të rritura në truall të mbarë e të pastër.
Në këtë libër mbarten ëndrrat, kujtimet, përpjekjet, shpresat e vizionet – nga një zemër në zemrën tjetër. Ai synon të dokumentojë një trashëgimi. Puna e tyre më ka dhënë motiv për të vazhduar. Kur puna vlerësohet nga lexuesi, autori gjen besim tek ajo që krijon. Fjala e sinqertë gjithmonë gjen vendin e saj.
E shkruajta këtë libër
– nga një detyrë e heshtur ndaj atyre që nuk kërkuan kurrë lavdi, por lanë gjurmë të thella. Këtu gjeni figura të mrekullueshme nga të gjitha fushat e jetës: shkrimtarë që mbajtën gjallë penën, deputetë që i shërbyen popullit me fjalë e me vepër, pilotë që ranë në krye të detyrës duke mbrojtur qiellin, mjekë që u flijuan në vijën e parë të pandemisë për të shpëtuar jetë. Disa prej tyre janë shpallur heronj; të gjithë janë heronj në ndërgjegjen e tyre. Koha bën njerëz dhe u jep vulën e saj, por ka edhe njerëz që i japin kohës emrin e tyre.
– Dua që ky libër të vlerësohet me dashuri dhe të bëhet urë midis meje dhe lexuesit. Atëherë fjala ime do të marrë frymë, do të jetojë gjatë dhe do të nderohet
– që vlera e tyre të mos shuhet. Drita e tyre, që më ndriçoi mua, të ndriçojë edhe mendjen e brezit të ri: që të njohin historinë, rrënjët e tyre, të krenohen me kombin .
– dhe kjo krenari të mos mbetet bosh, por të jetë kujtesë e gjallë. Sepse një komb pa kujtesë është si qielli pa yje. Një komb njihet nga njerëzit e thjeshtë, jo vetëm nga udhëheqësit. Duke qëndruar pas emrave që nuk harrohen, ata do të gjejnë këtu arsye për të besuar dhe për të ndërtuar.
– Kam dashur t’u jap lexuesve një pasqyrë, jo një statujë
– për të ruajtur zërin e një brezi. Nëse nuk i shkruaj tani, s’do të ketë kush t’i tregojë. Fjalët e tyre duhen regjistruar para se të fikën, që sakrificat të mos të vdesin me ta
– Ky shkrim është pasqyrë e jo iluzion: një pasqyrë që nuk reflekton gjithmonë fytyrën, por shpirtin që fshihet pas saj. Në të fjalët nuk gënjejnë, por zbukurojnë. Dhe ky zbukurim është gjithçka që ka rëndësi.
– Shkëlqimi i tyre nuk erdhi brenda një nate. Ai lindi nga orët e humbura, nga refuzimet, nga dështimet dhe nga kokëfortësia për të mos u dorëzuar. Kjo është historia që duhet dëgjuar më shumë se përralla e suksesit të shpejtë.
– Ata janë si unë e si ti: fshatari, mësuesi, emigranti, filozofi, poeti, shkrimtari, mjeku, artizani… Nëse ia dalin ata, do të thotë se edhe një tjetër mundet.
– E shkruajta këtë libër për t’u kthyer krenarinë; nga detyra morale ndaj gjuhës e Atdheut; nga dashuria për këtë tokë e për njerëzit që e ngritën me mund e sakrificë; sepse libri bashkon dhe na kujton se kemi një histori e një rrugë të përbashkët.
– E shkruajta, mbi të gjitha, për të frymëzuar. Nëse një lexues gjen forcë e shpresë në këto faqe, atëherë mundi im ka marrë kuptim
Secili personazh çmohet sipas vlerave që mbart: personaliteti dinjitoz, puna e devotshme, arritjet e vërteta e madhështia e vlerave në forma të ndryshme.
Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për redaktorin, akademiku e publicisti Xhelal Marku, për punën e tij të kujdesshme e cilësore. Gjithashtu për shkrimtaren e poetën e talentuar Mimoza Zhalili Halili, e cila ka botuar pesë libra me poezi dhe së shpejti boton dhe romanin e parë të saj . Ajo me recensionin e saj, zbërtheu me mprehtësi shumllojshmërinë e ideve, ekuilibrin e mendjes, zotërimin e njohurive e fuqinë e shpjegimit.Falenderoj dhe shtëpinë botuese .
“ Botimet Barleti “ që botoi këtë libër .
Qoftë ky libër një dritare e hapur drejt shkëlqimit të tyre.