
– Vetëm një popull i kulturuar respekton brezin e vjetër –
Nga Besim CENGU
Aty nga fundi i jetës së vet, artisti i lindur, shahiri i paharruar i fjalës së mençme, ikona e valles dhe humorit lumjan, baba Ymer (Shehu), kur ishte koha e mirë, dilte dhe ecte për të kaluar sadopak mërzinë që i vinte nga “viranja” pleqni, por edhe për të shpirë këmbët.
Ato këmbë, që sa e sa herë kishin fluturuar nëpër dasmat e Shtiqnit e trevës, odat e livadhet ngado në Lumë e përtej, skenave të festivaleve kombëtare e ndërkombëtare ngahmos…
Baba Ymer, bashkë me shokët e vet artiste të talentuar Arifin, Mustafën dhe Azemin, krijuan figurën unike të artit folkloric, si lejmotiv i ardhur prej thellësisë të shpirtit të moçëm shqiptar. Ndërsa, daullja e currlja, përcillnin në çdo çast jehonën përtejhomerike të ritmit e temperamentit energjik, që buron nga vetë jeta e mbirë këtu, që në fillesë të jetës së njeriut mbi tokë…
Edhe pse mbi shpatulla, gati i kishte ngarkuar afër 90 vjet, mbahej i fortë e energjik, i lehtë e i papërtueshëm. E mbi të gjitha dilte gjithnjë i veshur tusk, si dhandërr. Këmishën me mangë të gjana, xhemedanin, tirqit e koperanen – akull, të sapo dalme prej snejki (arke). Kapuçin, bardhë plat si bora në Maje të Gjaliçes. Opingat… nortat, kutia e duhanit, unuri e brica…
Ehh, ku me i gjetë këta burra tash…!
Përnjimend pak j’ua kishim pasë dijtë kimetin këtij brezi burrash, që na e patën qit namin për mire, jo veç në Lumë, por shumë më larg.
I kishte hije neja, fjala, muhabeti i rrafshtë, por edhe krenia e veshja e Lumës këtij burri, si i thonë – ding. Kur shokët e miqtë e kishin në odë këtë shahir Lume, kënaqeshin me të, pasuroheshin me muhabetin e tij të urtë, paqëtoheshin me fjalën që i zinte vend e mbusheshin me humorin e tij aq të këndshëm… Në festivalet folklorikë kombëtar si dhe veprimtaritë e tjera kulturore pa pleqtë e valles së shpatave e babën Ymer nuk merrte kuptim asgjë. Brezi i ri i valltarëve, edhe pse ishin talente, ndjeheshin të humbur pa autoritetin e më të vjetërve, pa kontributin e tyre, pa humorin e papërsëritshëm të tyre…
– Një here i humbi kuleta njërit prej djemve në autobuzit që po udhëtonte për në Gjirokastër, – tregonte Xhemali Toçilla. Shofer ishte Rrahman Duraku. E pyetëm Babën Ymer: – Hu babë, i ka hupë Hisës kuleta, çfarë të bëjmë? – Çka huptë mos u gjettë, kush vdektë mos u qoftë, – tha baba Ymer. – Pse baba Ymer? – Se po u gjet kuleta nisin ngatrresat, kurse po u çu i dekni, asht lugjat e na ha, – bënte shaka baba Ymer dhe qeshte.
Mirëpo tani mosha e kishte bërë të veten. Vitet e kishin rënduar bukur fort jetën e tij, por nuk kishin arritë ta krrusnin. E kishte ndalë pak hapit, e, i ishin krrucë bukur fort supet, por kur hynte në valle bëhej prapë djalë i ri, fitonte energji e ripërtërihej… Nuk ishte përnjimend më ai sokol mali i dikurshëm, që fluturonte si era, duke hedhë vallet e lashta të trevës të moçme sa vetë jeta jonë, por kur hynte në valle shndërrohej në një Sfinks. Tani vërtet ishte pak më i ngathët, se jeta kështu e ka, por sa herë hidhte këmbën në interpretimin e “Kalloçojës lumjane”, sikur i dilnin krahët e fluturonte. Vërtetë nuk ishte më ai Ymer Shehu – shqipe mali, por kur kcente bëhej i lehtë e i shkathët si zog çiftelie. …
– Ka fillue me mu sos karburanti, or krrulat e babës, – na thoshte gjithë humor. – Nuk po më punojnë fort mirë gjujtë, bre – thoshte. – Me fort zamet kam zanë në kambë sot, po qe, dola. Po më duhet nji sahat për me ardhë në të. Pleqnia kana e keqe boll, vallahi!
– Po a mos ke te lujt futboll, o Baba Ymer, – i ndërhynin nipat me takt e humor, por edhe për t’i dhënë zemër dhe shtonin: – Dil, more bablok e shetit, dhe, kur të lodhesh, ulu e pusho. – A mos ke te të ndjekë kush në shpinë, a? – Krejt koha asht e jotja…
Dhe kështu bënte baba Ymer. Ecte bashkë me kohën ngadalë-ngadalë dhe ndërkohë herë-herë, ulej në një nga stolat e lulishteve të qytetit. Ndonjëherë pushonte edhe në borduret e trotuareve e kundronte të gjithë zonën përreth. Kërkonte ndonjë shok a bashkëkohës të vetin…por shumë rrallë takonte në to, se ata nuk ishin më…kishin shkuar te të shumtit.
Kur i kujtonte shokët e tij, mullehej, por nuk e jepte veten. E kapërcente me humor… Mirrte forcën e e hiqte mendjen nga kujtimet. – Kujtimet e mia do t’i marr edhe në vorr, – thoshte. Meritat e mia i kam shkrue në shpatën time, në të cilën kam edhe medaljen e meritës. – Atë shpatë do ta marr me vete kur të shkoj te të shumtit dhe tu kallxoj se kjo më ka bo Artist I Merituar, – shprehej me humor dhe emocion dhe heshtte.
Shpata e babës Ymer ishte shndërruar në legjendë. Shpatat nuk ishin më se i kishin marrë pleqtë, se ato qenë shndërruar në gjymtyrë organike të tyre. Në vitin 1995 kur me grupin e ri të valltarëve do të ekzekutonim vallen e shpatave në Festival, ne mungesë të tyre ne sajuam shpata druri. Për tju afruar reales i lyem ato me varak. Por kur dhamë shfaqen në natën tonë, profesori dhe etnomuzikologu i nderuar Ramadan Sokoli, që ishte në krahun tim me takt me tha: – Ajo valle epike luhet vetëm me shpata reale, bir, jo me këto. Unë heshta dhe thashë me vete se ‘shyqyr që ata që ndiqnin shfaqjen tonë nuk e kanë vënë re këtë detaj’.
Dhe ja tani, baba Ymer pushonte në stolin e lulishtes e kundronte. Dridhte nga kutia cigaret sipas shijes së vet dhe vështronte me vëmendje i heshtur kalimtarët, të cilët e përshendesnin me shumë respekt.
Baba Ymer e kishte zemrën e madhe sa deti…
I donte të gjithë, por edhe gëzonte dashurinë e respektin e të gjithëve. … I veshur bukur, plot lezet, i pastër, me mendje të kthjellët, si ai, ua kthente përshëndetjen secilit.
Ndonjë e ngucke me ndonjë fjalë “pak me spec” për t’i nxjerrë diçka, ndonjë fjalë a shaka, se të gjithë e dinin se prej tij sa herë flisje me të mirrje një gjë të re.
– Jam si likura e dashit, që sa herë të shkundet lëshon kime… – thoshte dhe qeshte me gjithë shpirt.
Baba Ymer gjithmonë thoshte: – E mor bir, shpirt plak s’paska. Kjo virane jetë, kana e lakmishme. – Njeri plaket, por shpirti po i ngelka përherë i ri!, – thoshte. …
Dikush, pasi i uroj mëngjesin, e pyeti:
– O baba Ymer, a po i tutesh vdekjes?
– Ih, budalli, – ia ktheu Baba Ymer, – poqysh, or bablok, i tutem edhe fort bile. – A mos kesh te shkue në mulli me blue e me ardhë apet te shpia, a? Boll i tutem, or gjal i babës, – dhe e shikonte drejt në sy. Më ka ngelë në mendje kjo shprehje dashnie e Babës Ymer për jetën.