Zhdukja misterioze e Fan Kripthit-Petro L. Sota

ROMAN

————

ZHDUKJA MISTERIOZE E FAN KRIPTHIT

Kapitulli I

————-

.. … mëndja bënë hata,

mëndja bënë kala ….

Që nga kodra, në drejtim të kishës së Shënkollit, po dëgjohej një zë burri si të çjerr, si një ulërim, që ngjante, sikur po kërkonte ndihmë.

Gryka e kodrës fillonte të zbriste dredha – dredha, pa ndonjë pjerrësi të madhe që nga gropa e skiles, lart në thellësi të pyllit të Gjinarukes, dhe e përcillte jehonën e zërave nëpërmjet përroit, që e ndante fshatin Xungas në dy pjesë dhe që lidheshin me një kryqëzim rrugësh tek një urë e ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë dhe që derdhej në kënetë. Nëpërmjet asaj gryke të përroit vinte ai zë i përvajshëm, që thërriste ;

– O Foniii,…ooo Foniiii, ooooFoniiii, – por askush nuk i përgjigjej.

– Ndihmëëëë, ndihmëëëëë se po mbytem, – vazhdonte më tej zëri.

Njeriu vazhdonte të thërriste akoma, por nga që ishte larg fshatit nuk dëgjohej mirë dhe nuk po kuptohej se në ç’vend po mbytej.

Zhurmat, mbrëmja i përcillte jo të qarta. Ndërsa kori i bretkosave e bënte më të vështirë, që të dëgjohej më qartë thirrja e personit që po kërkonte ndihmë.

Një tufë korbash u trembën atë çast nga breshëria e një kallashnikovi që qëlloi në drejtim të minaresë së kishës ku rrinin varur këmbanat dhe u larguan nga qipariset e dëndura që e rrethonin kishën e Shënkollit të fshatit Xungas duke e veshur me pak mistere. Breshëria e plumbave kishte për qëllim të qëllonte këmbanat dhe disa plumba i kishin prekur ato.

Ndërsa në anën e kënetës më larg, në kufi me fshatin fqinjë, tek kasollja Llazi Çakallit, u dëgjuan dy krisma pushke gjuetie dhe lehja e një qeni gjahu, që kërkonte gjahun e vrarë nëpër zhuka.

Çdo mbrëmje, deri edhe në mesnatë, si një rit që u bë i zakonshëm, dëgjoheshin krismat e armëve të ndryshme në çdo anë, që qëllonin papushim. Dikush qëllonte për të treguar se këtu ka armë, dikush për të mbrojtur pasurinë e vet, sepse ishin shfaqur grupe që vidhnin lopë, dele, dhi dhe shpesë shtëpiake. Më shumë qellonin ata që ishin në periferi dhe më pak ata që ishin afër qendrës. Por kishte edhe nga ata që qellonin nga pasioni për të parë efektin që mund të krijonin të shtënat natën, panik dhe frikë. Njerzit mbylleshin në shtëpi sapo errësira binte dhe mbulonte gjithçka.

Fan Kripthi, djali i madh i Prenit të Kripthave, sapo doli nga kafja buzë rrugës që ishte aty pranë kryqëzimin, tek mbërtheheshin të katër rrugët duke krijuar një kryq dhe ndaheshin në drejtimet të ndryshme.

Njëra rrugë, që ishte kryesorja në anën veriore të fshatit, vinte nga qyteti, ndërsa ajo e lindjes, të çonte tek kisha e Shënkollit dhe në tokat që ishin në krahun lindor të fshatit, kurse në jug rruga që shkonte në qëndër të fshatit dhe që lidhte fshatrat e tjerë fqinjë në jug.

Ndërsa rruga tjetër të çonte në buzë të kënetës dhe në një pjesë të fshatit që shtrihej pranë saj deri tek shtëpia e fundit e Pilo Qorrit që ishte në të majtë, kurse në të djathtë ishte një lokal i vogël i Nasi Çerepit, që i kishte dal nami deri në Berat dhe në Kosovë, për gatimet e shijshme tradicionale, si tavë me zogj fshati dhe qumështor me kunguj.

Aty mbaronte rruga e gjërë, por vazhdonte një rrugë më e ngushtë vetëm për këmbësorët, për ata që shkonin për të gjuajtur peshk në kënetë.

Kur e dëgjoi atë thirrje Fani ishte me çakmakun të ndezur dhe me cigaren në buzë, duke u përqëndruar për ta dëgjuar më mirë atë zë të veçantë, që vinte turbull dhe valë-valë, që patjetër po kërkonte ndihmë.

E ndezi cigaren dhe u nis me nxitim në drejtim të furgonit, me mendimin për të shkuar për t’i dhënë ndihmë personit që thërriste. Furgonin e kishte parkuar andej nga fundi, afër shtëpisë së Rako Gurit.

Në anën matanë të përroit, ( sepse rruga që të çonte tek kisha e Shënkollit e linte në të djathtë përroin,) dëgjoi Konxhen e Sako Malit që po mblidhte patat, rreth shtatëdhjetë kokë, për t’i futur në kasolle aty tek shtëpia e saj, por disa nuk donin të dilnin nga përroi. Ajo kishte në dorë një kallam të gjatë rreth pesë metro dhe i qëllonte që të dilnin dhe njëkohësisht duke i numëruar. Aty pranë ishte edhe Lina e Koç Lalës në bahçen e saj që po mbyllte dhe ajo pulat dhe rosat në kasolle.

Konxhja pasi i kishte numëruar patat dhe siç duket nuk i dilnin në rregull i foli Linës:

– Lina, ooo Lina, !

Lina e dëgjoi dhe i kthya nga vinte zëri dhe iu përgjigj Konxhes.

– Më thirre gjë Konxhe.?

– Po moj Lina, të thirra, më mungojnë tre pata, mos kanë hyrë andej nga kopështi i jot, shikon gjë ti. ? – Lina duke vështruar nga kopështi i saj iu përgjigj:

-Jo, jo Konxhe, këtej nuk ka, mos do të jenë akoma në përrua,

– Eh, e shkreta unë, mi kanë marrë, i kanë ngrënë, që i hëngërt një mortje, çdo javë më vjedhin nga dy, nga tre. – po thoshte Konxhja gjithë inat e duke i sharë e mallkuar.

– Ah , i vraftë zoti ata që vjedhin mallin e tjetrit,

– Po moj Konxhe po, nga Zoti nuk kanë frikë ata, edhe mua kanë filluar të më vjedhin ndonjë rosë, që i zënte kolerja i zënte.

Këto po i dëgjonte Fan Kripthi kur kishte dalë prej lokalit ku kishte pirë kafen.

Ai sapo ishte kthyer nga tregu, ku çdo mbasdite çonte prodhimet e tij edhe të fshatarëve të tjerë për ti shitur në tregun e qytetit. Duke shkuar tek furgoni, ai po mendohej për zërin që thërriste akoma dhe që ju duk sikur vinte, diku andej pranë serave që kishte ndërtuar ai vetë në tokat e tij jo më shumë se njëmijë metra larg kishës së Shënkollit.

Kush do të ishte vallë.?

Ishte në dilemë. !

Do të shkonte patjetër për të parë mbase dikush vërtetë po kërkonte ndihmë. Nuk ndërroi mendim që u kthya përsëri tek kafja, por nuk duhet që të shkonte vetëm. ,Do të merrte me vete edhe Ben Groshin, që e kishte lënë aty me disa shokë të tij.

Kur po kthehej u përshëndet me të shoqen e Tasi Shtëmbarin dhe me të birin e saj dhjetë vjeç, që po vinin tek lokali për të marrë të shoqin. Tasi, që sa kishte humbur njëzetë milion tek firmat piramidale e kishte humbur fare toruan, sa pinte dhe dehej. Prandaj po vinte e shoqja për t’a marrë. Pasi u përshëndet me Fanin i tha:

– O Fani, kam pak presha, kur ti bëjë gati që t’i çosh tek tregu, ?

– Mund t’i bësh edhe nesër, – iu përgjigj Fani, – vij vetë ti marrë tek shtëpia. Vetëm laj dhe pastroj mirë.

– Mirë Fani , faleminderit, por kam edhe disa perime të tjera – i tha ajo dhe hyri brënda në kafe.

– Bëji gati të gjitha – i tha Fani .

Aty brënda në lokal po diskutonin me zë të lartë për humbjen e lekëve nga firmat piramidale.

Tasi Shtëmbari rrinte me kokën të zënë me të dyja duartë duke rënkuar si një i sëmurë sepse kishte humbur njëzetë milion lekë. Të gjitha lekët nga shitja e gjelave të detit të vitit të kaluar. Pranë tij ishin ulur marangozët Koli Velo, Miço Brava dhe prifti i kishës së Shënkollit Papa Sako, që po pinin nga një gotë raki edhe ata duke biseduar për firmat piramidale.

Papa Sako duke fërkuar mjekrën me dorën e majtë, me tespijet që i mbante përherë , ndërsa me dorën e djathtë mbante gotën e rakisë, që e kishte bosh dhe me zërin e tij meshëtar, sikur po fliste me ëngjëjt dhe jo me ata që kishte në tavolinë, po thoshte:

– Ç’ke në xhep, t’i marrin hop; ç’ke në tru, s’ti marrin dot”, zoti i ruajt.

Fan Kripthi e merrte Benin çdo ditë për ta ndihmuar kur transportonte perime për në treg, duke e paguar se ishte dobët nga ekonomia familjare. Ishte nisur disa herë për në Greqi por nuk i kishte ecur emigrimi. Kishte mbi një vit që punonte me Fanin, por edhe me tokat e veta. Ishte njëzetë e katër vjeç. Djali i madh i Pilo Groshit, që kishte edhe tre fëmijë të tjerë më të vegjël, dy vajzat dhe një djalë tjetër.

Kur hyri në derë të kafesë, pronari i lokalit Laku , po e vështronte se mos Fani kishte harruar diçka, se për të pirë ai e dinte se nuk ishte nga ata djem që pinte birra apo ndonjë gotë raki më tepër. Fan Kripthi i kishte shokët e rrallë në të gjithë fshatin.

Ai ishte i biri i Prenit të Kripthave, kështu i thoshin në fshat. Babai i tij ishte një burr i shtruar, me ecje pak të kërrusur, sikur mbante mbi shpatulla përherë një peshë, ato të halleve të shumta, por më shumë i qetë, që nuk trazohej kurrë me të tjerët, shikonte gjithmonë punët e tij.

Kishin qenë shumë fukarenj aty në fshat, ishin tre familje me mbiemrin Kripthi dhe shtëpiat i kishin më afër kënetës, ku rritej një bimë që quhej kripth, që as bagëtia nuk e hante. Kishin ardhur këtu në kohën e Zogut nga fshatrat e Mokrës dhe në fillim fshatarët i thoshin, ata të kripthit dhe prandaj i mbeti ky mbiemër. Edhe ata sikur e pranuan në heshtje këtë mbiemër të çuditshëm por që e thoshin me dashamirësi të gjithë banorët e fshatit.

Preni fliste rrallë dhe kur fliste fjala e tij merrej për bazë, se nuk gabonte asnjëherë në mendimet që jepte. Kishte punuar gjithë jetën me qerre deri në vitin njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë kur u prishën kooperativat. Pastaj punonte tokën me gruan e tij Frosën një grua e shkurtër, pak e shëndoshë, fjalë ëmbël dhe e dashur me të gjithë, së bashku me djalin e madh Stefanin, që i thërrisnin shkurtimisht Fani. Kishte dhe një djalë e vajzë por ata ishin më të vegjël.

Fani kur u shfaq përsëri në derën e kafenesë, pak i menduar duke vështruar në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Ben Groshi, u vështrua përsëri me Lakun që po i çonte dy kafe dhe dy gota raki për dy persona të ulur në tavolinën e fundit, që sapo kishin ardhur në atë çast në kafe.

Ishte Rik Vodo me Tan Bitin që të dy kishin ngritur një fermë me lopë afër kishës, në ndërtesat që kishte patur një repart ushtarak ku kishte toka të pa ndara akoma, të papunuara në anën e kodrës. Kishin nga dhjetë krerë lopë sejcili dhe gjithën ditën merreshin me fermën. Çdo mbrëmje vinin dhe pinin një kafe me një gotë raki duke biseduar për hallet e tyre dhe po qeshnin kur shihnin Tasi Shtëmbarin që rënkonte për lekët e humbura në firmat piramidale. Ata vetë nuk kishin futur asnjë lekë nëpër firma.

– Eh, budallai, po i thoshte Rik Vodo Tan Bitit, – donte të fitonte shumë ai.

-Ha ore djersën tënde, qaj tani ato para.!

-Ah, more Riku, mëndja bënë hata, mëndja bënë kala, atyre që humbën paratë, mëndja u bëri hata. Ti u tregove i zgjuar që nuk fute lekë tek firmat, – po i thoshte Tani me zërin e tij pak të ngjirur dhe siç fliste gjithmon ngadalë.

– Hahaha, iu përgjigj Riku me gojën e hapur ku dukeshin dhëmbët e rralluara, gjysma të kalbura, – çfarë do të fusja unë, leshtë e kokës, por as lesh në kokë nuk kam, – duke prekur tullën e kokës së tij biond të rralluara, që i kishin mbetur në kokë, siç i thoshte me shaka Kol Veliu.

. – Por qejfin vetes ia kam bërë ama nga një gotë raki me shokët e kam pirë, jo si ai dhe kur pi një kafe i thotë Lakut,.gjysëm filxhani ma mbush dhe tani i dhëmb koka,

Laku pasi i çoi porosinë, ndaloi përballë Fanit dhe e pyeti se përse ishte kthyer. Ai po i shpjegonte se kishte dëgjuar një zë që po kërkonte ndihmë andej në drejtim të kishës prandaj ishte kthyer për të marrë edhe Benin, mbase qe e nevojshme për të shkuar të dy atje dhe për t’i dhënë ndonjë ndihmë personit që po thërriste. Vështroi në drejtim ku ishte ulur Ben Groshi dhe i thirri:

– O Beni, hajde me mua, do të shkojmë diku. – pa i treguar se ku, por do t’ja thoshte rrugës dhe vështroi nga tavolina ku ishin ulur dy fermerët që sapo kishin ardhur duke i përshëndetur me dorë.

Rik Vodo në fakt ishte njeri fukara, por kavalier, çfarë kishte në xhep i prishte me shokët, i thirri në atë çast:

– O Fani, hajde të pish një gotë me ne. ! – por Fani iu përgjigj;

– Faleminderit o Riku, por s’kam kohë se kam një punë. Kafen dhe rakinë e keni të paguar nga unë, – dhe shkoi tek banaku për t’i paguar. Mbasi pagoi porosinë e tyre i tha Lakut;

– Dëgjo Laku, kur të vij Trifon Gjoli, kryetari i fshatit, i thuaj që Fani do të kthehet shpejt, se shkoi diku, i kam për ti dhënë lekët e preshave që i shita sot, duhet të kishte ardhur tani por do t’i ketë dalur ndonjë punë – dhe u nis nga dera për të dalur.

Kur po kthehej për të dalë tek dera sa nuk u përplas me Klean, infermieren e fshatit, vajzën e Rako Guri. U vështruan në sy të dy për një çast me një buzëqeshje të lehtë, që vetëm ata të dy mund t’i buzëqeshnin njëri tjetrit në atë mënyrë. Ajo vinte çdo darkë për t’i bërë gjilpëra të ëmës së Lakut se ishte e paralizuar dhe nuk ecte dot.

Klea Guri ishte vajza më e bukur e fshatit dhe kishte dy vjet që punonte si infermiere në atë fshat. Kishte mbaruar universitetin në Tiranë për infermieri. E kishte refuzuar punën në Tiranë për shkak se kishte mamanë shumë sëmurë dhe donte që ti rrinte sa më pranë. Me Fanin ishte e dashurur edhe pse prindërit nuk donin që ta martonin në fshat. Sidomos dy vëllezërit e saj që nuk kishin sjellje të mira në fshat.

Riku, vëllai më i madh kishte qenë dy herë në Itali dhe dy herë i ishte ndaluar qëndrimi në Itali sepse qe marrë me femra prostituta dhe qe dënuar një vit me burg, prandaj e kishin larguar nga Italia.

Por edhe vëllai tjetër Roli, ishte po ashtu si i vëllai i madh. Nuk punonin tokën, por shkonin fshehur duke gjuajtur për peshk natën në kënetë dhe ja shisnin lokaleve të plazhit. Ata ishin bërë shqetësim për fshatin duke vjedhur edhe ndonjë bagëti. Klea e kishte shprehur vetë shqetësimin e saj për vëllezërit dhe i vinte turp për veprimet e tyre. Disa herë ia i kishte thënë babait por edhe ai ishte zënë me të dy dhe nuk kishte çfarë t’i bënte.

Që kur shteti mori të tatëpjetën, u rrëmbyen depot e armëve të ushtrisë, të dy vëllezërit Guri bridhnin me automatikë në qafë si kapobanda, duke u lidhur edhe me bandat që vinin nga qytetet e tjera. Ndonjëherë u zinin pritë natën furgonave që ktheheshin nga tregjet dhe u rrëmbenin lekët. Të njëjtën gjë i kishin bërë edhe Fanit para një muaji duke e ndaluar furgonin tek Ura e Ndinit ( kështu i thoshin kësaj ure që kur ishte rrëzuar mësues Ndini dhe ishte vrarë keq duke thyer këmbën) aty tek kufiri që ndan dy fshatrat. Edhe pse ishin me maska Fani i kishte njohur dhe i kishte thirrur në emër, por ata bënin sikur nuk kuptonin dhe i kërkonin lekët.

– O Rik Guri, të njoh se kush je, – i kishte thënë Fani, – prandaj mos e fshih fytyrën tënde me maskë por dil hapur. Çfar do nga unë, do lekët e fshatarëve të tu, që punojnë gjithë ditën tokën dhe nuk u del për të hëngër një copë bukë. Unë nuk ua jap. Hajde dhe mi merr duke më vrarë mua dhe harram të qofshin. Si do t’u thuash fshatit tënd, fshatarëve të tu.? Në atë moment e ndezi furgonin Fani dhe po ecte përpara, duke e anashkaluar me shpejtësi benzit e tyre që i kishte prerë rrugën. Ata qëndruan për një çast dhe u habitën me guximin e Fanit sepse nuk e prisnin . Kujtuan se do t’ja jepte lekët atyre. Mbasi iku nga tridhjetë metra furgoni me shpejtësi ata e qelluan nga mbrapa me automatik, duke e shpuar në disa vënde furgonin pa ndonjë problem. Këtë ngjarje Fani ua tregoj të gjithëve në lokalin e Lakut por edhe Kleas. Ajo u shqetësua shumë duke ia treguar edhe babait të saj.

Prandaj të dy vëllezërit e Kleas nuk e donin Fanin, se edhe para një viti kishin patur një zënkë midis tyre. Ndërsa Fani përherë shikonte punën e tij. Gjithë fshatin e kishte ndihmuar për shitjen prodhimeve të tokës, por edhe kur kishin ndonjë të sëmurë i kishte çuar në spitalin e qytetit pa pritur ambulancësn, duke i shoqëruar të sëmurët vetë Klea. Për këto Fani nuk u merrte asnjë lek fshatarëve. Por edhe Klea prandaj e donte, se ishte djalë çapkën, i gjatë me fytyrën të qeshur gjithmonë.

Dy minuta qëndruan përballë të dy aty tek dera Klea me Fanin, por sytë e tyre kishin zjarr brënda dhe sa s’po e digjnin njëri-tjetrin, Asnjë nuk po largohej në punën e tij ku ishin nisur duke qëndruar përballë njëri-tjetrit, aty tek dera. Fani duke pritur Ben Groshin, ndërsa Klea nuk po gjente dot rrugën me sytë të mbërthyer tek Fani. Asnjëri nuk donte të largohej.

Nga buzët e Kleas që kishin marrë ngjyrën, si të një gjethe trëndafili rozë, u hapën me ngadalë, për të nxjerrë një fjalë, si një psherëtimë e lehtë, që dilte si puhizë e një flladi të ardhur nga kodra :

– Oh, Fan, ! Për ku po nxiton kështu ? – pëshpëriti ajo dhe vështrimin nuk ia ndau syve të tij, sikur përgjigjen po e priste nga sytë dhe jo nga buzët e tij.

Fani nuk po ia kthente përgjigjen akoma Kleas, por po e vështronte, sikur po shihte për herë të parë atë femër tani. Ajo ishte shumë e bukur . Sa herë ta shikoje të dukej më e bukur akoma.

– Do të shkoi diku Klea, besoj se do të kthehem shpejt, – i tha ai duke iu dredhur buza nga emocionet që kishte kur ishte përpara saj.

Edhe ajo i kuptonte këto emocione të Fanit, dhe për këtë ndjente diçka të magjishme në thellësi të shpirtit të saj, e dinte që ai e donte, por akoma nuk ia kishte thënë drejt për drejt fjalën “ të dua “. Njëherë ai i kishte thënë:

– Klea, ti je vajza më e bukur dhe më e mirë që kam njohur unë, lum ai djalë që do të marri, do ta bësh të lumtur duke ia ndriçuar shpirtit. Ti nuk je për këtu në fshat, por për në ndonjë qytet.

Kështu i kishte thënë ai me shpirt të vrarë nga dashuria që kishte për atë, një ditë kur po ktheheshin të dy nga spitali i qytetit kur kishin dërguar një të sëmurë nga fshati i tyre. Ajo duke buzëqeshur, i kishte prekur dorën tek timoni i furgonit, dhe duke zbritur i kishte thënë:

– Kësaj nuk i dihet Fani, djem të mirë ka edhe këtu në fshat edhe këtu jeta është e bukur. Mirë u pafshim, – i tha duke mbyllur derën e furgonin dhe u largua në drejtim të portës së saj.

Petro L. Sota 6 qershor 2026