Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
I treti nga firmëtarët

I treti nga firmëtarët

Jorgji Karbunara: “Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënshkrimeve”

G.Llojdia

1.

Pavarësia Kombëtare. Nëse do ta ravijëzojmë me një shprehje: Përballë një sprove të këtillë, drejt ëndrrës, në shpirtin e tyre ishte akumuluar dhimbja që kishin pësuar gjatë shekujve të sunduar nga i huaji, të pakrahë, të pashpresë, të humbur, dhe dhuna që vinte me një intensitet perfid, që gërryente dhe përmbyste një pushtim shekullor si ai osman. Kështu, ëndrra për një shtet të pavarur, perëndimi i shpresës nëpër shekuj, gjegjësisht ishte dhimbje, ishte kujtim i shtetit të Arbërit, i shndërruar tash në rrëfim. Për ata që ndër përpjekje për pavarësi dhanë jetën, si ëndërr u mbeti streha e fundme e tyre ku ishte akumuluar e ngjizur dhimbja, gëzimi, dëshpërimi, frika, dhe vdekja. Në fund nuk e arritën pavarësinë, u mbeti breznive si testament.

Pa mbritur mesdita e 28 nëntorit 1912, ose më saktë rreth dy javë më parë, shumë shqiptarë psherëtinin se halli i Shqipërisë ishte shumë i madh. Por kombi ynë mbeti dhe nuk u rrokanis si shumë kombe të tjerë që u rrokanisën në humnerë. Ndërsa fqinji në veri synonte Shkodrën me male deri në det, serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës, kurse grekët donin të kapnin Shkumbinin. Pasi kryeministri serb, rreth datës 7 nëntor ’12, është shprehur kështu: “Shqipëria shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët trajtimi që kishin në kohën e mesme, kur bënin pjesë te shtetet bizantine e serbe, pa privilegje të veçanta, por duke i respektuar individualitetin dhe gjuhën e tyre.”

Diku aty nga 14 dhjetori 1912, kryegjenerali grek ka pohuar: “Ne kemi ndërmend t’ia ndajmë Shqipërinë mes grekëve dhe serbëve, mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme.” Kjo quhej atmosfera e vitit ’12, kur Ismail Qemali me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se “Shqipëria nuk kishte mbaruar”.

2.

Nga versioni zyrtar për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare gjejmë prezent emrin e mësuesit të popullit Jorgji Karbunara. Ndërsa nga lista që citon delegatët e Beratit janë shënuar emrat e tyre: Sami Bej Vrioni, Iljas Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara. Në deklaratën përfundimtare të Pavarësisë nënshkrimi i Babë Dud Karbunarës është nënshkruar me “D. Karbunara”. Dhe, zhbiruar këtë deklaratë që qarkullon në media, e kudo për firmëtarët renditet një fakt interesant për mësuesin dhe firmëtarin. Babë Duda ka firmosur i treti pas dy figurave qendrore të Kuvendit të Vlorës, kuptohet pas Ismail Beut dhe Dom Nikoll Kaçorrit.

Nënshkrimi i J. Karbunarës mbetet i thjeshtë, ngase lapidare më qartësisht të paharrueshme mbeten thëniet e tij të pazhbëshme, as nga mjegullinat e kohërave: “Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënshkrimeve.” Në ditët e këtij kuvendi historik, që është ngjizur fortësisht në memorien e kombit shqiptar, arrijmë të zhbirojmë ca fakte të tjera për figurën interesante të patriotit Jorgji Karbunara. Ismail Qemali e thirri në Vlorë.

Jorgji Karbunara i solli nga Berati Ismail Beut edhe kuzhinierin e tij për ta ruajtur plakun e Vlorës nga helmimet. Madje, kur plaku i Vlorës iku në Itali, kuzhinieri iu lut ta merrte me vete, mirëpo Ismail Beu u përgjigj se ai i kishte shitur të gjitha dhe nuk kishte më. “Merre me vete, Ismail Be, do të të ruaj edhe atje ku do të shkosh.”

Dihet fakti: Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani”, më 26 janar të vitit 1919.

Për qëndrimin e Jorgji Karbunarës në ditën festive thuhet kështu, në një shkrim të V. Papës: “Ishte Babë Dudë Karbunara delegati i Beratit… me një shami të kuqe i fshinte fshehurazi lotët që i rridhnin kundër vullnetit të tij… zemra e tij s’mund të përfshijë gjithë gëzimin e kësaj dite. Një jetë të gjatë e priti këtë çast për të cilin kish predikuar pa dëshpërim dhe tani e sheh me sy.”

Ismail Qemali, pasi lexoi ekspozesë e vet, në fund, në mënyrë të shkëlqyer e diplomatike, i pyeti delegatët: “Tani më, s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veçse ndarja e Shqipërisë nga Turqia”, dhe propozoi:

Shqipëria të shpallë pavarësinë.

Të formohet qeveria e përkohshme.

Të emërohet Pleqësia (senati).

1. U shpall Qeveria e Përkohshme, në krye Ismail Qemali.

2. U zgjodh Pleqësia prej 18 anëtarësh, ku për kryetar u zgjodh Vehbi Dibra.

Në ditët e Pavarësisë në Vlorë, ku u nënshkrua akti i Pavarësisë rreth 1.5 faqe dhe iu dërgua Fuqive të Mëdha, aty ishte edhe zëri dhe fryma e të gjithë delegatëve dhe e Babë Dudës (Jorgji Karbunarës). Edhe shqiptarëve e patriotëve në krahinat e vendit u është dërguar mesazhi me thënien “Independenca e Atdheut u shpall”.

3.

Zgjedhja e Pleqësisë. Në mbledhjen e pestë të Kuvendit Kombëtar, sipas gazetës “Përlindja e Shqipenies”, që u zhvillua më 4 dhjetor në prani të 57 delegatëve (mungonin 6), Ismail Qemali ia la të drejtën e zgjedhjes së 8 ministrave Kuvendit, me propozimin që të jenë 4 të krishterë dhe 4 myslimanë. Ky propozim u kundërshtua dhe përzgjedhja iu la votimit.

Pas kësaj u bë zgjedhja e Pleqësisë, ku sipas propozimit të Dhimitër Beratit u bë vetëm një votim. U zgjodhën: Iljas Bej Vrioni me 55 vota, Sami Bej Vrioni 54, Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Bej Toptani 42, Eqrem Bej Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi 39, Kristo Meksi 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi 35, Bedri Bej Ipeku 35, Sali Gjuka 35, Veli Bej Klisura 32, Hajredin Bej Cakrani 32, Xhelal Bej Skrapari (Koprencka) 30, Shefqet Daiu 30, Dervish Bej Elbasani 29 dhe Ajdin Bej Draga 27.

4.

Jorgji Karbunara ka lindur në qytetin e Beratit në 1842. Patriot i shqiptarizmës nga lindja në vdekje. Ka marrë pjesë në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz, mik me Kristoforidhin. Ka përhapur arsimin dhe mësimin shqip. Si mëmëdhetar i rrallë e patriot, Babë Dudë Karbunara ngriti shkollën e parë ku kishte rreth 55 nxënës. Aktiviteti i tij është i shumtë.

“Ai që s’mëson gjuhën e vet, është i dënuar për jetë.” Këto thënie monument të J. Karbunarës kanë mbetur të trashëguara ndër kohërat tona. Emri i këtij patrioti vijon të përcillet, duke u nderuar për shqiptarizmin e tij.

5.

Për Babë Dudën dhe patriotët e tjerë ishte krijuar bindja se pa trojet e tyre, besimi i tyre, njëmend do të mbetej pa qenë asnjëherë shqiptar. Feja më e mirë e këtyre shqiptarëve të mirë mbetej ruajtja e tërësisë territoriale. Kështu Babë Duda dhe patriotët e tjerë e kuptuan se koha nuk ishte kur të binte muzgu, për të qarë fatin e keq të kombit, por duhej hapur shpirti. Ajo kataklizmë që po afrohej me stërbim duhej gjetur mënyra për ta shmangur.

Kështu ata iu vunë punës, pa ndjerë lodhjen e shpirtit të tyre përpara dhimbjes së madhe. Kështu Babë Duda dhe rilindësit e tjerë shkruan prologun më të ndritur të ditëve. Bashkëpunëtor i ngushtë me Kostandin Kristoforidhin, citojnë shkrimet për Jorgji Karbunarën.

Citojmë V. Papa: “Duke u gdhirë 14 shtator 1894, u dogj shtëpia e Karbunarës në Kala të Beratit prej zjarri jo aksidental, por të vënë.”

U angazhua në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz.

Kurvelesh e Gegëri/ C’u mblodhën në Ergjërli/ Tek Abdyl Be Frashëri/ C’u përpoq i varfëri/ C’u përpoq e bëri për ne/ Dy hejbe me hasina/ Në frëngji se ç’i trete…

Xhafer Belegu, në mesin e viteve 1934, verë–qershor, u ka përcjellë shqiptarëve dokumente me të dhëna nga historia e Lidhjes së Prizrenit. Dritën botimit ia ka dhënë botuesja “Kristo Luarasi”: “Lidhja e Prizrenit dhe veprimet e saj 1878–1881”.

Nga veprimet e marsit 1878 faqe 148 shkruhet: Lidhja në jug… Lidhja shqiptare, duke i parë këto veprime të Greqisë dhe duke marrë njoftime për kërkesën e saj në kongres, vendosi të zhvillonte një aktivitet të madh në jug. Organizoi këshillat krahinorë dhe përgatiti një fuqi mbrojtëse kundër Greqisë. Mbledhja e parë, sipas dëshirës së Abdyl Bej Frashërit, u bë në teqenë e Frashërit nën kryesinë e Baba Alushit, i cili vuri në dispozicion të Lidhjes një shumë të madhe të hollash.

Në këtë mbledhje të parë të jugut u bisedua organizimi i këshillave krahinorë dhe masat që do të merreshin kundër Greqisë. Burrat me rëndësi të Lidhjes në Jug: Abdyl Bej Frashëri, Mehmet Ali Bej Vrioni, Sulejman Ali Kuci, Myslim Vasjari, Mustafa Pashë Vlora, Muslim Gjoleka, Sheh Mahmuti nga Kolonja e Kurveleshit, Xhafer Bej Vlora, Thanas Ekonomidhi prej Sopikut, disa bejlerë prej Libohovës, Vasil Hido, Petro Meksi prej Tepelenës, Mihal Haritoua nga Përmeti, Vasil Linavori e Eustrat Tasho Duka nga Berati, Dhimitër Kolea…

Është një ditë që nuk i ngjiste tjetrës. Gjatë viteve 1911–1912 aktiviteti i tij është luftarak ndër çeta dhe misioni patriotik për shqiptarizmin. Më 23 korrik 1912 mblidhet Kuvendi i Sinjës, për organizimin e të cilit Babë Duda u angazhua plotësisht dhe zhvilloi një veprimtari të gjithanshme.

Turmat e Esat Toptanit i shkatërruan gjithçka pati nga pasuria e tij aty nga viti 1915. Rebelët e rrihnin me shkop rrugëve, thuhet nëpër materiale që flasin për jetën e tij, dhe ai i duroi njëhershëm, se ishte shpirti i tij – i pashëmbyeshëm besimi i tij për shqiptarizmin.

Ishte Zoti vetë, nën fytyrën e të urtit Jorgji Karbunara, që paratha shumë gjëra. Koha e Babë Dudë Karbunarës është një kohë me njerëz të çuditshëm, patriotë të pazakontë. Ai mbajti të ngrehur prezencën e përhershme të një ndjenje kombëtare. Shërbimet e tij i vihen në realizim të programit të rilindjes kombëtare, në përkrahjen e çetave, në shpalljen e pavarësisë kombëtare, në përhapjen e arsimit shqip. Jorgji Karbunara ishte një shenjtor i shqiptarizmës.

Ngulmimi i shenjtorëve është mbarësi për kombin. Shenjtorët, kryesisht shqiptarë, mbasi merrnin frymën, kërkonin pozicionimin në vendin e tyre, për t’i kushtuar energji çështjeve jetike dhe interesi më i madh ishte largimi i nënshtrimit të Perandorisë Osmane.

6.

Titulli “Babë” ja kanë dhënë qytetarët. Çfarë thotë prof. Neki Babamusta: Ç’tregojnë faktet historike? Predikuesit e feve në Shqipëri, si rilindas të hershëm, veprën e tyre ia kanë kushtuar kombit dhe patriotizmit, duke kundërshtuar çdo lloj pushtimi: të sulltanëve të Turqisë, të shovinistëve grekë dhe serbë, të Italisë fashiste, të Gjermanisë, etj. Që nga Buzuku i hershëm, te Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri, Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, Fan Noli, Hafiz Ali Korça (i dënuar dy herë me vdekje nga sundimi turk, ndërsa fëmijët iu burgosën nga diktatura), Nënë Tereza e famshme, Babë Dud Karbunara, At Zef Pëllumbi, etj., ndonëse kishin të veshur petkun fetar, ajo nuk iu bë pengesë aspak për çështjen tonë kombëtare. Ata u bënë udhërrëfyes për liri, pavarësi, për gjuhën e bukur shqipe, për kombin tonë, duke u afirmuar edhe si figura ndërkombëtare.

PIKTURA NGA ALEKSANDËR VREKO