Mimoza Eliona Osmani

Satirë…
Avash se mos kam shkuar me 100 burra….
Më vinë rrotull, me laps në dorë,
e vendosin mes dosjes së bilancit dhe raportit.
Kontrollojnë shkarkimet si tek porti në Vlorë,
si kontabilistë të import–eksportit…
Të nxijnë një luleborë.
Më numërojnë lidhjet, ndarjet, puthjet, historitë,
si statistika shtetërore.
Lirisë së shpirtit tim,
Ia matin karakterin,
teksa mbeten debitë.
“Je vlerë,” thotë Zoti im,
“ata s’janë perënditë.”
Gabojnë qëllimisht kur bëjnë llogaritë,
me fjalë kuturu të drejtët e shtrembër…
Të vërtetat e mia i shkruaj tek sytë,
krenare për veten — e lirë jam një femër.
Zemra përzgjedh zemrën si përzgjedhja e farës,
të tjerat i quan trille kalimtare.
Veç ku mbetet prush, ndizet prapë një zjarr;
ndaj një dashuri mbetet fitimtare.
Mos u lodhni, moralistë — jua them unë serbes:
Kam shkuar me 100 burra, kam bërë 100 magji,
nga lindja në perëndim, nga mbrëmja në mëngjes,
Kam shkuar sa herë kam ndier trokitjet në gji .
Ju pse ju ra qielli? Ju prish galaksia!?
Apo thjesht ju djeg që jetova unë?
Përse ky gërmim në shtresat e mia —
tellall nga e hëna deri në të shtunë?
Kam trup, shpirt ,zemër, guxim dhe dëshirë;
Ju thjesht një opinion … dhe shumë ziliqarë.
Morali prej jush — një sallatë e grirë,
Një përpjekje e dështuar për të më vrarë.
Moza .