Rajmonda Qose Shkopi

Mundohesh të krehësh mendimet
Me krehërin e kohës,
Me dorën që përkunde djepat ,
Shpirti rënkon.
Ca re kafshon dhimbja jote ,
Kur plugon parmenda e kohës.
Rëndon xhamadani varur mbi gozhdë ,
Muri dot s’e mban.
Plaga që gozhda ka hapur
Është e thellë.
Kreh mendimet,
Por ato kokolepsen sërish.
Ishte verë apo dimër?-pyet veten,
Ndërsa ngjyrat zbehen para teje.
Kujtesa ka filluar të bëjë lojëra
Fjongot, që mendimet i kishin lidhur gërshet ,
Rrëshqasin të dekompozuara,
Si rëra nga gishtat
Pasqyra numëron thinjat,
Lajmëron se vitet humbasin krehërit ,
E s’kthehen pas.