Andrew Faber-Dëgjoje gjithmonë-Sjell në shqip Mariana ZEGALI

🌷📄Dëgjoje gjithmonë

gjithkënd që ka diçka për të thënë.

Nëse në atë moment është vetëm.

Ndoshta e ka të pamundur të jetë i zëshëm.

Mbase nuk e detyron dot veten që të kërkojë ndihmë.

Kujt i klith heshtja

është si lulja kur shkelet.

Shoqëroje duke e bërë të kuptojë

se toka nën të nuk është shembur.

Shoqëroje

duke bërë të ndjejë praninë tënde.

Dëgjoje gjithmonë

Cilindo që ka diçka për të thënë.

Ka ndodhur edhe tek ty që të jesh ndjerë i dobët.

Pa vlerë.

Të provosh atë ftohtësi që vjen nga brenda

e që nuk i bëjnë derman as veshjet e ngrohta.

Mund të mjaftojë vetëm një përqafim

për të gjetur udhën e duhur

një zemër e lodhur.

Vërtetë.

Çfarë për ty

nuk mund të jetë asgjë,

për kë po jeton me makthin e tij

mund të jetë gjithshka.

Dëgjoje kurdoherë

Këdoqoftë që ka diçka për të thënë.

Kështu ndihmohen njerëzit.

Mjekohen plagët që s’u duken.

Ndoshta e vetmja mënyrë që njeriu të mund të shpëtohet.

Qëndrimi pranë tij.

Në se dikush zotohet se është i gatshëm

por gjen diçka më të mirë për të bërë

dhe në një moment

vendos të largohet.

Ka bërë një hiç.

Dëgjoje kurdoherë

Gjithkënd që ka diçka për të thënë.

Sepse brenda syve të tij

që shpesh ruhen të mos flasin

fshihen histori të mahnitëse.

Mos nxirr pengesa me justifikimin e kohës.

Askush nuk e ka.

Apo të lodhjes.

Sepse të gjithë ndihemi.

Vendosu në kërkim

në një hapësire ndryshe nga e jotja.

Ndër zëra që nuk i njeh.

Jepi mikpritjen kujt nuk gjen dot orjentimin.

Brenda kufijve të asaj që mundesh.

Dëgjoje kurdoherë

Këdoqoftë që ka diçka për të thënë.

Sepse mbyllja brenda kuadratit tënd

është si të pikturosh emocionet vetëm me një ngjyrë

kur ke në dispozicion një hark ylberi ndër ëndrra.

Sepse të jetosh vetëm me rehatinë tënde

është rruga më e shkurtër për t’u gjendur edhe ti vetëm një ditë.

Sepse si shkak i mosdëgjimit

rrezikohet të jetohet veç një jetë

ndërkohë që kjo, e jona

është vetëm njëra ndër jetët e pafundme

që na janë rezervuar për t’u jetuar.

**********

✒️Andrew Faber

©️ Dëgjoje gjithmonë

#rustemimarjana#art#letersi#kulture