Miltiadh Davidhi

Lumenjtë e vrerit
Lumenjtë e vrerit të vëndit tim,
Me dherat e trupit përmbytur me ujë,
Gjak e limfë, dualën nga shtrati.
Ndjehen të asfiksuara nga mungesa e ajrit.
Asnjë ëndërr s’mund të lulëzojë më.
E unë notoj ndër ta,
Për të shpëtuar
Trupin e shpirtin tim, e të Atdheut.
Këpucët mu bën varka të vjetëruara,
E arkivole plot me ujë,
E të pa vlera për të varrosur
Ëndrrat e mbetura gjallë.
Jo koha, por pjesët helmuese
Të trupit e përmbytën Atdheun.
Këto e kanë përmbytur përherë,
E vendi im është një Laokont i pushtuar
Nga gjarprinjtë e lumenjve të vrerit,
Të pjesës më negative të tij.
Më duhet të rikthehem mbrapa
Dhe njëherë në njëqelizorë,
Për ta fillur evolucionin e krijimit
Të njeriut nga e para,
E ta mbjellë në të gjithë vëndin
Ëndrrën e shpëtimit të njeriut,
Nga ky llum i pa mëshirë,
Nga këta lumenj vreri që mbjellin vdekjen
Ndër qelizat e trupit të Atdheut.
Janë nga më të egrit lumenj vreri,
Që shkatërrojnë historinë tonë
Lulëzuar ndër shekuj,
E që gjithë bota na e ka zili.
Lumenjtë tanë të vrerit
Ushqehen nga përrenj hakmarrës
E injorance,
E s’pyesin për ndërtesa ëndrrash
Të mbjella me dritë yjesh, djersë,
E të vaditur me gjak brez pas brezi.
Njerëz të mirë!
Kujdes nga të pabesët gjarprinj
Plot me helm,
Që po të kafshuan, s’ke më shpëtim,
Kujdes,
Nga lumenjtë e vrerit të vendit tim!