Poezi nga Andi Meçaj

POEZI NGA ANDI MEÇAJ

NDËRMENDJE

Fryu një dredhë,

dera u hap vrik,

mbi tryezën e gjerë

të kuzhinës dalloi:

lëpjeta, pazi,

nena, prakalidhe,

qumështore,

rrepica e hidhësa,

nënën tek i pastronte

nga rrënjët e kalbësitë.

Mbylli derën, doli,

rrëmbeu:

nespulla, xhangalle,

palafike, bukëfiqe,

një veshul rrush,

e ndenji mes:

lulekve, jargavanëve,

gojasllanëve, shpatoreve,

meneksheve e luledeleve.

Nga dhiarja,

zbriste dhiari

me tubën e dhive:

cjapin përçor,

shytat, xebat,

krutat e drugat.

Delmeri rinosh

me kripthit e artë,

sillte nga ligata:

berrat e shqerrat,

llajat, bejkat,

bardhiskat, bardhat

syskat e rudat.

Kënaqur nga frutat,

lulet,

dhentë e dhitë,

nxorri qaforen,

e u ngop

me ujin e kritë.

Këto sillte ndërmend

tek vështronte,

tryezën e gjatë të kuzhinës

gërmuqur nga koha,

derën e ngrënë

nga ikjet,

shtëpinë e rrënuar

nga vetmia,

e nënën, gur

në muranën e kopshtit.

(“Gondola në Venecie”, akuarel, pikturuar nga Andi Meçaj.)