Caush Kullafi



Më 12 dhjetor 2025, pata kënaqësinë dhe nderin të zhvilloj një bisedë të ngrohtë me prof. Fiqiri Biçakun, një nga figurat më përfaqësuese të arsimit librazhdas, njeriun që për dekada me radhë i ka dhënë shkollës jo vetëm dije, por edhe frymë, orientim dhe vizion. Ky takim nuk ishte thjesht një rikthim në kohë, por një reflektim i thellë mbi misionin e mësuesit, mbi përgjegjësinë morale të drejtimit arsimor dhe mbi vlerat që ndërtojnë breza.
Biseda jonë u kthye natyrshëm në vitet e shkollës së mesme të bashkuar “Hajdar Kullafi” në Letëm, një institucion që dikur gumëzhinte nga zërat e nxënësve, nga energjia rinore dhe nga shpresa e prindërve për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Në fillim të viteve ’80, prof. Fiqiri Biçaku ishte drejtor i kësaj shkolle, ndërsa unë një mësues i ri, i sapodalë në rrugën e mësimdhënies, me pasion të madh, por edhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie për profesionin që kisha zgjedhur.
Në atë kohë, marrëdhënia mes drejtuesit dhe mësuesit nuk ishte thjesht hierarkike; ajo ishte mbi të gjitha formuese, këshilluese dhe frymëzuese. Kur rrinim bashkë, punonim shpesh deri vonë, duke diskutuar jo vetëm për programet mësimore apo disiplinën shkollore, por për misionin e mësuesit në shoqëri, për rolin e arsimit në formimin e njeriut të ndershëm dhe të përgjegjshëm. Fjala e prof. Biçakut ishte e rrallë, por gjithmonë e qëlluar, një fjalë që mësohej dhe mbahej mend.
Një vend të veçantë në këto kujtime zë edhe bashkëshortja e tij, Kristina Biçaku, një grua e mençur, mësuese dhe bashkëshorte model, këshilltare e mirë jo vetëm për familjen, por edhe për fisin e më gjerë. Prania dhe mbështetja e saj përbënin një shtyllë të fortë në jetën profesionale dhe personale të prof. Biçakut, duke krijuar një harmoni të rrallë mes jetës familjare dhe misionit arsimor.
Biseda me prof. Fiqiri Biçakun rrodhi natyrshëm nëpër vite, duke prekur sfidat e arsimit të djeshëm, përpjekjet për të mbajtur gjallë cilësinë dhe autoritetin e shkollës, por edhe ndryshimet e mëdha që koha ka sjellë në mendësinë dhe realitetin shoqëror. Sot, ajo shkollë, që dikur ishte vatër dijesh dhe shprese, ka mbetur si një fole pa zogj: me shumë pak nxënës, për shkak të largimit të familjeve dhe zbrazjes graduale të zonës. Ky realitet i hidhur nuk është thjesht një statistikë demografike, por një plagë e hapur për arsimin dhe për kujtesën kolektive të komunitetit.
Ky kontrast i dhimbshëm mes së djeshmes plot jetë dhe së sotmes së zbehur e bën edhe më të çmuar punën dhe përkushtimin e figurave si prof. Biçaku, të cilët e ndërtuan arsimin në kushte të vështira, por me besim të palëkundur se shkolla është themeli i shoqërisë. Sot, muret e asaj shkolle ruajnë ende zërat e nxënësve të dikurshëm, orët e gjata të punës së mësuesve dhe përpjekjet e sinqerta për të mbjellë dije e vlera.
Kjo ditë më solli shumë kujtime nga ato vite të hershme të mësimdhënies, vite formuese jo vetëm profesionalisht, por edhe njerëzisht. Takimi me prof. Biçakun më rikujtoi se arsimi nuk matet vetëm me numra nxënësish, por me gjurmën që lë në jetë, me njerëzit që formon dhe me vlerat që përcjell.
Mos më harro, tha profesori, ma përgëzo Dr Merita Prenga që e ka bërë shkollën ” Vëllazërimi” shkollë model.
Prof. Fiqiri Biçaku mbetet një emër i lidhur ngushtë me historinë e arsimit librazhdas, një figurë që mishëron përkushtimin, urtësinë dhe përgjegjësinë e drejtuesit arsimor. Në një kohë kur shumë shkolla po mbeten të heshtura, shembulli i tij mbetet një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes së arsimit.