
Tregim erotik
-Sipas motiveve të këngës popullore kolonjare-
“O bandilli im, të paça sa malet,
Pse s’më vjen një natë, bashkë të qajmë hallet?
Mos më hajde ditën, po më hajde natën,
Se na shonë bota edhe zënë e flasën…”
Nata zbriste ngadalë mbi fshat, si një ëndërr e lodhur që kërkonte prehje mbi supet e maleve. Retë përplaseshin me hënën dhe e mbulonin me një shami të hollë mëndafshi. Ajo rrinte e mbështetur në dritare. Nuk ishte as vajzë dhe as grua… Ishte një krijesë nate, të cilës pritja ia kishte shndërruar gjakun në rrymë drite. Flokët i vareshin mbi supe si perde qiellore. Trupi i dridhej, jo nga frika, por nga një zjarr i brendshëm që vetëm dashuria e parë mund ta ndezë furishëm. Pëshpëriti ankthshëm:
-O bandill! Zëri u tret nëpër natë si një lutje pagane.
-Pse s’më vjen? Pse ma mban shpirtin pezull? Era i sillte aromë livandoje dhe lule mali. Ishte fryma e tij? Zemra i përvëloi si gur i vendosur mbi prush. Ishte nata e pestë që e priste…
Befas, hëna u nda më dysh. Nga drita e saj doli ai. Jo thjesht djalë por bilbil. Zog që këndon në dëgët e lisave dhe në petalet e bardha të luleve të mollës në kopshtin e saj. Ecte si një hije flake. Kur ai u afrua dritares, universi ndali për një çast.Dritarja u hap magjijshëm vetë, si derë tempulli që pret hyjninë e tij Kur ai hyri brenda dhoma u mbush me zjarrin e tij. -Bilbili im, më ke mbajtur zgjuar gjithë netët…- i pshëretiu ajo. Zëri i dridhej si fije gjethjeje që prek lumin. Ai i preku lehtë gjoksin, si puthja e një fluture.
-Thëllëza ime! U takuan si dy rrufetë në qiellin e trazuar që vendosin bashkë të zbresin në tokë. Ajo mori frymë thellë. Fryma e parë e një bote të re. Pastaj ai i rrëshqiti dorën ngadalë nëpër shpatulla, kurriz, bel…
Ajo u lëkund si pemë e mbushur me vesë. -Si qebap kafeje… më ke rrotulluar…- pëshpëriti, me buzët që kërkonin buzët e tij. Dridhej si fije bari që merr zjarr nga vetëtima. Ai e puthi ngadatë, lehtë dhe butë.Me brishtësinë, që shkrinte si dyllë i bardhë nën dritën e qiririt.
Nuk ishte puthje e trupit. Ishte puthje e shpirtit. E Erosit!
Puthjet zbritën në qafë, në sup dhe përsëri në buzë. Hyjnore! Ishin vetëm trup. Vetëm shpirt. Vetëm natë. Dhe nata u bë tempull! Dhe dhoma u bë altar!
Mina T. QIRICI Lalëz, 13 dhjetor 2025