Nata e fundit në prehërin e Vasilikisë- Mina Qirici

Mina Qirici

Tregim–legjendë

NATA E FUNDIT NË PREHËRIN E VASILIKISË

-Gruaja e Ali Pashë Tepelenës martohet vetëm me Ali Pashë Tepelenën –

E mbështeti me dhembshuri gruaje në prehër.

-Edhe sonte do të flesh në vendin tënd, pashai im!

Ia përkëdheli flokët dhe mjekrën e bardhë, të spërkatur me gjak.

-Nata jonë e fundit, por jo dashuria, pasha. Zemra ime do të jetë pranë teje. Bashkë me ty. Në këtë botë dhe në atë botë. Gruaja e Ali Pashë Tepelenës martohet vetëm me Ali Pashë Tepelenën. Në prehërin tim të virgjër nuk do të mbështetë kokën asnjë burrë tjetër.

Pashanë nuk e zinte kurrë gjumi pa mbështetur kokën në prehërin e saj.

Parajsa e Aliut prej dymbëdhjetë vjetësh martesë.

Gjaku vazhdonte të kullonte ende nga qafa, prerë mizorisht prej dorës së xhelatit turk. Edhe i vdekur nga plumbat, ata e kishin frikë plakun tetëdhjetë e dy vjeçar. Kokën e tij e kërkonte sulltani në Stamboll, në tepsi argjendi. Do ta ngulte në majë të hurit. Të tmerroheshin ata që ngrinin shpatën kundër tij dhe perandorisë së tij.

Vasilikia i fshiu me pëllëmbë gjakun e mpiksur mbi mjekër.

-Dashuria ime…-psherëtiu.

Jeta ime.

Lumturia ime.

Nuk qante.

Aliu nuk i donte lotët në sytë e saj.

Gruaja nuk ia mbylli qepallat.

Sytë kishin ende një dritë të ngrohtë.

Mistike.

Hyjnore.

Kështu i kishte parë për herë të parë…

Shpata e Ali Pashës ishte ngritur lart për të ndëshkuar babanë, vëllezërit dhe kushërinjtë.

Vasilikia vrapoi drejt tij si stuhi dëbore.

E bardhë.

Në sheshin e zi të luftës.

Klithi me zë laureshe, thëllëze dhe pëllumbeshe:

-Mos ua merr jetën, pashai i Janinës!

Të përgjërohem!

Të lutem si fusha malit!

Si vala bregut!

Si toka rrufeve të qiellit!

Ali Pashës i ngriu shpata në dorë.

Engjëlli i vogël kishte zbritur nga qielli?

Me flokët e arta gërshetë, lidhur pas ballit?

Me sy të kaltër si Vjosa në pranverë?

Luanit të Janinës i ra shpata nga dora.

-Je engjëll i bukurisë, zbritur nga qielli?

-Jo, pashai im. Jam Vasilikia, vajza e këtij burri dhe motra e këtyre vëllezërve që ju kërkoni t’u merrni jetën…

-Sa vjeç je, moj Vasiliki e bukur?

-Pas një muaji mbush pesëmbëdhjetë pranvera, pashai im.

-Po t’u’a fal jetën babait, vëllezërve dhe kushërinjve… po ti, çfarë do të më falësh, bukuroshja e vogël?

-Unë jam një fshatare e varfër, pashai im. Nuk kam pasuri, veç zemrës së bardhë…

-Edhe unë këtë dua, Vasilikia: zemrën tënde. Po të jap dy vjet kohë që të rritesh. Kur të mbushësh shtatëmbëdhjetë pranvera, do të vij të të marr nuse.

Sytë e zinj i kishin marrë flakë.

Vasilikia e pa zjarrin e tyre, kur ai kërkonte ta shuante në sytë e kaltër të saj.

-U plotësoftë dëshira e Zotit dhe e juaja, pashai im!

Ali Pashë Tepelena ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç.

Vasilikia e fshatit Plesivicë ishte pesëmbëdhjetë.

Pesëdhjetë vjet më e re.

Pesëdhjetë vjet më i vjetër.

Gjysëm shekulli dashuri që nuk njeh moshë.

Të nesërmen, xhelati shkëputi me forcë nga prehëri i Vasilikisë kokën e përgjakur të Ali Pashë Tepelenës. Plaku tetëdhjetë e dy vjeçar vështronte me sytë e hapur Vasilikinë.

Jo për t’i dhënë lamtumirën.

Por për ta përshëndetur.

Dashuria e vërtetë nuk ka kurrë lamtumirë.

Vasilikia vdiq dymbëdhjetë vjet më pas, në moshën dyzet e pesë vjeçare.

Nuk u martua kurrë.

Në prehërin e saj të virgjër nuk mbështeti kokën asnjë burrë tjetër.

Mina T. Qirici

Tiranë, 16 dhjetor 2025