Një fis i shquar për luftëtarë-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Fisi i Lekajve në Smokthinë

Fisi i Lekajve në Smokthinë është një fis i hershëm, me origjinë që daton që nga shekulli XVII. Sipas gojëdhënave dhe traditës familjare, i pari i këtij fisi ka qenë Marko Leka, i cili pati një djalë me emrin Lekë, nga i cili fisi mori edhe mbiemrin Lekaj.

Nga prindërit e mi kam mësuar se Lekajt kanë qenë gjithmonë njerëz të punës, të mikpritjes, të këngës, të muhabetit dhe të kuvendit. Këtë vlerësim e kam vërtetuar edhe vetë, jo vetëm përmes njohjes personale me Asqeri Lekajn, me të cilin kam ndarë studimet në Akademinë Ushtarake në Tiranë, por edhe përmes marrëdhënieve me brezin tim dhe më tej: Esatin, Refijen, Kananin, Idajetin, Ahmetin, Vilfridin, si dhe brezin e ri – Lulin, Nertilin, Fatjonin, Gramozin, Gëzimin, Albanon e të tjerë.

Tradicionalisht, Lekajt janë marrë me bujqësi dhe blegtori. Ata kanë pasur kope me dele dhe dhi, të cilat i dimëronin në Muxgë, ndërsa në pranverë e verë i ngjitnin në Kravavel dhe në malin e Tartarit, pranë stanit të Lekës.

Historia e Smokthinës dëshmon se nga fisi Lekaj kanë dalë patriotë dhe luftëtarë për lirinë e Atdheut, që nga kryengritjet kundër Tanzimatit në vitin 1847 e deri në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në Luftën e Greshicës (1847) morën pjesë edhe Lekajt, ku ranë dëshmorë Hamzo Çelo Lekaj dhe Riza Çelo Lekaj. Në vitet 1859–1861, Marko Sulo Lekaj u burgos në Janinë për kundërshtimin e pagesës së taksave. Gjatë një tentative për arratisje nga burgu i Janinës, ai humbi jetën duke rënë nga muret rrethuese. Më pas, Selman Sinan Lekaj u shqua si luftëtar në përballjet kundër bandave shoviniste greke në jug të Shqipërisë më 1884.

Smokthinjotët, përfshirë edhe pjesëtarë të fisit Lekaj, u rreshtuan gjithashtu në Luftën e Janinës (dhjetor 1912 – mars 1913), duke iu përgjigjur thirrjes së Ismail Qemalit për mbrojtjen e qytetit nga synimet greke. Rreth 157 luftëtarë nga Smokthina u nisën këmbë drejt Janinës dhe luftuan për afro tre muaj në kushte jashtëzakonisht të vështira. Në këtë përballje të përgjakshme, Smokthina la 14 bij të saj në fushën e betejës. Siç do të rrëfente më vonë Hairo Sulo Lekaj, lufta u zhvillua në kushte të pabarabarta, me mungesa të mëdha në armatim, veshmbathje dhe ushqim, nën një dimër tepër të ashpër. Këto ngjarje u përjetësuan edhe në këngët popullore, të cilat ruajnë kujtesën e trimërisë dhe sakrificës së smokthinjotëve.

Pas rënies së Janinës, fronti i luftimeve u zhvendos në Qafën e Bogonicës, Mretë dhe Shkallën e Pilurit. Edhe këtu smokthinjotët luftuan përkrah fshatrave të tjera të Labërisë. Nga Ramica morën pjesë, ndër të tjerë, Hairo Sulo Lekaj dhe Numan Petan Lekaj, ndërsa në Pilur mbeti i plagosur Xhemal Ali Cekaj.

Në Luftën e Vlorës të vitit 1920, nga fisi Lekaj u rreshtuan në çetat luftëtare Hairo Sulo Lekaj, Çelo Sulo Lekaj, Aredin Petan Lekaj dhe Numan Petan Lekaj. Disa prej tyre u plagosën gjatë luftimeve, duke dhënë edhe një herë kontributin e tyre për lirinë kombëtare.

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pjesëmarrja e fisit Lekaj ishte e gjerë dhe aktive. Në radhët e luftës u përfshinë burra e gra si: Numan, Memo, Beqir, Lesko, Qëndro, Iliaz, Yzeir dhe Laman Lekaj, si dhe Hyrie, Mereme, Salihe e Kafaze Lekaj. Shtëpitë e Lekajve u kthyen në baza të sigurta për luftëtarët, të favorizuara edhe nga pozicioni i tyre strategjik në zonën e Muxgës.

Pas Çlirimit, familjet e Lekajve u përfshinë me ndershmëri në ndërtimin e jetës së re, duke qenë pjesë e kooperativës bujqësore të Smokthinës. Ata u shquan si punëtorë të përkushtuar dhe të respektuar në Ramicë dhe më gjerë. Shumë prej tyre u shpallën veteranë të Luftës.

Një rol të rëndësishëm në këtë fis kanë pasur edhe gratë, të cilat me punën, sakrificën dhe mençurinë e tyre forcuan familjen dhe ruajtën vlerat tradicionale. Brezat pasardhës u arsimuan dhe dhanë kontribute si mësues, oficerë, specialistë dhe punëtorë të zotë.

Sot, fisi Lekaj mbetet një fis i madh në Ramicë, me familje që jetojnë ende aty, si dhe shumë të tjera të vendosura në Vlorë e në emigracion. Një nga përfaqësuesit aktivë të këtij fisi është Vilfrid Lekaj, i cili jeton dhe punon në Ramicë dhe drejton Organizatën e Dëshmorëve të fshatit, duke mbajtur gjallë kujtesën historike.

Ra një yll që nuk u shua

Dëshmori i Atdheut, Lesko Hairo Lekaj

Lesko Hairo Lekaj lindi në vitin 1924 në Ramicë, në një familje patriotike dhe punëtore. I edukuar me ndjenjën e dashurisë për Atdheun, ai u rreshtua herët në radhët e rezistencës antifashiste. Më 5 qershor 1943, me formimin e çetës partizane “Zigur Lelo”, Lesko ishte ndër të parët që iu bashkua asaj, ndërsa më 15 gusht 1943 u inkuadrua në Brigadën I Sulmuese.

Gjatë Operacionit të Dimrit, në përleshjet e ashpra në Pllakën e Kajcës në Përmet, Lesko u plagos rëndë. Ai u dërgua në spitalin partizan të Leshnicës, ku më 27 shkurt 1944 mbylli sytë përgjithmonë.

Për jetën dhe veprën e tij, Lesko Hairo Lekaj u dekorua me medaljet “Kujtimi”, “Trimëria” dhe “Çlirimi” dhe u shpall Dëshmor i Atdheut. Varri i tij ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë.

Figura e tij është përjetësuar në libra, gazeta dhe revista, si dhe në lapidarin e dëshmorëve të Ramicës, duke dëshmuar se vazhdimësia e brezave në fisin Lekaj ecën mbi themelet e sakrificës, nderit dhe atdhedashurisë.