RRATHË QË “PRITEN” E SHUHEN
-Imagjinata e bukur e fëmijërisë që më argëton edhe sot-


(Si meditim ne kohe permbytjesh, duke respektuar secilin)
A e keni provuar? Mbase po. Sidomos pas “bombardimeve” befasuese me urimet e vitit të ri…Po tani? Heshtje. Duhet pritur së paku një vit…
Por kujtesa ime shtyhet thellë në dekada…Unë e kujtoj këtë qysh nga adoleshenca e hershme. Pranë fshatit tim ishin ndërtuar dy rezervuarë uji. Shpesh vija vërdallë tyre dhe shihja sipërfaqen e qetë si një pasqyrë ku “notonte” fytyra ime. Qeshja dhe lëvizja duart tërë gëzim. Ajo pasqyrë e ujshme nuk më është hequr kurrë nga mendja. Rezervuari i vogël në veriperëndim të fshatit, kishte marrë viktimën e parë, ndërsa ai tjetri, që ishte më i madh, kishte marrë disa. Kurrë nuk u lava në ata rezervuarë që kishin gllabëruar jetë njerëzish, por jo rrallë kam luajtur buzë tyre. Veçmas në kohë të qeta, pa erë e valë, kur ujërat “flinin”, merrja guriçka dhe i hidhja në ujë. Ca rrathë të bukur e simetrikë hapeshin e hapeshin dhe nga rrezet e dritës ngjanin si rrathë të artë. Pastaj, hidhja gurin tjetër dhe një “qendër” e re rrathësh sikur kërkonte të gllabëronte tjetrën. Sa më shumë guriçka hidhja, aq më shumë rrathët ujorë “kacafyteshin” me njëri-tjetrin, pa kuptuar argëtimin tim… Për herë të parë si fëmijë, mu dukën sikur rrathët “kafshonin” njëri-tjetrin, si butakët që do mësoja më vonë…
Kujtoj se qysh ato kohë rinie, qendra e çdo gjëje për mua ishte familja ime: nëna, babai, motrat, vëllai. Ngado që shkoja, kthehesha tek ajo qendër magjike pa e ditur se do të fillonin “rrathët që priteshin”. Ato kohë, për ne, pas familjes vinte fisi: veçmas dajat, hallat, xhaxhallarët, fëmijët e tyre ishin “rrjeta” ku hargaliseshim në rininë e hershme. E kush nuk i mban mend vizitat tek dajat, hallat e më pak xhaxhallarët, sepse në shumë raste ata ishin si komshinj “tek dera”.
Isha ende fëmijë kur im atë do na thoshte: “ Në Shëngjergj, kemi dajat e babait tim. Mos i harroni…Le të shkojmë t’i vizitojmë”. Unë dhe im vëlla qeshnim. Dajat e babait të babait na dukeshin të largët, të parëndësishëm, ”botë tjetër” dhe kurrë nuk morëm rrugën t’u shkonim për vizitë. Por im atë jo rrallë na e përsëriste “Janë dajat e babait tim…Mos i harroni!”
Tani, kur kujtoj të shkuarën, më dhimbset babai im që nuk e kuptoja. Ai donte të respektonte “fisin e dajave” të babait të vet që unë nuk i takova kurrë. Jeta më njohu më shumë njerëz, por kurrë nuk pata shans të takoja “fisin e dajave të gjyshit”. Kam qenë tmerrësisht i lidhur me familjen time. Isha fëmijë 5-6 vjeçar dhe kur bëhej dreka gati, shkoja më këmbë ta çoja lakrorin e ngrohtë ,gatuar nga nëna jonë, tek motra ime e madhe që prashiste arat e kooperativës në Kavasila. Të gjitha të ardhurat e mia nga stazhi pas shkollës së mesme shkuan për të martuar vëllain e madh që e mori nusen nga malet e Gorës “partizançe”, siç thoshim. Sa u gëzova. Sa shumë i desha fëmijët e tij. Kur u martua motra e vogël, gjithë dasma nga “kursimet e mia”. Bashkë me të fejuarën time e mbajtëm sekret “shtatzëninë-mëkat”, siç quhej ato kohë çdo marrëdhenie e çiftit para martese dhe e nderuam duke e përcjellë me saze e plot pajë. Kur kunata mësoi “hilenë tonë”, bërtiste si e çmendur nëpër shtëpi, por ne nuk e dëgjonim. Ishim kthyer në Tiranë…
Tani, familja e djeshme, ajo që desha aq shumë, është bërë si rrathët e ujit që hapen e hapen, priten e priten e treten diku. Kur provova për herë të parë ndjesinë e të qenit baba, zbulova “një qendër të re”: familjen time, qendra e guriçkave në ujë. Rrathët sikur “ prisnin” njëri-tjetrin. Unë familjen time, im vëlla të tijën, motrat të tyret… Përherë pyesja veten: “Ku shkoi “familja e parë? Ku shkoi ‘qendra’ e parë?” Koha kishte ndryshuar. Shumë gjëra që më parë nuk i kuptoja, tani kishin emër. Secili ishte tek “rrethi i vet”. Shpesh kam lotuar në heshtje. Kam sjellë kujtime duke ia rrëfyer vetes. Kam qeshur e kam qarë, pastaj më janë kujtuar ato rrathët e ujit të qetë, ajo përhapje e valëve, rritja, zmadhimi, kacafytja dhe tretja… Pastaj “guri tjetër” hapte rrathët e vet që priteshin me ato që zhdukeshin dhe… sa më shumë gurë, aq më shumë “prerje rrathësh”…
Sjell kujtime dhe hesht duke përkëdhelur mendimet e mia. Harrohen të gjitha dashuritë dhe përkujdesjet në familje, të gjitha.
Jo vetëm në familje, edhe te miqësitë, kudo.
Më tingëllon sot zëri i tim eti: “Janë dajat e babait tim. Mos i harroni…” Ne i harruam. Unë mbaj mend dajat e mi. Kam ndroje t’u them bijve të mi “mos i harroni”, sepse ata do t’i harrojnë, ashtu siç nuk u kujtova unë kurrë për “dajot e babait të babait”.
Jeta është një mrekulli, edhe pse me rrathë që “priten” dhe kafshohen. Me rrathë që humbin diku e treten. Si rrathët e ujit nga guriçkat që hidhja dikur në ujë… atje, tek rezervuarët që rrethojnë fshatin tim. A thua dikush tjetër sot, bën të njëjtën gjë si dikur unë, kalamani i pafajshëm, ëndërrimtar?!…
Minneapolis, MN, 31 Korrik 2025