Zekerija Idrizi – shkrimtar, kritik letrar (Berlin/Shkup)


*Qasje në vëllimin më të ri poetik të poetes greko-shqiptare Eli LLAJO – Ελλη Λαγιοu, me titull “HESHTJA E QËNDRESËS SË PADUKSHME” – «Η ΣΙΩΠΗ ΤΗΣ AΦΑΝΤΗΣ ΑΝΤΟΧΗΣ» poezi në greqisht-shqip: “ΕΚΔΟΤΙΚΟΣ ΟΙΚΟΣ” , “BOTIMET BARLETI”, ΤΙRANA, 2025; Redaktor: Prof. Kristaq F. Shabani
Abstrakt ELI LLAJO – POETJA QË E BËN “HESHTJEN” TË FLASË ZËSHËM
Vëllimi poetik “Heshtja e qëndresës së padukshme” i poetes greko-shqiptare Eli Llajo përfaqëson një poezi të angazhuar emocionalisht dhe estetikisht, që ndërthur meditime intime me reflektimet autoriale mjaft domethënëse dhe filozofike mbi identitetin, historinë, rolin e gruas, padrejtësitë shoqërore dhe fuqinë e heshtjes si akt rezistence. Struktura e vargjeve është e lirë, por e organizuar me një ndjeshmëri ritmike të brendshme.
Llajo përdor me mjeshtëri metafora të qëndrueshme e të ripërsëritura, si: deti, shtyllat, drita, rrënjët dhe çarjet, për të krijuar një gjuhë poetike të pasur në imazhe, ku heshtja nuk është pasivitet e as “ndrydhje e fjalës”, por, në thelb, është një formë aktive e ekzistencës dhe e ruajtjes së dinjitetit. Figuracioni i saj kombinon elemente të traditës helenike e shqiptare me një sensibilitet bashkëkohor, duke e bërë veprën një mozaik poetik ku gërshetohen kujtesa, dhimbja dhe shpresa. Thënë më konkretisht, te ky vëllim poetik, sa çuditërisht po kaq edhe mrekullisht, nëpër vargje “heshtjet” flasin, kurse “pyetjet retorike” heshtin!
Ndërsa, kur jemi te fenomenologjia e heshtjes, për poeten Eli Llajo, heshtja është rezistencë e padukshme: nuk është të mos flasësh nga frika, por të zgjedhësh të mos flasësh nga fuqia, kurse “Pse”-të retorike nuk synojnë përgjigjet empirike, por ngjallin ndërgjegjësim dhe i lënë lexuesit hapësirë reflektimi të thellë. Madje-madje, “pse”-të janë edhe pyetje-akuza, të ngarkuara emocionalisht, që ekspozojnë padrejtësinë dhe mungesën e përgjigjes si pjesë e tragjedisë njerëzore. Në bashkëveprim, heshtja dhe pse-të krijojnë një dialektikë poetike: pyetjet vendosen në hapësirën e heshtjes, dhe heshtja i bën ato të tingëllojnë më fort.
Për më tepër, kjo është shumë afër asaj që filozofia e gjuhës e quan “kuptimi i nënkuptuar”, ose ajo që nuk thuhet, por që ka peshë më të madhe se çdo përgjigje e artikuluar. Tematika dhe koncepti poetik Eli Llajo e koncepton heshtjen jo si boshësi, por si hapësirë të ngarkuar me energji.
Vargu i parë i poezisë “Qëndresë”: “Kurrë s’bërtita, dhe, megjithatë jam”, është një deklaratë poetike e qartë: ekzistenca e qëndrueshme nuk ka nevojë për zhurmë, sepse është një realitet i heshtur, por i pathyeshëm në esencë. Ky motiv, madje, shtrihet në gjithë librin poetik: te poezia “Deti i jetës” deti asocon në heshtjen, ku njeriu përballet me dallgët, ndërsa te “Shtyllat e jetës” gruaja shndërrohet në një kolonë arkitektonike, si simbol i forcës që mban botën pa e kërkuar vëmendjen e auditorit. Ajo që më së shumti më ka bërë përshtypje, kur jemi te “heshtja”, janë vargjet e saj lapidarë: “Në hijen time të lulëzosh, si një dritë e ëmbël në mëngjes. Të fluturosh pa u fikur, të kesh forcë e dritë përherë.
Në heshtjen time të flasësh, me sytë të buzëqeshësh, e në botën time vetjake do të gjesh çfarë kërkon ti. Nëse të pyesin kush të jep kurajë brenda në heshtje, thuaj: «Një zë që gjithmonë mbetet thellë i fshehur në shpirt». Dhe nëse të thonë kush shkruan yje në qiellin bosh e të zbrazët, thuaj: «Ai që di të lexojë çdo frikë të fshehtë timen”. Figura letrare dhe metafora kryesore Heshtja, si substancë, në perceptimin poetik të Eli Llajos ka trup, peshë dhe jetë. Në poezinë “Pse, pa përgjigje?”ajo merr formën e një përgjigjeje në vetvete, sepse të gjitha “pse-të” e saj janë retorike: “Pse ‘pse-ja’ qenka vetë përgjigjja / në heshtjen e domosdoshme jetuese?”
Kjo është një metaforë domethënëse ekzistenciale ku heshtja merr një status filozofik. Le t’i lexojmë me shumë kujdes dhe le t’i shijojmë retorikat e filozofisë së thellë të të gjitha vargjeve: PSE, PA PËRGJIGJE? Pse fjalët s’rrjedhin në damarë, si gjaku heshtës, i pafolur? Pse dora dridhet e ngurron kur shpirti kërkon të shkruajë? Pse ora ulëret pa mëshirë, koha shndërrohet në hije, gjithnjë i ndjek e s’mund t’i kapësh? Pse zemra psherëtin në heshtje, në një lumë pa brigje, s’hedh në breg «pse-të» e padukshme, ndërsa sytë pyesin, gjithmonë pyesin… Pse ëndrrat mbeten të mbyllura, si fjalë të pathëna kurrë, si thesare të fshehura në errësirë, që duhej t’i kishe përmbushur? Pse heshtja peshon më rëndë se çdo britmë që thyhet? Pse «pse-ja» qenka vetë përgjigjja në heshtjen e domosdoshmë jetuese? Pse duhet të shkruaj poezi, kur heshtja qenkërka e vetmja përgjigje gjithmonë në mbërritje…, para meje? Shënim: Një poezi kërkimi, pasi disa “pse” s’ kërkojnë shpjegime, vetëm të dëgjohen. Αrkitektura dhe trupi i gruas Te poezia “Shtyllat e jetës”, gratë paraqiten si shtylla dorike, me rrënjë të lashta dhe bark të ndritshëm: “Këmbët e saj shndërrohen në kolona, rrënjë të lashta mbajtëse të tokës”
Këtu shkrirja e figurës arkitekturore me trupin krijon një metaforë të qëndrueshmërisë kulturore dhe biologjike. Natyralizimi i kujtesës Në poezinë tjetër “E megjithatë, poezia duron…”, peizazhi i fshatit të braktisur, metaforikisht, bëhet një trup i gjallë që mban kujtesën: bajamet, anemonat, rigoni: të gjitha rezistojnë ndaj harresës. Ky është një perceptim imagjinar rural që sfidon kohën.
Metafora të shkrimit Te poezia “Vjelja e fjalëve”, procesi krijues shndërrohet në asociacionin e vjeljes së rrushit: “Vjel fjalët në hardhinë e gjuhës, si kokrra rrushi shkëlquese në dritë” Ky figuracion gastronomik e bujqësor e vendos poezinë në një traditë të punës së ngadaltë dhe të përkushtuar, ku fjala piqet si verë. Struktura dhe stili -Vargu i poetes Eli Lloja është i lirë: Nuk ka skemë të rreptë metrike, por rrjedhja është e ndërgjegjshme dhe e kontrolluar, duke përdorur pauza të gjata e ritme të qeta që pasqyrojnë temën e heshtjes. -Paralelizmi: Shpesh vargjet ndjekin një strukturë paralele (“Ajo nuk mbështetet, / Ajo mbështet.”), duke krijuar theks retorik. -Simbolika e dritës dhe hënës: Hëna, agimi, drita e bardhë janë të pranishme si simbole të zbulesës së ngadaltë dhe të pritjes. Tonaliteti, ndërsa, është kryesisht elegjiak: Sidomos në poezitë për fshatin, ndjehet një elegji për atë që është humbur, por edhe një besim tek rigjenerimi. Dimensioni kulturor dhe identitar
Kjo vepër poetike ndërthur kodin kulturor grek (Parthenoni, shtyllat dorike, kapitalet jonike) me peizazhin shpirtëror shqiptar (fshati i braktisur, kujtimet familjare, rigoni dhe anemonat). Kjo përzierje sintetike krijon një identitet poetik hibrid që i flet të dy kulturave: asaj greke dhe asaj shqiptare, por njëkohësisht edhe universales, botës. Qëndrimi kritik dhe social Në poezinë me titull “Regjisorja e padrejtësisë”, Eli Llajo nuk heziton të demaskojë mekanizmat e përzgjedhjes elitiste në art, ku merita e vërtetë mbetet jashtë skenës, ndërkohë që në horizont gëlon mediokriteti. Figuracioni i saj është i fortë dhe denoncues: “Merita e padukshme, s’është e ftuar, / transparenca pasqyrohet në pasqyra të mjegullta”. Heshtja si akt politik dhe etik Në këtë vëllim, heshtja nuk është dorëzim, por një strategji etike. Ajo, në thelb, eksploron mrekullisht ruajtjen e dinjitetit, bartjen e dhimbjes, si dhe kujdesin për tjerët. Edhe kur pyetjet mbeten pa përgjigje, poezia vetë bëhet mjet i mosharresës.
Por, më duhet të vë theksin në një fakt leximor timin: të gjitha poezitë e këtij vëllimi libror më kanë mrekulluar artistiko-estetikisht, madje dhe filozofikisht, por ama poezia me titull “SHIKIMI QË FLET”, i ka tejkaluar te unë gjitha limitet e shpirtërores dhe mendores, aq sa dhe mishtë e kurmit, po edhe shpirti, m’është drithëruar. Le ta lexojmë dhe këtë e le të meditojmë thellë: “Shikimi im në shpirtin e fëmijës Kur një fëmijë të sheh në sy, s’është vetëm nevojë, është akt besimi, Një urë nga e panjohura e tij tek e njohura jote. Shikimi i tij, një pyetje pa fjalë: “A do të rrish pranë meje? A do të shohësh atë që unë s’mund të them?”
Disa fëmijë tregojnë, flasin me dorë, kërkojnë. Dhimbja e tyre për atë që humbi, në hije, në rrënoja, në dhimbje. Për një rrugë që nuk u ec, për një vakt i padhënë. Të tjerë fëmijë të ndjekin vetëm me sy. Mos u mashtro nga heshtja e tyre, më e fortë ajo se britma e tyre. Çdo lëvizje e tyre kërkon besim, Çdo shikim largues shpreh më shumë se çdo fjalë. Kujdesu për fëmijët që s’ kërkojnë. Ata fëmijë të thonë më shumë. Me çdo hezitim, me çdo tërheqje të qetë, tregojnë sa shumë qenka lënduar besimi. Shikoji me të vërtetë, Pasi në sytë e tyre do të shohësh të vërtetën tënde. Shenjë që s’mund t’u fshihesh, pasi dielli i tyre të lakuriqëson.
Nëse të japin shikimin e tyre, apo ta mohojnë, është shenja më e thellë e njerëzisë sate. Në sytë e tyre, kërkoje pikërisht atë. Përfundim “Heshtja e qëndresës së padukshme” është një vepër ku intimiteti individual dhe ai universal bashkëjetojnë në harmoni. Eli Llajo ka krijuar një poezi që ecën mes rrënjëve të lashta dhe realitetit digjital, mes dritës dhe plagës, duke e kthyer heshtjen nga shenjë pasiviteti në mjet të fuqishëm rezistence estetike dhe morale. Figuracioni i saj është i pasur, i saktë dhe i ngulitur në një kujtesë kolektive, ku gratë, vendlindja dhe fjala e shkrepur me sens janë shtyllat që mbajnë botën. “HESHTJA E QËNDRESËS SË PADUKSHME» «Durime që nuk shihen, mbajnë gjithë botën.»
Titulli dhe motoja pasqyrojnë thelbin e kësaj përmbledhjeje: forcën e heshtur, durimin dhe qëndresën e padukshme, e cila jeton në rrënjët e shpirtit dhe të vendlindjes. Besoj se, kjo ndjesi e përbashkët krijon një atmosferë të fortë dhe prekëse, e cila e fton lexuesin në udhëtimin poetik.
Zekerija Idrizi Berlin, Germany