Më merr malli për ato agime-Arjana Fetahu Gaba

Arjana Fetahu Gaba

Më merr malli për ato agime

Unë kam qënë e përkedhelur,
E doja veten të më donin,
Qaja kur mi krihnin flokët,
Qaja dhe kur s’më duronin.


Por doja shoqet që të gjitha,
Dhe fëmijëtinë doja shumë,
Haja inat kur më mbulonin,
Që çdo drekë të flija gjumë.


Zemërohesha kur ndonjë film,
Më thonin s’është për ty,
Se s’mund të shihja dot të puthura,
E kur bëhej dashuri.


I doja këngët ti këndoja,
Ashtu pa fre, pak “Let it Be”
Dhe ndonjë libër të ndaluar,
Fshehur fusja në shtëpi.


E doja dhe djalin që fërshëllente,
E që kurrë s’më vuri re,
Buzët i mbajta vetëm për vete,
Me kokën ulur e sytë përdhe.


E bëja veten të më donin,
S’bashku me të dhe rrugën time,
Dhe pse ndonjëherë kisha ca frikë,
Se mos me kapnin me gabime.
Sërish i dua ato kujtime,
Përmbi kujtes i thërras si re,
Unë jam krijesë prej nostalgjie,
Ndaj një çurgë lotsh s'mund ta fsheh.
Arjana Fetahu Gaba
Garfield, New Jersey