Kur mundësia nuk pret-Makfire Shala

Makfire Shala

 
Në jetën time kam mësuar se jo gjithçka vjen me zhurmë.
Gjërat më të rëndësishme kanë ardhur gjithmonë në heshtje,
si një frymë e lehtë që ose e ndien,
ose e humb përgjithmonë.
Ka njerëz dhe çaste që nuk trokasin fort,
por prania e tyre ta ndal mendimin
dhe ta vë shpirtin përballë së vërtetës.


Janë ato çaste kur gjithçka brenda teje dridhet:
frika, kujtimet, plagët e vjetra,
dhe një pyetje e vetme që s’të lë të qetë:
A jam e denjë për këtë dritë?


Kam qenë aty.
Në udhëkryqe ku një çast i vogël
mbante peshën e një jete të tërë.
Zemra ime shpesh ka hezituar,
jo sepse nuk donte,
por sepse kishte frikë të humbiste përsëri
atë që ishte humbur kaherë në thellësinë e saj.


Kur je formuar në rrethana që ta kanë thyer zërin, por jo shpirtin,
edhe drita të tremb.
Sepse drita kërkon përgjegjësi.
Ajo të thërret të ngrihesh,
kur je mësuar të mbijetosh.


Kam kuptuar se vetëm shpirtrat e pastër
e ndiejnë këtë lloj peshe.
Të tjerët e quajnë rast,
e lënë të ikë,
e justifikojnë humbjen
me fjalë boshe.


Por jeta nuk përsëritet.
Mundësitë nuk kthehen dy herë.
Ato ikin si letra të brishta
që era i bart pa mëshirë,
dhe shpesh bien në duar
që nuk dinë t’i çmojnë,
as t’i lexojnë,
as t’i mbajnë.


Sot e di:
ajo që më erdhi pa zhurmë
ishte thirrje.
Jo për këdo.
Por për mua.


Dhe nëse nuk do ta kisha dëgjuar,
heshtja do të ishte kthyer në pendesë,
e mungesa në mësim të vonë.


Prandaj, tani besoj:
kur qartësia vjen pa zhurmë,
është Zoti që flet.
Dhe ai që ka guxim ta dëgjojë,
nuk humbet më veten.
 
©️Makfire Shala