Mehmet Pashë Dërralla një figurë që historia nuk arriti ta heshte

Duke ndjekur emisionin televiziv “Familja Dërralla me rastin e UÇK-së në Maqedoni”, të drejtuar nga gazetarja dhe poetja Kozeta Zavalani, njëkohësisht autore e monografisë kushtuar tetovarit Mehmet Pashë Dërralla, Ministrit të Parë të Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, u ndjeva përballë një tryeze që nuk ishte thjesht televizive, por një akt i vonuar drejtësie historike.
Ishte një risi e rrallë, ku për herë të parë dolën në dritë të dhëna arkivore, dëshmi familjare dhe gojëdhëna të mbledhura me këmbëngulje nga Valdet Gjinali Deralla, mbesa e Pashës, bija e Hysen Dërrallës, dhe nga nipi Sazan Skuka, biri i Nigjarrës, vajzës së Ministrit të Parë të Luftës. Këto rrëfime nuk ishin thjesht kujtime, por fragmente të një historie që për dekada ishte lënë në hije.
Nga dëshmitë e Valdete Dërrallës mësojmë se në trungun e familjes Dërralla hyjnë figura të shquara: Mehmeti, Halili, Gajuri dhe Hyseni; burra të formuar ushtarakisht, akademikisht dhe kombëtarisht. Familja njihej në Tetovë dhe rrethina për trimëri, zgjuarsi dhe karakter. Nuk ishte rastësi që Mehmeti përmendej si “baba pasha”, një figurë autoritare, por e dashur, e drejtë me miqtë dhe e pamëshirshme me armiqtë.
Në emision u nënvizua me forcë se Mehmet Pashë Dërralla ishte luftëtar i përhershëm për rrënjët e kombit, pjesëmarrës aktiv në lëvizjet kombëtare, një nga themeluesit e Lidhjes së Prizrenit në krah të Hasan Prishtinës, figurë që në gojëdhënat e fshatrave përreth njihej si “trim i çartur”; jo për çmendi, por për guximin që sfidonte frikën.
Por ironia më e dhimbshme e historisë qëndron në faktin se nga viti 1944 deri në vitin 1990, kjo figurë kyçe e Qeverisë së Pavarësisë, delegat i Gostivarit, ministër i Luftës nga sistemi i dikraturëd u la qëllimisht në harresë nga sistemi monist. Jo për mungesë merite, por për “biografi të keqe”.
Një nga momentet më tronditëse ishte rrëfimi i Sazan Skukës, nipi i Mehmet Dërrallës, për një ngjarje të viteve të monizmit. Nëna e tij, Nigjarrja, vajza e Mehmet Pashë Dërrallës, e pyeti me modesti një grup zyrtarësh nga Tirana, të ardhur për Festën e Pavarësisë në Peshkopi:
“Qeveria e shpalljes pati kryeministër, pati zëvendëskryeministër. Po Ministri i Parë i Luftës kush ishte?”
Përgjigjja ishte heshtja. Nigjarrja nuk tregoi kurrë se ishte e bija e atij ministri. Ata e dinin. Dhe pikërisht për këtë heshtën.
Dëshmi të tjera, si ajo e Vehbi Velia pinjoll i fisit Dërralla, sjellin në vëmendje dhunën dhe vrasjet ndaj burrave të kësaj dere në kohën e Jugosllavisë, ndërsa rrëfimi i Valdete Dërrallës për martesën e prindërve të saj në vitin 1944 me flamur, me ushtarakë, me autoritete shtetërore tregon se kjo familje nuk ishte asnjëherë jashtë historisë, por brenda saj.
Veçanërisht domethënës është fakti se vetëm pas vitit 1992 figura e Mehmet Pashë Dërrallës nisi të ndriçohej, duke u dekoruar nga Presidenti dhe qeveria e asaj kohe. Një akt korrekt, por i vonuar.
Dy vargjet e Ansamblit të Labërisë:
“Nëna, ti të don në këmbë,
Ngrehu nga varri…”
tingëllojnë sot si një thirrje kombëtare për figurat e harruara. Mehmet Pashë Dërralla u ngrit nga varri jo fizikisht, por në ndërgjegjen e kombit, falë familjarëve të tij, studiuesve, gazetarëve dhe njerëzve që nuk e pranuan heshtjen si përfundim.
Ky shkrim është vlerësimi im modest për një figurë që nuk i përket vetëm familjes Dërralla, por historisë së shtetit shqiptar. Një pemë me shumë degë, nipër, mbesa dhe pasardhës, që dëshmojnë se gjaku i historisë nuk shuhet, edhe kur pushteti përpiqet ta mbulojë me hijen e harresës.
Nexhbedin Basha
Gazetar