Një natë që nuk ndodhi-Eva Gjoni

Eva Gjoni

Një natë që nuk ndodhi

Po qëndronte shtrirë në shtrat, por gjumi nuk ishte më me të atë natë. U ngrit dhe shkoi pranë dritares. Bin­te një shi i imët dhe hëna ndriçonte mjaftueshëm. U ul dhe po shikonte të shoqen që po flinte me një dorë futur nën jastëk. E donte shumë, ajo ishte krijesa më e brishtë që kishte njohur, ishte person që nuk rrëmbehej kurrë dhe atë e donte pafundësisht. Nuk kishte dyshuar kurrë se ai ndonjëherë mund të ishte tërhequr nga një femër tjetër.

Por jeta është aq e çuditshme dhe rastësirat e saj të bëjnë aq konfuz, ti je i papërgatitur t’i përballosh apo t’i përjetosh. Kjo është jeta!!!

Iu kujtua një histori e shumë viteve më parë… Ai, në Barcelonë…

Kishte shkuar për një udhëtim pune në Barcelonë, një seminar treditor. Paraditja ishte e ngarkuar, ndërsa pasditet ishin të lira. Mendoi të shkonte nga plazhi, koha ishte e bukur, megjithëse ishin ditët e fundit të shtatorit.

U sistemua në plazhin më të afërt, donte vetëm të shtrihej në shezllon dhe të shijonte rrezet e diellit, që ishin të ngrohta dhe jo përvëluese. Ishte pasdite. Pranë çadrës së tij, shezlloni afër ishte bosh, por nga çanta dhe peshqiri mendoi që aty duhej të ishte një femër, që ndoshta kishte shkuar për t’u larë. Nuk i interesonte asgjë, donte të mbyllte sytë dhe të flinte… i pëlqente ai gjumë që bënte ashtu, nën rrezet e diellit.

Po flinte kur ndjeu që disa pika uji e lagen në tërë kurrizin. Hapi sytë dhe, ashtu gjysmë i zgjuar, me shikim të turbullt, shikon një vajzë të re. I ranë në sy dhëmbët e saj të bardhë, po buzëqeshte.

Më fal, — i tha, — ju laga.

Ajo tundte flokët e saj të lagur nga deti, trupi i nxirë në bronz, një lëkurë që dukej aq e lëmuar, e butë, me pikat e ujit vende-vende, e trullosën fare.

I tha vetëm:

Më zgjuat…

Ajo buzëqeshi përsëri.

Meqë u zgjuat, unë quhem Ana, — dhe i zgjati dorën.

Ai u ngrit, zgjati dorën:

Greg, unë quhem Greg.

Ajo fliste një anglishte të pastër, por dukej që nuk ishte nga vendet anglishtfolëse.

Nga jeni? — e pyeti ai.

Unë jam suedeze, kam ardhur për një konferencë. Po ju?

Unë jam anglez, për një seminar pune.

Në cilin hotel po qëndroni? — i tha ajo.

Në Barcelona Tower.

Vërtet!!! Jemi në një hotel… çudi!!!

Ajo ishte një vajzë me shumë temperament, fliste pa pushim për punën e saj, ishte e apasionuar pas asaj që bënte dhe kjo gjë i hante shumë kohë, gjithë ditën e saj. Nuk kishte lidhje të qëndrueshme, pasi gjithmonë puna bëhej pengesë; ajo nuk i kushtohej dot lidhjes, e para për të ishte karriera.

“Jam e re,” thoshte, “tani kam energji dhe mendja ime punon pa pushim për atë që bëj. E di, e kam lënë veten time pas dore, por puna që bëj më jep shumë kënaqësi, më bën të ndihem e rëndësishme, më bën të ndihem mirë. Por kam edhe unë momentet e mia që ndihem vetëm dhe të tjerët nuk mund të presin këto momente që unë t’u kushtohem. Jeta është e gjatë, do mendoj më vonë për këtë gjë.”

Kjo ishte përgjithësisht çfarë iu kujtua nga biseda me Anën. Pastaj…

U kthyen bashkë në hotel…

Në ashensor ishin vetëm të dy. Ai ndjeu aromën e parfumit të saj, që ishte e përzier me avujt e trupit të nxehtë nga dielli. Ndjeu një përsh­tjellim, u mundua të kontrollonte veten. Ashensori ndaloi në katin e tij dhe ai e përshëndeti. Ajo mbajti derën e ashensorit.

Ku do darkosh sonte? Po je i lirë, në orën 7:30 më prit në holl…

Ai ishte i mpirë, nuk e ndjente trupin e tij. I tha një “ok” që nuk i dukej si zëri i tij, dikush brenda tij ishte përgjigjur!!! Njëherë i dukej sikur ishte ai një i panjohur, pastaj kuptonte që ishte vetë ai, aty pranë dritares, dhe ngjarja i rridhte si një shkrim.

Vajta në dhomë dhe u ula në krevat. Po mendoja: çfarë të bëj, të shkoj? Një darkë është, asgjë më shumë, por ajo ishte aq e bukur dhe e lirshme, ajo ishte gjithë jetën e gatshme për çdo aventurë. Ndërsa unë, që më duket herë-herë vetja si ai në këto momente kujtimesh, isha i rezervuar, nuk mund të ndihesha komod me njerëz që nuk i njihja, nuk isha i lirshëm; po nuk kisha një njohje, një raport, nuk mund të shtyhesha drejt aventurës.

Pastaj iu kujtua e shoqja; ajo nuk do të tundohej nga asgjë, ajo nuk shikonte asgjë përveç atij, ishte e dashuruar verbërisht. Ai gjithmonë i thoshte: duhet të më shikosh më realisht, nuk jam perëndi, jam si ty dhe ndoshta më i keq se ty, zemra ime.

Bëri dush, u vesh dhe po qëndronte përpara pasqyrës. Do shkoj, një darkë, një flirt i këndshëm, më tundon të shkoj, nuk po bëj asgjë të keqe, po kaloj dy, tre orë në shoqërinë e një femre magjike. Jeta të afron mundësi të tilla të njohësh njerëz të ndryshëm, nuk është krim të jesh i sjellshëm, të shkëmbesh mendime, të njohësh njerëz të rinj, me një botë të ndryshme nga e jotja. Eksperiencë, asgjë më shumë, i tha vetes. Normalisht nuk do t’ia thoshte të shoqes këtë, por asgjë që ta lëndonte atë nuk po bënte.

Doli… e ndjente se po bënte diçka që e vinte në siklet, nejse, i tha vetes.

Ajo po e priste e ulur në kolltuk. O Zot, flokët e saj kishin marrë një shkëlqim të argjendtë, ishte e freskët. Kishte veshur një fustan të bardhë dhe ia nxirrte më në pah ngjyrën e lëkurës.

Iu afrua.

Mirëmbrëma, Ana, keni shumë këtu?

Jo, jo, sapo u ula. Ikim, di unë një restorant të mirë dhe ecet në këmbë.

Orët kaluan pa u ndjerë, ajo ishte femër magjike; si ka mundësi që nuk e vlerësonte këtë gjë te vetja!!!

I thashë që duhet të kuptonte botën brenda vetes. Ti ke aq shumë jetë brenda dhe nuk njeh aspak atë jetë jashtë, pse po e ndrydh? Shpirti yt është kaq i bukur, nuk di si të bindet që e le ashtu mënjanë dhe merresh me punë.

“Për të qetësuar shpirtin lexoj dhe dëgjoj muzikë,” më tha, “aty, në atë botë fluturoj, por kthehem shpejt në tokë, se më kalojnë si shigjeta mendimet e projekteve që jam duke bërë.”

U kthyem në hotel dhe përsëri ishim vetëm në ashensor. Ajo më qëndroi pranë, po më shikonte në sy.

Çfarë ngjyre të bukur i ke, — më tha, një jeshile e thellë. Njerëzit me sy jeshil janë njerëz me shpirt të pastër.

U afrua edhe më shumë dhe unë ndjeja frymëmarrjen e saj. Iu afrova dhe preka lehtë buzët e saj, m’u prenë gjunjët, u largova, se në atë moment nuk e kisha më veten në kontroll.

Ashensori ndaloi në katin tim, por unë nuk lëviza. Ajo shtypi butonin për në katin e saj. Qëndronim shumë pranë. Për pak çaste Ana mbështeti kokën në supin tim. E mbështolla me krahë rreth belit dhe kësaj here e putha vërtet; kishte pasion, e ndjeva atë puthje… sa m’u mor fryma.

Ashensori qëndroi në katin e Anës. Ajo doli dhe po priste t’i shkoja pranë, por unë kisha ngrirë, nuk mund të lëvizja. E dija që po të shkoja ndoshta do kaloja natën më të zjarrtë të jetës time, por a do mundesha ta bëja? Do mpihesha, do kontraktohesha dhe nga emocioni i tepërt do qëndroja si pa jetë. Më mirë jo, jo, i thashë vetes.

Ana, më mirë jo, nuk mundem. Je e mrekullueshme, ndoshta kjo më pengon. Nuk dua ta kem si mendim që të më ngacmojë gjithë jetën. Natën e mirë, e mira Ane!

Nuk shkoi dhe asnjëherë nuk e kuptoi: nuk shkoi për veten apo për të shoqen. Kishte frikë se e bëri për veten e tij, kishte frikë të hynte në atë magji që afronte ajo grua. Nuk donte ta njihte atë ndjenjë që do provonte atje, do ta kërkonte gjithë jetën. Por a ishte ajo jeta që ai donte? Jo, aspak. Jeta e tij ishte shumë më komplekse, shumë e mbushur dhe ai ndihej i lumtur brenda jetës që e rrethonte.

Sot iu kujtua. S’e di pse, por kishte pasur raste që e kishte parë edhe në ëndërr dhe ishte zgjuar me ankth. Ndoshta duhej të shkonte, mbase nuk do t’i mbetej si një peng, por çfarë do ndodhte më vonë nuk ishte i sigurt për këtë.

Por mbase ky ishte çasti që të vjen një herë, por nuk e preku dhe ndoshta kështu duhej. Fati i tij ishte ndryshe, por… s’e dinte…

U afrua pranë krevatit duke zgjatur dorën; pranë kishte atë gruan e tij të mrekullueshme.