Gezim Llojdia

A ishte Gjoleka një Skënderbe i dytë?
1.
Ka emra që nuk vdesin, dhe që nuk mbeten vetëm në librat e historisë.Ata jetojnë në male, luhaten me erën dhe këndohen nga kënga që dridhet mbi shpella e gryka. Emri i Zenel Gjolekës nuk është një emëri harruar.Por një jehonë pushke që përshkon akoma Grykën e Labërisë..Ai ishte trimi që kurrë nuk pranoi të përkulet dhe që sfidoi kohën .
2.
Gjoleka lindi dhe u rrit në Kuç, atje ku guri flet dhe njeriu rritet me idenë se liria nuk dhurohet, por fitohet. Kryengritja antiosmane e vitit 1847 nuk ishte një shpërthim i rastësishëm zemërimi, por një zjarr i vjetër që kërkonte dritë. Në mes të atij zjarri doli Gjoleka jo si sundimtar, por si prijës që ecte i pari drejt rrezikut.
Beteja e Grykës së Kuçit u kthye në një provë zjarri. Aty, mali u bë mburojë dhe trimëria u bë ligj.
Thuhet se mijëra ushtarë osmanë mbetën të shtrirë në atë grykë të ngushtë, ku pushka shqiptare fliste më fort se çdo urdhër perandorak. Qoftë edhe nëse shifrat debatohen, fitorja mbetet e pakontestueshme. Ishte fitore e shpirtit mbi frikën.
E quajtën Skënderbe të dytë.
Jo pse ngriti një shtet, por sepse ngriti njerëzit në këmbë.
25 vjet luftë, 23 beteja të fituara .
Si Skënderbeu, edhe Gjoleka luftoi jo vetëm me armikun përballë, por edhe me hijet e tradhtisë pas shpine.
Dhe tradhtia, ajo që historia e njeh mirë, e gjeti edhe këtë prijës. Jo në mes të betejës, por në errësirë, siç bien zakonisht burrat e mëdhenj dhe larg shtëpisë së tij.
Me vdekjen e tij nuk u shua vetëm një jetë, por u thye një shtyllë e një populli kryengritës.
Por Gjoleka nuk vdiq. Ai mbeti në këngë, është një m rrëfim, mbeti gur themeli i kujtesës sonë. Ndoshta nuk ishte Skënderbe i dytë në përmasa epoke.Por ishte Gjoleka i parë dhe kjo mjafton.
Sepse çdo kohë lind heronjtë e vet, dhe Gjoleka ishte heroi i kohës së tij, i lindur për të mos u përkulur.
3.
Historia shqiptare njeh shumë trima,por pak prej tyre kanë arritur të shndërrohen në simbol rezistence. Emri i Zenel Gjolekës është një nga ata që ngjall kureshtje, admirim dhe pyetje ende të hapura. Kush ishte në të vërtetë Gjoleka i Kuçit dhe pse kujtesa popullore e ruan si një prijës të jashtëzakonshëm të luftës kundër pushtuesit osman?
Gjoleka lidhet pazgjidhshmërisht me kryengritjen antiosmane të vitit 1847.Ku një shpërthim i madh i shpirtit kryengritës shqiptar, ku liria u kthye në kushtrim dhe arma në fjalë.
4.
Kuçi,ky fshat në zemër të maleve. Një hapësirë me tradita të thella dhe me një identitet të formuar ndër shekuj, u bë një nga vatrat e kësaj rezistence.
Në këtë mjedis, Zenel Hito Gjoleka u shfaq një luftëtar, ishte prijësi.
Beteja e Grykës së Kuçit mbetet një nga kulmet e kësaj epopeje.
Nën komandën e Gjolekës, trupat shqiptare përballuan dhe thyen forca të shumta osmane, duke i shkaktuar humbje të rënda armikut.
Thuhet se rreth 2000 ushtarë osmanë mbetën atyre hiilqve e bokërrimave.Kjo është një shifër që, pavarësisht debateve, flet për përmasat dhe për vendosmërinë e kryengritësve.
-A është e tepruar ta quajmë Gjolekën një “Skënderbe të dytë”? Studiues dhe gojëdhëna përmendin 25 vjet luftë të pandërprerë dhe 23 beteja të fituara.
Ashtu si heroi i shekullit XV, edhe Gjoleka luftoi në kushte pabarazie.Dhe i rrethuar nga armiq të jashtëm dhe nga përçarje të brendshme. Dhe, ashtu siç ndodh shpesh në historin, jo shpata e armikut, por tradhtia vulosi fundin e tij.
Vrasja e Gjolekës nuk ishte thjesht humbja e një njeriu, por shuarja e një shprese dhe e një fryme që kishte bashkuar Labërinë në emër të lirisë. Megjithatë, figura e tij mbeti gjallë në këngë, në kujtesën popullore dhe në ndërgjegjen historike, si dëshmi se edhe në shekullin XIX Shqipëria lindte prijës që nuk pranonin nënshtrimin.
Ndoshta Gjoleka nuk ishte një Skënderbe i dytë në përmasat shtetformuese, por ishte padyshim një Skënderbe i kohës së tijDhe një simbol i qëndresës, i besës dhe i refuzimit për t’u nënshtruar.
5.
Për Gjolekën, më shumë se dokumentet, kanë folur këngët. Figura e tij ka ardhur tek ne e mbështjellë me vargje, dhe me zërin e kujtesës popullore, që i këndoi këtij trimi të pashoq të Kuçit siç u këndohet vetëm burrave që i përkasin legjendës.
Këto këngë, të shpërndara në almanakë dhe botime të ndryshme gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, kanë mbajtur gjallë emrin e tij. Por jo gjithmonë të vërtetën e plotë historike.
Për një kohë të gjatë ka munguar një studim i mirëfilltë shkencor, që ta nxirrte Gjolekën nga mjegulla e mitit dhe ta vendoste në dritën e fakteve, djalin e lagjes Ivan, të birin e Hito Gjolekës dhe të Sabo Qërdukes.
Midis këngës dhe historisë ka qëndruar një boshllëk i madh.Dhe ku figura e prijësit të Labërisë është përfytyruar më shumë sesa është njohur.
Vitet e fundit, disa botime të reja, sidomos libra të shkruar nga bijat e këtij fshati martir, kanë sjellë të dhëna të reja, gati të panjohura më parë.
6.
Këto rrëfime hedhin dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij udhëheqësi popullor, i cili u vra i tradhtuar në Mal të Zi, i rënë pre e kurtheve serbo-malazeze të kohës.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim kanë dhënë edhe studiues si Dr. H. Luci, S. A, M. Kondi e të tjerë, të cilët kanë tentuar të çajnë errësirën që për dekada ka mbuluar figurën e këtij prijësi kuçiot në luftë kundër pushtimit të huaj. Në veprat e tyre shtjellohen fakte të panjohura dhe sillen të dhëna me peshë historike, të cilat më parë nuk ishin marrë në konsideratë, duke e kthyer Gjolekën nga një figurë këngësh në një figurë historie.
7.
Nga mjegulla e këngës dhe legjendës, disa të dhëna më të qëndrueshme për Zenel Gjolekën e parë na i sjell Dr. H. B. Luci, duke i dhënë figurës së prijësit një kontur më njerëzor dhe më historik.
Zenel Gjoleka, i njohur edhe si Gjon Leka, ishte biri i Hito Gjolekës dhe i Sabo Qordukes.
Ai lindi në Kuç, në lagjen Ivan, dhe viti më i besueshëm i lindjes së tij mendohet të jetë 1806.
Sipas gojëdhënave, i ati ishte artizan i punimit të drurit dhe më pas dervenxhi, rojtar i qafave të maleve, një zanat që kërkonte vigjilencë dhe guxim.
Por fati nuk i dha kohë ta rrite të birin: Zeneli mbeti jetim pa baba vetëm gjashtë muajsh. U rrit nga nëna dhe nga i afërmi i tij, Mehmet Qorri, në një mjedis ku jeta të mësonte herët të qëndroje në këmbë.
Që fëmijë, Zeneli dallohej për zgjuarsi dhe shkathtësi.
Ai mësoi shkrim e këndim në osmanisht, u stërvit në përdorimin e armëve, veçanërisht të pallës, dhe u bë mjeshtër i kalërimit.
Rruga e dijes e çoi fillimisht në Zosimea të Janinës, një nga vatrat më të rëndësishme arsimore të kohës, dhe më pas në shkollën ushtarake të Manastirit, ku u shqua si një nga oficerët më të zotë. Thuhet se ishte i pakrahasueshëm në përdorimin e pallës dhe i mahnitshëm mbi kalë një trup sportiv, i pashëm, që bashkonte forcën fizike me disiplinën ushtarake.
Por përtej dokumenteve, Gjoleka vazhdon të jetojë më fort në këngë.
Në botime të ndryshme, përfshirë edhe ato të M. Kondit, janë ruajtur vargje që e nxjerrin figurën e tij nga historia dhe e vendosin në epikë. Kënga popullore e sheh Gjolekën si një njeri që sfidon plumbin, topin dhe frikën:
Gjoleka në shur të Kuçë,
fustanin mbi gju hajdutçe.
Plumbat të binin mbi supe,
topi bam e ti po tutje…
Në këto vargje, trimi shndërrohet në figurë të paprekshme, në një prijës që ecën përpara edhe kur vdekja i rri mbi supe.
Gjolek-o mandile ziu,
katërqind pas vetiu,
kur lufton si shishanlliu…
Dhe dëshira popullore është e qartë, pothuajse sfiduese ndaj fatit:
Gjoleka mos dektë kurrë,
po për turq e për kaurrë.
Pallelare me cullufe
Fustanen mbi gju hajdutshe
Dyfekun me dyzet strufe
çe mban Gjoleka mbi supe.
Kënga e vesh Gjolekën me fustan mbi gju, me dyfekun “me dyzet strufe”, me pallë dhe cullufe, duke e kthyer në një ikonë të trimërisë shqiptare. Midis historisë së shkruar dhe këngës së kënduar, Zenel Gjoleka qëndron si një figurë kufitare. Gjysmë njeri, gjysmë legjendë. dhe ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia e tij.
8.
Kënga për kapedan Gjolekën nuk u ndal në kufijtë e Labërisë. Ajo udhëtoi, siç udhëtojnë legjendat e vërteta, nga një krahinë në tjetrën, nga mali në mal, duke gjetur strehë edhe në Kosovë. Pikërisht këtë udhëtim të këngës e ndjek me kujdes studiuesi Ahmet Qeriqi nga Kosova, i cili sjell një studim të hollësishëm, pothuajse të panjohur, për variantet kosovare të këngës së Gjolekës.Qeriqi vëren se, ndonëse figura e Zenel Gjolekës zë një vend të rëndësishëm në epikën historike shqiptare, këngët e kënduara në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të veriut kanë mbetur për një kohë të gjatë jashtë vëmendjes së botimeve zyrtare. Në vëllimin e dytë të Epikës Historike (Tiranë, 1981) janë shënuar më shumë se pesëdhjetë këngë dhe fragmente këngësh për Gjolekën dhe trimat e tij, por aty mungojnë këngët që qarkullojnë në Kosovë dhe në treva të tjera shqiptare.
Edhe më herët, në Visaret e Kombit I (Shkodër, 1937), të mbledhura dhe redaktuara nga Karl Gurakuqi dhe Atë Gjergj Fishta, janë përfshirë rreth njëzet fragmente këngësh për Zenel Gjolekën dhe kapedanët e kohës së tij.
Por edhe ky vëllim hesht për variantet veriore dhe kosovare, sikur kënga e Gjolekës të kishte njohur vetëm një drejtim rrugëtimi.
E megjithatë, kënga e Zenel Gjolekës është kënduar dhe vazhdon të këndohet edhe sot në Kosovë, e ruajtur në kujtesën e rapsodëve të moshuar, si një amanet i hershëm.Këtë këngë heroike, me ngarkesë të fortë epike, e kanë kënduar emra të njohur të rapsodisë kosovare, si Riza Bllaca, Sali dhe Feriz Krasniqi, Bajrush Doda, dhe e këndon edhe sot Augustin Ukaj, së bashku me shumë rapsodë të tjerë të Kosovës dhe më gjerë.
Varianti i kënduar nga rapsodi i ndjerë Bajrush Doda hapet me një thirrje që tingëllon si kushtrim dhe rrëfim njëkohësisht.
Gjon Leka, mor, Gjon Leka,
Gjon Leka pe flet nji fjalë,
Hej e hej, mor, Gjon Leka po e flet një fjalë.
Po na i ban, mor, po i ban, po i ban varret me vaje,
Hej e hej mor, po na i ban varret me vaje.
(Po na i len mor, po i len, po i len nanat pa djalë,
Hej e hej, mor, po na i len nanat pa djalë. (Augustin Ukaj, variant)
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka po i hyp’ dorisë
Hej e hej, mor, Gjon Leka po i hyp dorisë.
Gjan’ e gjat’, mor, gjan e gjat, gjan’ e gjat’ po shkon çarshisë,
Hej e hej mor, gjan e gjat’ ja lshon çarshisë. 1)
Shkon tuj ble mor, shkon tuj ble, shkon tuj ble barut shahisë,
Hej e hej mor, shkon tuj ble barut shahisë. 2)
Gjon Leka, mor Gjon Leka, Gjon Lekën pe tretë gajretin
Hej e hej mor, Gjon Lekën pe tretë gajretin.3)
Asht idhnu’ mor asht idhnu’, asht idhnue krejt mileti.
Hej e hej, mor, asht idhnue krejt mileti. 4)
Se po merr, mor, se po merr, se po merr haraç me veti
Hej e hej, mor, se po merr haraç me veti.
-Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku ma le atin?
-Hej e hej, mor, Gjon Leka ku ma le atin?
-Ma ka ma marrë, mor, ma marrë, ma ka vjedhë ai Leka i Gati.
-Hej e hej mor ma ka marrë ai Leka i Gati!
-Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku e le dorinë?
-Hej e hej, mor, Gjon Leka ku e le dorinë. 5)
-Ma ka marrë, mor, ma ka marrë, ma ka vjedhë, Knjazi i Cetinës,
-Hej e hej, mor, ma ka vjedhë Knjazi i Cetinës.
Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka i pari i parisë,
Hej e hej, mor, Gjon Leka i pari i parisë.
Komandant, mor, komandant, komandant i Toskënisë,
Hej e hej, mor, komandanti i Toskënisë.
Komandant mor komandant, komandant i Gegenisë,
Hej e hej, mor, komandant i Gegenisë.
(Hej e hej, mor, komandant i gjithë Shqipnisë. )
Në këtë varg të thjeshtë, por të ngarkuar me domethënie, Gjoleka nuk është më vetëm prijësi i Kuçit, por një figurë mbarëkombëtare, një zë që flet nga jugu në veri, nga Labëria në Kosovë. Kënga e tij dëshmon se heronjtë e vërtetë nuk u përkasin vetëm vendeve ku lindën, por gjithë hapësirës shqiptare që i këndon dhe i mban gjallë.
9.
Edhe letërsia e kultivuar i ka dhënë zë figurës së Gjolekës. Poezia e Andon Zako Çajupit, një nga penat më të ndjeshme të Rilindjes Kombëtare, e përmend këtë figurë jo si kronikë por si frymë epike të rrënjosur në kujtesën kombëtare. Fillimisht, kjo poezi gjendet e shënuar në historikun e fshatit Kuç.Ai ishte një dokument modest në formë, por i çmuar në përmbajtje.
Ky historik ishte shtypur në një shtypshkronjë të viteve ’70 dhe përbëhej nga një numër i madh fletësh formati A4. Ai iu shpërnda banorëve të fshatit Kuç. Në atë material, poezia e Çajupit shfaqet si një dritare letrare nga e cila historia shihet me sytë e artit.
Vargjet e Çajupit e kthejnë Grykën e Kuçit në një skenë tragjike dhe madhështore njëkohësisht. Aty, natyra dhe gjaku bashkohen në një pamje të egër, ku udhëtari ndalet dhe historia flet:
Grykë e Kuçit kush ka shkuar
dhe gjaku si ka qëndruar
udhëtari nga të vejë
mal këtej e mal andej
në mes një lumë i harbuar
vërtitet duke gulçuar…
Në këtë grykë të shkretë, sipas poetit, u vranë dymijë vetë, por emri i Gjolekës mbetet si një pritë e përhershme për armikun:
Në këtë grykë të shkretë
u vranë dymijë vetë
po Gjon Lekën nuk e dinë
ç’i pret në grykë të vijnë…
Thirrja e Gjolekës me pallë në dorë bëhet kushtrim mbarëpopullor.Apo një fjalë që ndez guximin dhe shndërron frikën në vendosmëri:
O burra shqiptarë
thirri Gjon Leka me pallë
turku kërkon të na marrë
po këtu t’u bëjmë varrë…
Dhe përgjigjja vjen si një rrufe njerëzore, ku askush nuk mbetet jashtë thirrjes së lirisë:
Kur dëgjuan këto fjalë
nuk mbeti lab pa dalë
treqind lebër qimeverdhë
te gryka e Kuçit u derdhë…
Te Çajupi, Gjoleka nuk është thjesht një personazh historik, por një zë që mbledh rreth vetes njerëzit dhe kohën. Poezia e tij nuk kërkon të masë saktësinë e shifrave, por të ngulitë në kujtesë një të vërtetë më të thellë. Gryka e Kuçit ishte një vend ku liria u mbrojt me gjak dhe me besë.
10.
Në qendër të fshatit Kuç, mes jetës së përditshme dhe hapësirës së kujtesës, qëndron busti i kapedan Gjonlekës. Nuk është thjesht një vepër guri, por një pikë ndalese për historinë.
Ky monument një vepër e realizuar me ndjeshmëri dhe forcë shprehëse nga skulptori Zeqir Alizoti. Në tiparet e bustit lexohet qëndresa.Dhe në vështrimin e ngrirë lexohet vendosmëria e atij burri që udhëhoqi me armë dhe me fjalë.
Është një figurë që nuk kërkon madhështi të tepruar, por imponon respekt në heshtje.
Përtej këtij busti, nuk ekzistonmë një vepër tjetër monumentale kushtuar Gjolekës.
Dhe ndoshta kjo mungesë flet po aq sa prania e tij. Një monument i vetëm për një jetë të tërë lufte, një kujtesë e përqendruar në një pikë të vetme, sikur të na kujtojë se heronjtë nuk kërkojnë shumë shenja, por një kujtesë të drejtë.
Busti i kapedanit në Kuç nuk është vetëm një objekt arti publik. Ai është një rojë simbolike e historisë.Si dhe një dëshmi se Gjoleka vazhdon të qëndrojë, në mes të fshatit. Aty ku fjala dhe kënga e lindën për herë të parë.
11.
Fundi i Gjolekës është shkruar me gjuhën e errët të pritave dhe të tradhtisë. L. Gërveshi, në artikullin “Lufta turko-malazeze”, sjell një nga dëshmitë më tronditëse për çastet e fundit të kapedan Gjonlekës. Në Shkallën e Kërstiqit, atje ku mali hesht dhe rruga ngushtohet, Zenel Gjoleka ra në pusi. Ishte një pritë e organizuar.Dhe një kurth i ngritur jo vetëm kundër trupit, por kundër simbolit që ai përfaqësonte.
Gjoleka e kuptoi menjëherë fatin që e priste. Ai nuk deshi që koka e tij të bëhej trofe në duart e armiqve. Prandaj, në një çast që përmbledh gjithë etikën e luftëtarit shqiptar, ai i la porosi bashkëfshatarit të tij, Shuaip Qyrdukut një porosi që tingëllon si testament epik:
Shuaip, në të kam djalë,
mos më le në ta të gjallë,
hiqëma kokën me pallë…
Nuk ishte thirrje për vdekje, por refuzim i poshtërimit. Ishte zgjedhja për të rënë si prijës, jo për t’u shfaqur si i mundur.
Me Gjolekën ranë edhe trima të tjerë të Labërisë: Gjikë Thanasi nga Qeparoi, Jani Ligori nga Çorraj, Lesko dhe Besho Mingaj nga Bolena, dhe shumë emra të tjerë që sot mbijetojnë vetëm në arkiva, në kujtime të copëzuara dhe në heshtjen e historisë. Në të njëjtat beteja mbeti edhe Hodo Nivica, një tjetër figurë e madhe e qëndresës labe. Varri i tij gjendet në Shpuzë, i rrethuar me kangjella hekuri, si një dëshmi e vonuar respekti.
Thuhet se në këto përleshje ranë dëshmorë rreth 800 luftëtarë lebër. Ata u vranë larg shtëpive, por më afër Shqipërisë sepse toka ku ranë ishte tokë e lirisë së tyre.
Dhe këtu lind pyetja që rëndon mbi ndërgjegjen tonë historike.
-Po varri i Gjolekës ku ndodhet?
-Ku prehet ky luftëtar, ky “Skënderbe i dytë” i Kuçit?
A ka një vend ku mund të ndalet kujtesa, apo Gjoleka është i dënuar të mbetet pa varr, si shumë heronj shqiptarë, të prehur vetëm në këngë, në legjendë dhe në ndërgjegjen e një populli që ende u ka borxh të vërtetën?
Ndoshta mungesa e varrit është ,një plagë e hapur e historisë sonë, që pret ende emër, shenjë dhe drejtësi.
12.
Dëshmia e Kastriot Bimos hedh një dritë tjetër mbi humbjen e varrit të Gjolekës dhe të luftëtarëve të tjerë të Labërisë. Ai shkruan se katërgjyshi i tij, Mustafa Bimo i Kaninës, kishte qenë një nga krerët e kryengritjes kundër Tanzimatit (Kaza e Vlorës), ndërsa Zenel Gjoleka udhëhiqte kryengritësit në Kaza e Delvinës. Përmes letrave të dërguara mbretit grek Otto von Ëittelsbach, Kastriot Bimo kishte marrë një ide të përafërt se ku ndodhej Gjoleka, por problem ishte gjetja e varreve të shumta islame të luftëtarëve lebër, që ishin shpërndarë dhe shkatërruar me kohë.
Ai përshkruan përpjekjet e tij personale në Mal të Zi, bashkë me A. Taren dhe të shoqëruar nga deputeti G. Nimanbegu dhe K.K. Shqipt, për të gjetur Hodo Ali Nivicën, i cili deri në vitin 1977 prehej në Shpuzë, dhe Zenel Gjolekën, luftëtarin e stërgjyshit të tij, në Shkallën e Kërstiqit. Por edhe pas gjashtë ditësh kërkimi të pandërprerë, nuk arritën të gjenin asnjërin prej tyre.
Arsyeja ishte e dhimbshme dhe sistematike.
Malazezët kishin prishur që nga viti 1974 deri në 1978 varret islame të luftëtarëve të shekullit XIX.
Një tradhti e heshtur ndaj historisë, ku toka vetë u bë barrikadë e harresës, dhe ku figura e heronjve, që kishin rënë larg shtëpive, u zhduk edhe nga shenjat e fundit fizike të kujtesës.
Kjo histori na tregon se mungesa e varrit të Gjolekës nuk është vetëm çështje gjeografike, por një plagë e hapur e kujtesës kombëtare, që ende pret emrin, vendin dhe nderimin që i takon një prej Skënderbeve të dytë të Labërisë.
Zenel Gjoleka rri gjallë në malet e Labërisë, në çdo këngë dhe çdo zemër që nuk pranon të harrojë trimërinë.