
Të vrarët në kufi
Natën ngrihen nga një ledh,
plotë me baltë e pis të zi
Nga një gropë nën bredh,
edhe marrin arrati.
Me ca zhele nëpër mish,
gjysëm tretur gjysëm zvarrë
Të jetojnë ngapak sërish
e të gjejnë kush i ka vrarë.
Dhe çdo ditë që shkon më tej,
nga një kockë humbet pastaj
Nuk ranë befas në betejë,
nuk dëgjuan klithmë e vaj
Vetëm “ndal” edhe të shtëna,
dhe ca qen që lehnin mbas
Në kufi ku tel me gjemba,
mbyste shpresat plot maraz.
Tashmë enden të pavarrë,
bëhen xhind e bëhen hije
Dhe na ndjekin si të marrë,
si mallkim prej perëndie
Të paprehur shpirtra enden,
eshtër ngrënë nga pritj’e gjatë
Pa mësuar se ku gjenden,
sillen rrotull në lëngatë.
Na shikojnë nga përtej jetës,
dhe na pyesin me dënesë
As në ferr as në parajsë,
pse na latë kështu në mes
Pse na latë pa gur me emër
pse na lidhët me zinxhirë
Kishim gjak e kishim zëmër,
donim të ishim të lirë.