Një “pajë” e veçantë

(Sqarim : kur para vargut është shenja ●, janë fjalët e mia; kur është shenja ☆, janë fjalët e bashkbisedueses ).
Një ditë në dyqan,
Vjen një plakë fisnike,
Jo vetëm për mua,
Ajo ishte mike.
●- Ç’të kthej përmbys,
Që ma gjete derën,
Edhe pse është dimër,
Më solle pranverën.
☆-Unë tani dyqanet,
Ua kam lenë të rinjve,
Ata më besuan,
Rritjen e fëmijve.
Si u pyetëm gjatë:
●- Ç’e mirë të solli ?
☆-Djali nuk mu bind,
Nusja krah i doli.
☆- Unë u kërkova,
Të më blinin “pajën”,
Kundërshtimi tyre,
Shpejt e kapi majën.
☆-Nuk të lëmë “të ikësh”,
Më thanë të dy,
Më thuaj të lutem,
Kush është me tapi ?
☆-Unë siç e sheh,
Jam bërë me tri këmbë,
Dhe në gojë qosurën,
S’kanë mbetur më dhëmbë.
☆-Unë po u gdhiva,
Nuk dihet në ngrysem,
Të nesërmen në drekë,
Për “Amerikë” nisem.
●-Unë në këtë rast,
Me të rinjtë jam,
“Pajëra” të tilla,
As kisha, as kam.
☆-Unë i gjej vetë,
Dhe tek raftet iku,
Zgjodhi dy çarçafë,
Të bardhë kambriku.
Gjeti dhe tantellë,
Në formë shiriti,
S’e harrinte dot,
Me bastun e zbriti.
Si erdhi rrotull,
Dhe këllëfin gjeti,
Me gishtin tek tëmthi,
Për pak çaste mbeti.
☆-Dhe dy metra garzë,
Mati se më duhen,
E kërkojnë takëmet,
Në sënduk do ruhen.
Ndër shumë batanie,
Zgjodhi më të mirën,
U ndje e lehtësuar,
E plotësoi dëshirën.
☆-Nuk dua mor bir,
Në siklet të vihen
Me vaj e me uthull,
Duan shumë të rrihen.
☆-Janë pa përvojë,
S’kanë parë ndonjëherë,
Kur vjen ajo ditë,
Gjithë lagjen ke në derë.
Edhe pse ja prisha,
Prap si miq u ndamë,
●-Tortën me 💯,
Unë pres që ta hamë.
☆-Unë s’bëhem më nuse,
S’do vë as kurorë,
Uromë më mirë,
Me këmbë e me dorë.