Nënës-Kujtim N. Mullai

Kështu, pra:
Gjithë jetën na shoqëron
pesha në zemër e humbjes së NËNËS!!!
Në këtë PËRKUJTIMORE po sjell
vargje të shkruara 30 vjet pas vdekjes së SAJ...
Rastësi e çuditshme:
NËNA ndërroi jetë kur po mbushte 45 vjet.
Vargjet i shkrova dy ditë para 45 - vjetorit
tim të lindjes.
N Ë N Ë S
Pa u bërë gjyshe
me nipa e mbesa,
E paarsyeshme qenka
për NËNAT vdekja.
Prandaj,
kur ato zemra i le
në moshë të re,
Na iku NËNA,
jo na vdiq,
themi ne.
Dhe i presim
me ditë,
me muaj,
me vite,
Kur kthehemi në shtëpi,
Të na dalin përpara,
të gjalla ...
Po,po!
Ja,kështu,
si po të pres edhe unë,
Të më shfaqesh,
NËNA ime:
Çdo mëngjes,
çdo drekë,
çdo darkë.
TI e di:
S'mbahet mend
që kur s'jemi ulur
në sofër bashkë.
Po pse
veç në ëndërr
më shfaqesh,
kur fle?
Pse?!?
Takimi në ëndërr
Po zgjat tridhjet vjet;
Tridhjet vjet
vetëm nëpër net,
Tridhjet vjet
që TY s'të shtuan
një rrudhë,
Kurse mua...
siç po sheh...
më bënë burrë.
Tani unë plakem,
TI mbetesh siç je,
Prandaj shqetësohesh,
Merakun ma ke...
Sa do të desha
Këto dreq thinja,
Që po më shtohen,
Veç nga sytë e TU t'i fsheh!
Që të të qetësoj,
Si KUJTIMI fëmijë,
Në prehrin tënd
të vë kokën
kërkoj...
Mbyll sytë...
ëndrrën tonë...
vazhdoj...
21 janar 2026
-----------------
Dy fotot:
* NËNA 45 vjeçe
* UNË 45 vjeç,kur shkrova vargjet