Në gjunjë para fjalës-Olimbi Dafa

NË GJUNJË PARA FJALËS

S’është zjarr, po të ngroh,
S’është akull, po të ftoh.
S’është helm, po të helmon,
S’është qen, po të kafshon!

S’është plumb, po të vret,
Nuk ka dhëmbë, po fort kërcet.
S’është pupël, po e merr era,
Pesha e fjalës s’varet nga numri,
Por nga vlera.

Fjala s’ka krahë, po fluturon,
S’është dritë, po rrezaton.
Nuk ka peshë, po rëndë peshon,
S’është pemë, po rrënjë lëshon.

Është lule me aromë,
Trëndafil që lulëzon!
S’është pus, po është e thellë,
S’është pis, por vjen erë.

As nuk duket, po shikohet,
Ndaj kujdes kur të lëshohet!
Po të iku dhe s’e pe,
Kot e mban në duar fre.

Lum kush nxjerr fjalën e bukur,
Sikur ndalet supit flutur.