Boris Miska

Filli i një kënge mbi det.
Ata u përqafuan me lot në sy dhe djali me kitarrën në dorë ngjiti shkallët për në anije. Pas pak do nisej, larg diku larg. U kthye dhe e përshëndeti edhe një herë. Nga lotot vajzës i ishte turbulluar shikimi, ngriti dorën dhe e mbajti ashtu gjatë, sikur deshte ta kapte një copë qiell si velë e t’i lutej ta ndiqte pas dashurinë e saj. Anija filloi lundrimin, ajo rrinte e m’pirë buzë bregut, dorën nuk e kishte ulur ende kur prej së largu filluan të vijnë tingujt e një kitarre. Ishte ai, i dashuri i saj, tringu i tela
ve u përzien me shkumën që linte pas anija. Ai po i linte një këngë, si fill që ajo ta gjente rrugën për të shkuar drejtë tij. Pas pak fiiloi të këndonte, ishte zëri i tij, më i bukur, dukej sikur vinte nga thellësia e një skene ujore, me perëndimin e largët. Uli dorën sikur të donte t’i mblidhte ato petale dhe heshti, ashtu si dhe valët në përplasjen e zakontë. Dëgjoi të parat fjalë, aq të ëmbla… ‘Mos u helmo se do t’iki, se zemrën time ta le, prej teje s’mund të më shqiti, veç vdekja mbi këtë dhe, syri yt i zi më ka lidhur, e sado larg që të jem, në mendje do rrosh e ndritur në zemër ty do të kem’.
Vargu pasues erdhi si lutje, më i fortë, i ëmbël, i ngrohtë si shpresa.
‘Qeshu, qeshu, mos rri sëndisur, hëëë.. sytë e tu mos lëshojnë lot zemra ime si duron dot’. Ra heshtja, në çast dallgët filluan sërish të fërkohen me brigjet, anija me djalin në kuvertë tani po fshihej si pikë larg në horizont, dielli qëndronte ende pezull, ashtu lëmsh me zjarr mbi det, sikur priste të ulte siparin e një skene që mori dhe la pas një dhimbje të madhe.
Të nesërmen i gjithë qyteti fliste për atë këngë, për dashurinë e tyre. Të rinjtë e qytetit të vogël bregdetarë filluan ta këndojnë me kitarrë, në buzë të detit, në parqet me stola, poshtë ballkoneve të vajzave që përgjonin pas saksive me lule dhe perdeve që lëkunden si fllad ndjenjash.