Fryma e Neronit-Vullnet Mato

 
(Perandor Neroni, per inat të kundërshtarëve,
dogji Romën, dhe zhyti romakët në luftë civile.)
(Nga historia.)
Sapo perëndoi dielli dhe ra nata,
fryma shkatërrimtare e Neronit,
u ngjall për tym e flakë të zjarrta,
dhe më thirri nga poshtë ballkonit:
Eja, bëjmë terrorin e mosbindjes civile,
të thonë se ne jemi, e ardhmja e lirisë,
të dridhen nga frika, si pulat prej skiles,
t’i marrim pushtetin nga duart skllavërisë!


Dil, të sulemi, rreth e qark përroit Lana,
t’i vëmë flakën kryministrisë e parlamentit,
me bomba “molotov” të thyejmë xhama,
të tundim flamurin, kur policët të djegim!


Jo, mor Neron, nuk dua të paguaj dëme,
të pakësoj pensionin, e pa bukë të ngel,
të përfundoj si ti, që bëre vrasjen e sat ëme,
për inat të kundërshtarëve, të quhem kriminel!
Unë kam në dorë, një armë pa zë e krisma,
kur të më vijë koha, aty në kutinë e fshehtë,
vras kë dua vet, qofshin deputetë a ministra,
bukurinë e vendin tim, nuk e shkatërroj e djeg!