Emi Krosi

PRENG MACA
Tema: (De)konceptimit i ëndërrës si filozofi, në poezinë e Preng Macës.
Të lexosh poezi, në tërë rutinën e përdishmërisë së rrjeteve sociale, apo tashmë ku konkurentë poetiko-letrar është dhe Chat GPT-ja, duhet të jesh i “marrë” më i marrë se vetë shkruesi. Normalisht, poezia nuk lindi sot. As dje. Është produkt shpirtëror shekullor, ndoshta shumë kohë përpara Shahname-s apo dhe “Kënga e Këngëve” apo dhe shumë përpara “Epit të Gilgameshit”. Poezia është “krijim”, me “gjuhë metaforike”, përmes formave dhe stileve por muzikaliteti, ku e dukshmja dhe e “padukshmja” ngërthehen brenda shkrimit poetik, sepse poezia ka; atë fuqi sintetike dhe magjike, së cilës ia kemi përvetësuar ekskluzivisht emrin imagjinatë– ka shkruar Coleridge, por ajo mbete gjithmonë magjike. Në këtë rrjedhë vjen dhe poezia e Preng Macë-s, një poet që përmes vargut të thukët, thotë shumë. Dukshëm, ai përdor poezi që i titullon shkurtima, ashtu si në vëllimin: “Ëndrra në varkat prej letre” (Maca: 2025), një lloj poezie ku realiteti, mendimi dhe filozofia ngërthehen saora, përmes rrëfimit, me aftësinë e poetit për të shprehur pikëpamjen e tij për botën, në kuptimin kulturo-poetik dhe socio-shoqëror.
Poezia nuk ka ndarje. Por, është ndërtuar në bazë të ndarjeve, të shoqëruara me shkrime në formë: parateksti. Termi paratekst, u prezantua për herë të parë nga Genette, dhe u referohet llojeve të ndryshme të informacioneve që shoqërojnë një tekst, të cilat janë “si brenda [tekstit] dhe jashtë tij, që ndërmjetësojnë [tekstin] për lexuesin: tituj dhe nëntituj, parathënie […]dhe pasthënie (Dixon: 2015: 33). Paratekste ose tekste të shkrurta sa një strofë ka shkruar dhe poetja elbasanlie Iliriana Sulkuqi dhe bashkëqytetari i saj, Ethem Haxhiademi. Por, në këtë studim të shkurtër, përmes ndarjes time (e. k), do të kuptojmë më mirë stukturën e këtij tekstit poetik.

- Pjesa e parë: (botë e ashpër/botë vrastare, e egër/e padrejtë, mashtruese/ e pafytyrë e pa
zemër, e pa shpirt/më sëmure, më bëre… me zemër!/I lodhur, i dëshpëruar prej teje/nxitoj, arratisem në një …ëndërr). Në teks është skruar me shkronja të mëdha, si një mesayh se vetë poezia bashkë me poetin arratisen në ëndërrat. Fjala; [ëndërr, del 8 (tetë herë)], përmes vargut: nxitoj, arratisem në një…ëndërr!, një thënie, ku ëndërra na shpëton prej realitetit. Kështu, në botën e ëndrrave, ne marrim ato gjëra që mohohen në botë të realitetit, kjo është mënyra e sugjeruar nga këto pasazhe. Ndonjëherë këto dëshira, janë të fshehura edhe nga vetja jonë. Ne nuk i njohim ato sipas dëshirave tona të vërteta; por marrim një përmbushje fantastike të ëndrrave tona. Por në fund, çdo ëndërr frymëzohet dhe plotëson ndonjë dëshirë të fshehtë të shpirti. Ëndrrat reale, mund të rrëfehen lehtësisht duke u shtuar dëshirat, që nuk mund të analizohen, ashtu siç ëndërrat nuk shpjegohen. Ata, thjesht mund të “zëvendësohen” me stereotipet e kuptimeve, si simbole të ëndrrave në “librat e vjetër të ëndrrave. ” Edhe pse parimet e përgjithshme të interpretimit nuk zbatohen, ato janë sa kanonike aq edhe hipotetike, që në praktikë ndryshon vazhdimisht me përvojat, mendimet dhe qasjet e secilit individ (Prescott:1912:10). Ne mund ta dimë se çfarë lloji konotacioni është parësore për poetin, që duhet të ketë qenë e nënkuptuar në të dytën, ëndërrat të përdorura si kondensim mes të shkuarës dhe të tashmes, në vargun: vonë më merr gjumi./zgjohem i tmerruar, ëndrrat më çmendin!, por dhe vetë titulli: “Ëndrra në varkat prej letre” dhe vargu: gjithandej rrethohem nga ëndrra. Ndoshta vetë nënkuptimi i ëndërrës, si libido e psikoanalizës froidiane, nuk e fsheh edhe kënaqësinë e “leximit froidian” se vetë procesi shkrimor është dhe kalimi nga pavetëdija në vetëdije, si një proces sublimimi (Halili: 2022:43), duke na dhënë dhe zhvendosjen e ëndërrës si proces e instiktit të dëshirave dhe pavedijes. Nëse dëshirat tona janë të (pa)plotësuara, dhe poezia, ashtu si ëndrrat tona/tuaja, bëhen profetike. Ëndrrat, sipas Frojdit, nuk janë përjashtim, por të frymëzuara nga dëshirat e pavetëdijshme. Poezia flet të njëjtën gjuhë si ëndrra. Nëse ka një ndryshim midis të dyjave, ai bëhet i dukshëm vetëm në aq sa poezia kufizohet në fjalë, ndërsa ëndrra është shumëplanëshe. Si ëndrra ashtu edhe fjala e folur janë mjete komunikimi. Fusha psikike dhe fizike bashkohen në interpretimin si të ëndrrës ashtu edhe të poezisë (Forrer : 2015:72), bëhet e qartë se poezia është e ndjeshme ndaj interpretimit të ëndrrave, që janë në të njëjtën shkallë. Këtu koha nuk merr parasysh asgjënë. Në sferën e të pandërgjegjshmes gjithçka është një, që reflektohet në kompaktësinë e ëndrrave dhe miteve që rrjedhin prej saj. Rastësia është e pamundur. Paralelet janë shumë të shumta dhe shumë të afërta.
- Pjesa e dytë: (në tunelin e errët e të pafund/ me një pasqyrë të vogël/dërgova diellin e
madh!/Luajta e luajta me të/derisa dielli im/derisa dielli im/perëndoi ngadalë/ ngadalë!), një poezi e shkruar nga poeti në amshim Mehdi Dashi. Vetë cikli është me pesë poezi kushtuar poetit përmes vargjeve: dhimbjet e tua pushuan, ndërsa ngjitesh në qiell!, apo vargjet: ah vdekja është e të gjithëve!/vdekja nuk më tremb, f. 63. A është, pra çështja e kësaj qasjeje ndaj vdekjes së realizuar nën mbulesën e shkrimit? Teksti nuk e thotë saktësisht atë. Ndoshta tregon një intimitet midis vdekjes së palumtur që ndodh në vepër, për të gjetur pakënaqësinë supreme ose atë që quhet e “pandërprera dhe e pafundmja” (Blanchot: 1982), por edhe gjetjen e negativitetit ekstrem: vdekja si mundësi, që projekton kohën dhe masën absolutisht negative, kur autori aludon për një konceptim të vdekjes në përgjithësi, si në rastin e mikut të poetit. Nuk është estetizimi i vdekjes poetike, por i asaj të vërtetës, që poetët mbesin të “përjetshëm” dhe pas vdekjes.
- Pjesa e tretë: (kur jam i dashurruar/jeta më ngjan si një përrallë/ brenda saj ndihen i
pushtuar/nuk them dot asnjë fjalë./Pas pak, jeta e përdisthme/ma prishi magjiken gjendje/ pastaj jam si një i marrë/që ia kanë “vjedhur” ëndërrën) përsëri ëndërrat përmes ëndërrave në vargjet: sa më duket,/se kam parë një ëndërr!, f. 75, ku elementi ëndërr është pjesë e tekstit. Nëse nuk pranojmë, se një vepër arti është bashkëkohore në kohën e vet dhe se është bashkokohore në kohën tonë, nuk janë fakte kundërshtore por plotësuese. Se leximi i teksteve të tilla është rikrijim identiteti (Holland: 1968), ku shfaqja dhe matja e koherencës semantike me koncepte të njohura të estetikës, quhet si një “distancim estetik” dhe në “kuadrin i formës”, lexuesi është “pikë referimi” për tekstin.
- Pjesa e katërt: (sa më shumë e njoh botën/dritarja nga e shoh,/bëhet çdo ditë e më e
vogël!), dominon ekzistencializmi/absurdi/kotësia etj. Vargjet: pastaj vjen boshatisja e pakthyeshme/ku rrallë fort rrallë mbetet shenja e asaj çfarë përcakton qenien, nga poezia: “Përçartje”, na ndihmon në krijimin e kulturës reale, për të rindërtuar një rrëfim të së kaluarës, përme spërfytyrimit por dhe vëmendjes së “gjithësisë” që i kushton realitetit. Kufiri midis njohjes dhe të kuptuarit, qenie dhe mosqenies, apo mes të vërtetës dhe të pavërtetës lidhet me ritmin dhe modalitetin e depërtimit të thellë në shpirtin e brendshëm sesa çdo gjë tjetër (Platoni: 2000 :22). Ai univers poetik, që edhe nën këndvështrimin dhe trysninë e një poezie, shpeshherë është aq “vizionare”, na sugjeron sesi poeti/poetia, po e vëzhgon botën në mënyrë të qëndrueshme, nëse për momentin, përtej (mimesisit/imitimit), modaliteti është i pashmangshëm, mes së dukshmes “si mendim”, se përngjasmimi është “pjesë e jetës” (Costello: 2003), na sugjeron, dukshëm në propocion me lirikën individuale më në thellësi të vetëvetes, përmes vargut: ku rrallë fort rrallë mbetet shenja e asaj çfarë përcakton qenien, f.99, me fjalë të tjera, është të lejosh poezinë të udhëheqë mendimin tonë në një hapje të mendimit ku metodat e saj të zbulesës bëhen të arritshme për ne.
- Pjesa e pestë:(shkurtima), me vargjet: e vogël bota/lehtë mund ta takosh atë që nuk do!/e
madhe bota,/ti nuk mund ta takosh, atë që do!, f.126.
- Pjesa e gjashtë: (thënie të mbledhura, duke dëgjuar), vargjet: miku, që të vjen në shtëpi,/
është në bukën tënde,/por ha bukën e vet. Preng Maca, ka sjellë fjalë, thënie, shprehje frazeologjike shqipe, si një pasuri e retorikës poetike, që përçon tek lexuesit, pasurinë e vendlindjes (Mirditës), pasi këto njësi, fjalë të urta/proverba/urime etj., gjejnë hapësirat e veta edhe në letërsinë artistike me termin e përgjithshëm frazeologji (Bally: 1909/1951: 58 ), por që autori i ka përdorur si pasuri e shtuar e ligjërimit poetik. Çfarë janënjësitë frazeologjike? (Termi frazeologji vjen nga greqishtja phrasis [(shprehje, njësi e ligjërimit)] dhe logos [(dije, dituri, fjalë)].
- Pjesa e shtatë: (mendime dhe përqasje rreth poezisë), përmes thënies:liria, është
motiv i poezisë/…./spontaniteti, është motori i poezisë. Në aspektin individual në lidhje me lexuesit, poetët ndërtojnë ironinë e fatit dhe kohës, se koha reale dhe hapsira (e brendshme) e lëvizjeve, jo vetëm janë një kombinim planesh, që zëvendësojnë njëri-tjetrin, që lindin tragjizëm, revoltë dhe satirë, si porfeci tronditëse e absurdit të kohës, madje vetëveprimi dhe depërtim në botën e brendshme (Dado: 2006).
- Stilistika poetike: (poezia e Macës normalisht ka figura letrare. Poezia e tij ka njësi
metaforike, por dhe figura të tjera stilistike. Kujdesi për vargun e thukët dhe fjalën e bukur shqipe, larg dialekteve apo të “folmes së vendit”, e kuptimëson dhe larmërinë e fjalëformimeve):
- Fjalëformimi: njëqind/padrejtë/ pafytyrë/pabesë/marrëdhënies/mosqenies/ vetëdija/
njëqind/ përkryer/ padërguar/ kukafshehtas/pathëna/ padhuruara /Krishtlindjeve/ përqafimet/ pashkruara/ rigjetur/ keqkuptimet/ borëbadha/ kësulkuqja/ patreguara/ paharrueshme/ pabarabartë/ pesëmbëdhjetë/ fjalëpakë/ hekurudhe/ qindravjeçare/ vendlindja/ përbrenda/ symbyllur/ njëqindvjeçar/ përkulja/ armëpushimi/supërfuqitë/ përnjëmend/ ndërkaq/paprerë/ domosdoshme/ keqkuptimit/ përbuzur/ zemërtrime/ përbuzur/ brendapërfshira/ përsipër/përjetshëm/ zanafille/ pikëpyetjeve/ përbrenda/ përqasje/ sapongjyer/ paramenduar/përcjellja/përkund/ pavetëdije/ fundvjeshtë/ përflaku/ fatnemura/ kokëfortë/
thashethemesh / zemërplasur/ shtojzovalle/ mezidukshme/ shtatëdhjetë/përçartje/
çudibërës/ stërmadhe/ antiheroikisht/ mirëserdhe/ dhembështrënguar/ shkurtima/ pakthyeshmëri/ pakthyeshmëri/ vetëvrasjes/ pasaporta.

së fundmi: poezia e P. Macës të josh. Është poezia sa reale aq dhe moderne, sa filozofike aq dhe post/moderne, sepse janë ngjizur elemente të mitologjisë biblike por dhe asaj mitologjike, duke na kumtuar një realitet ku e bukura shkërmoqet nga surrelja/absurdi/neveria e një shoqërie të zvetënuar, të pamoralshme, pa vlera, ku njerëzorja ka humbur njeriun. Por, poezia e shpëton poetin përmes ëndërrave duke ikur larg…larg…larg!
BIBLIOGRAFIA:
- Bally, Charles. (1909/1951): Traité de stylistique française. Seconde édition. Paris: Klincksieck.
- Blanchot, Maurice: (1982), The Space of Literature, University of Nebraska Press Lincoln, London.
- Costello, Bonnie. (2003): Shifting Ground: Reinventing Landscape in Modern American Poerty. Cambridge, Mass.: Harvard University Press.
- Dado, Floresha: (2006): Intuitë dhe vetëdije kritike, “Onufri”,Tiranë
- Dixon, P. (2015): Extratextual effects on the evaluation of narrative texts. Poetics: 48. http://liltsig.org/wp-content/uploads/2018/08/lilt-7_1_Cui_and_Swider.pdf
- Forrer, Kurt. (2015): Poetry and the language of dreams. Maldon Victoria, Australia. International Journal of Dream Research, Volume 8, No. 1: file:///C:/Users/user/Downloads/16836-Article%20Text-52016-1-10-20150513.pdf
- Halili, Iris. (2022): Letërsia mbi psikoanalizën e Freud-it dhe dilemat ekszistenciale, “Univers”, Tiranë.
- Holland, Norman: (1968): The dynamic of Literary, Response, Oxford.
- Maca, Preng. (2025): Ëndrra në varkat prej letre, “Geer”, Tiranë.
- Plato. (2000). The Republic. (T. Griffith, Trans. & G.R.F. Ferrari, Ed.). Cambridge University Press.
- Prescott, Clarke Frederick. (1912): Poetry and dreams. Boston Mas, USA: file:///C:/Users/user/Downloads/PoetryandDreams_10161333.pdf