Një qasje e shkurtër rreth poezisë “Pensionisti” të Migel Flor-Emi Krosi

Emi Krosi

Një qasje e shkurtër rreth poezisë “Pensionisti” të Migel Flor. 

Pensionisti 

E theu më dysh
akullin e shkurtit,
me këmbë, që mbajnë
peshën e jetës
këpuca e rëndë,
bastuni që dridhet,
Muzikë e thyer nën brinjët
e heshtjes.

Pensionisti me ciflën
e bardhë në sy,
me rudha të gjalla
të një kohe pa zë,
ngadalë ecën,
se rruga nuk fal,
si vitet që rrëshqasin
pa u ndjerë në të.

Në xhep i tringëllijnë
ca të holla të ftohta,
sa për një kafe të vogel,
të hënën e zbehtë,
në shpirt i kërcet një uri tjetër,
që s’e shuan një gotë raki,
as një"ekspres"

I menduar shkel akullin si fatin,
jetim i gëzimeve,
rrotull i ngrirë,
lotin e ka mbërthyer në cepat e syrit,
dyshuar mes burrërisë
dhe thirrjes për mëshirë.

Dikur rriti fëmijë me duar të çara,
tani në një kafe lexon
artikuj bastuni i zi,
i veshur me ar e flori,
është kurora e fundit
e një mbreti pa tituj.

Në zemren e tij
një mall s’ka adresë,
në xhep tingull monedhash pa zë,
Pa fat ky njeri që u mundua
tërë jeten
me dinjitet loton mbi skica
që shkruhen për të.

Një poete që e kam lexuar tani vonë. Dikush më foli për të.  E pamundur të rrok çdo shkrues, qoftë poet /shkrimtar /historian/ publicist etj. Por, në vargjet e saj ka tematika sociale të mprehta, saqë vetë koha i “përjashton” nga harresa. Këto vargje, të shkruara për pensionistat dhe pse e gjatë, është e gjithë historia e një njeriu, që tashmë është në pension. Jeta e tij është e pavlerë. Jeta e tij ka mbaruar. Jeta e tij, ka kaluar në kalvarin e jetës plot mund, në përkushtim; a) të jetës, b) familjes, c) shoqërisë, d) komunitetit. 

Në misionin e saj/tij çdo artist, nuk mund të mos jetë pjesë e asaj armate të braktisurish (fenomen mbarëbotëror), të moshë së tretë në azile apo të vetmuar, ashtu si në fshatrat e Shqipërisë, pasi fëmijët e tyre fati i çoj nëpër rrugët e emigrimit dhe Europës. Ka, plot fatlumë gjyshër (që shohin nipërit të rriten duke shijuar dashurinë e tyre), që jetojnë me dinjitet me femijet dhe nipërit dhe mbesat, këtu ose në emigracion. Por, shumë prej tyre madje dhe emra të njohur të artit /politikës/ kinemasë/shkencës etj., që kanë përfunduar në vetmi të plotë, apo akoma më keq, janë gjetur të vdekur nëpër apartamente, azile, rrugë etj.

Qasja përmes elementeve qenësore reale, duke përshkruar, madje atë që ato nuk kanë nevojë për para dhe “kurorë”, por vetëm për pak dashuri, empati dhe respekt, pasi tashmë e kanë kryer detyrën e tyre atërore. Ata, janë aq të brishtë, si një fëmijë. Aq të ndjeshëm si një filiz i hollë bari. Aq të dinjtetshëm si një kala prej guri. Aq të pasigurtë, si një anije në detin e trazuar. Por, ata qeshin edhe kur duart dhe këmbët u dridhen nga harresa dhe mosha. Ata, lumturohen kur ua mban dorën, kur i përqafon me mall, kur u afron dashuri dhe ngrohtësi, kur dëgjon zërin e shpirtt dhe mendjen e aryes së tyre, të lodhur por jo të “vrarë”. Ata, janë aty në portë duke pritur fëmijët. Ata, janë aty duke gatuar vaktet të ngrohta. Ata, janë aty duke përqafuar fotot e të larguarve. Ata, janë aty në kujtimet e zhurmat e fëmijëve të tyre. Ata, janë aty në çdo ditë dhemshurisht dhe dashurisht, jo për mëshirë por vetëm për dashurinë që dhanë pa kushte. Ata, nuk kërkojnë ta marrin mbrapsht, por vetëm duan të jetojnë në paqe dhe dinjitetshëm. Ata, janë udhëheqësit tanë, që na dhanë dorën kur u rrëzuam. Na mësuan të mos gabojmë, kur gabuam. Na treguan rrugën e dritës kur jeta na la në errësirë. Tani, ata duan nga ne, të jemi drita, udha, dora dhe këmba, mendja dhe fjala e tyre. Ata janë NE. NE, nesër do jemi ATA!