
Erdh’ Doruntina!
Pa zhurmë…
Në çantë kishte
një letërnjoftim të huaj.
Kurse në zemër,
një mall që s’ shuhej
mbi asnjë qytet.
Kostandini nuk i duhej.
Besën e mbante vetë,
si fije të kërmëztë
nën lëkurë.
Zbriti në tokën e saj.
Sikur të shqiptonte për herë të parë
emrin e vet.
Shtëpitë i shëmbëllyen
më të trishta,
rrugët më të zgjatura.
Dhe malli… një det i thellë,
pa brigje.
Preku pragun atëror.
Ai u drodh.
E njohu sakaq,
ritualin e hapave.
Doruntinat e legjendës
kthehen gjithmonë,
si frymë që atdheun e bartin,
të ngulitur deri në palcë.