Eduard Demo



#Trashëgimia në doke dhe zakone, pasuri e gjithë kombeve.
Masakra ndodhur në dimrin e vitit 1944 në 10 Shkurt nga ushtria Gjermane në fshatin Vranisht të Lumit të Vlorës është një ngjarje e cila përveçse terrorit nazist të kryer tregon se edhe ndaj ftohtësisë së mermertë të Oficerit të ushtrisë Gjermane vlera morale e lartë, virtyti e shkrin atë. E pikërisht në mes të një dhune terrori një akt i thjeshtë vaji u tregon njerëzoren pushtuesve. E trondit dhe e detyron të dëgjojë me vëmendje se si një Nënë e huaj ashtu si vajton birin e saj vrarë nga urdhri i tij, qan e vajton edhe një bir nëne tjetër vrarë po nga të vetët, djemtë bashkëfshatarë të saj në pranpragun e shtëpisë. Dhimbja e Nënës shprehur në vajet dhe kujet e saj janë aq të ndjera, aq të pastra ku i drejtohen Zotit të Madh lart në Qiell për atë çka po ndodh pa kërkuar asnjë shpjegim, bënë që të ndaloj luftën.
Vajtimi i nënës vranishtiote për ushtarin gjerman sjell një moment të rrallë humanizmi, që e bën këtë ngjarje edhe më tronditëse e më fisnike nga ana shpirtërore. Ky vajtim i ruajtur në kujtesën gojore të krahinës së Lumit të Vlorës nuk është një detaj sentimental i historisë. Është një akt moral një dëshmi se tradita shqiptare edhe në kulmin e dhimbjes di të vendosë kufij ndaj urrejtjes.
Sipas traditës gojore të zonës nëna vranishtiote, e cila kishte humbur djemtë ose kishte parë fshatin e saj në flakë, iu afrua trupit të armikut të vrarë dhe ia nisi vajtimit, sipas zakonit të lashtë lab, jo si armik, por si bir i nënës. Vajtim nuk ishte akt politik por ishte akt njerëzor dhe kulturor. Në kulturën tonë të Labërisë i vdekuri vajtohet, sepse vdekja i barazon të gjithë. Nëna nuk qau pushtuesin, por qau një djalë të humbur, një jetë të shuar larg nënës së vet, tragjedinë e luftës që vret bijtë e nënave, në të dy anët. Ky akt është si kulm i etikës tradicionale shqiptare, dëshmi se urtësia popullore është më e thellë se urrejtja e luftës. Ai tregon fisnikërinë morale të njeriut shqiptar, me traditën e vajtimit, një ritual i lashtë Ilir e shndërron dhimbjen në akt kujtese dhe ndërgjegjeje.
Nuk është rastësi që kjo ngjarje ka mbetur më shumë si rrëfim se sa si dokument, sepse disa të vërteta ruhen më fort në këngë e në vaj. Vajtimi i ushtarit gjerman të vrarë nuk është një devijim emocional, por një akt i kodifikuar kulturor, i rrënjosur thellë në traditën shpirtërore të Labërisë dhe të botës shqiptare. Në këtë akt, tradita triumfon mbi luftën. Vajtimi nuk njeh armik,ai nuk bëhet për palën, nuk bëhet për flamurin, nuk bëhet për fitoren,ai bëhet për të vdekurin si njeri. Në momentin e vajtimit, ushtari gjerman nuk është më pushtues, nuk është më armik, nuk është më simbol i dhunës. Ai është bir i një nëne tjetër, i larguar nga toka e vet dhe i mbetur pa vaj. Kjo e shndërron vajtimin në një gjykatë morale ku lufta humbet dhe njeriu fitoi.
Nëna vranishtiote nuk vepron si individ, por si një njeri me ndjenja të thella. Ajo përfaqëson nënën shqiptare por njëkohësisht nënën njerëzore universale. Duke vajtuar birin e armikut, ajo nuk e fal krimin, nuk e justifikon pushtimin por refuzon çnjerëzimin, që është forma më e lartë e dhunës së luftës.
Kanuni, zakoni dhe e drejta zakonore shqiptare kanë një parim të heshtur, i vdekuri ka të drejtë për nderim. Edhe kur gjaku është i nxehtë, vdekja vendos pushim.
Vajtimi i nënës vranishtiote është zbatim i këtij ligji të pashkruar, një akt mbi hakmarrjen, një formë paqjeje simbolike, pa marrëveshje e pa fjalë.
Paradoksi i madh është ku ushtria gjermane përdor terrorin për të poshtëruar, fshati përgjigjet me dinjitet kulturor. Nëna që vajton armikun nuk dorëzohet, nuk përkulet, nuk harron të vetët, por i tregon pushtuesit se shpirti i këtij vendi nuk pushtohet. Kjo është rezistenca pa armë, por me vlera dhe virtyte.
Rast i Vranishtit të Lumit të Vlorës e nxjerr traditën shqiptare nga folklori dhe e vendos në etikën universale njerëzore. Flet për dinjitetin në dhimbje, mëshirën pa naivitet, humanizmin pa harresë. Në këtë kuptim, vajtimi nuk është vetëm këngë dhimbjeje, por dëshmi qytetërimi.
Në Vranisht të Lumit të Vlorës, më 10 shkurt 1944, lufta mori jetë, por tradita shqiptare shpëtoi njeriun.
Eduard Demo.
Referencat :
1.- Albert Habazaj – Gazetata Telegraf ; 12.03. 2919.
2.- Arben Saliu – Gazeta Telegraf ; 28.12.2025.
3.- Bardhosh Mici – Bota Sot ; 21.12.2014.
4.- Duro Mustafaj – Gazeta Telegraf ; 05.12.2014.
5.- Hajro Limaj – Zemrashqiptare ; 20.07.2012.
6.- Marenglen Kasmi – Gazeta Dita ; 24.11.2024.
7.- Pajtim Xhelo – Gazeta Telegraf ; 05.12.2014.
8.- Forum.al – “E vërteta për masakrën e Vranishtit.” ; 27.05.2015.