Zëri poetik i një Zemre Çame- Teuta Sadiku

Teuta Sadiku

Në poetikën  e Migel Florit rrëfimi emocional ndërton  një sistem kujtese që punon si kulturë, si egzistencë dhe si traumë. Zëri poetik shfaqet si një “unë” ,kalon në “ne “, që kërkon  një vetëdije ,një trashëgimi etnike, familjare, gjuhësore dhe historike.  Subjekti poetik  vendoset në një hapësirë ku identiteti  është një gjak që rri zgjuar, një kujtesë që e mban njeriun në tension mes dritës dhe humbjes.

Në poezinë “Zemër Çame!”, bazë është  një figurë themelore e antropologjisë së kujtesës: kujtesa si materie biologjike. Vargu “Rri zgjuar në gjakun tim një erë e vjetër” e shndërron kujtesën nga akt mendor në prani, gjendje, egzistencë. Kjo është një zgjedhje e vetëdijshme poetike dhe  në  këtë mënyrë, poezia ndërton  kujtesë të  mishëruar dhe poezia  bëhet dokument historik ku dëshmon me  aromë, me tingull, me zakone.

Në  tri poezitë e marra për këndvështrim subjekti poetik përdor një instrument të fuqishëm të poetikës moderne: distancën shpirtërore.Kjo distancë është një teknikë e kontrollit estetik, ku dhimbja nuk derdhet në mënyrë sentimentale, por strukturon figurën, ritmin, dhe këndvështrimin. Subjekti poetik qëndron në një pozicion të dyfishtë: brenda plagës dhe jashtë saj. Pikërisht kjo e bën tekstin të besueshëm dhe të fortë.

Migen Flori shkruan  poezi për nënën, për fëmijërinë, për zemrën dhe gjakun çam ,për gjuhën identitetin kulturën dhe historinë.  Në këtë kuptim, Migel Flor i afrohet asaj që mund ta quajmë antropologji poetike: një poezi që studion zakonet, ligjërimin, ritualin e heshtjes, normën patriarkale, si dhe mënyrën si njeriu e trashëgon prejardhjen, rrënjët.

 Poezia” Zemër çame “ hapet me një metaforë të dyfishtë: era e vjetër dhe kënga që s’u shua..

“Rri zgjuar në gjakun tim një erë e vjetër,
si këngë që s’u shua kurrë në shkëmb;”

Metafora “këngë në shkëmb”  kënga është e përkohshme, shkëmbi është i përjetshëm. Këtu Migel Flor e vendos identitetin çam si një kujtesë  e gdhendur. Kjo e zhvendos poezinë nga lirika intime në lirizëm historik, ku subjekti poetik  flet   për një komunitet të tërë,për çamërinë.

Figura e nënës (apo gjyshes)  ndërtohet si bartëse kulture:

“Ti zbrite nuse me një palë tumane,
me sherbet në duar e sy si dritë;”

Identiteti  çam shfaqet në veshje, në gjeste dhe në shije. Tumanet, sherbeti, syri si dritë  ,janë elemente që nuk janë vetëm dekor, ato janë shenja të një etnografie .

“si petku i bakllavasë me gjashtëdhjetë shtigje dritë.”

Kjo është metaforë e përzgjedhur, sepse merren figura nga kultura,tradita ,  bakllavaja e  vendos imagjinatën në një territor kulturor. Kjo është mënyrë e sofistikuar për të thënë se identiteti është zakon, traditë , është i  trashëguar.

Në pjesën e dytë, poezia zhvendoset nga etnografia në traumë. Dhe këtu ndodh një kthesë e rëndësishme: dhimbja nuk bëhet melodramë. Ajo tregohet përmes një thyerjeje të jetës:

“Por jeta të theu në mes të rrugës,
të veshi zi e t’ë preu çdo shpresë;”

Ky është minimalizëm i kontrolluar: “të theu”, “të veshi”, “të preu”. Foljet janë të shkurtra, të forta, gati ligjore. Ky është momenti ku distanca shpirtërore punon me këngët e mirologjit, me këngët e vajit.

Kulmi filozofik i poezisë vjen në fund, ku kujtesa personale prishet (amnezia), por kujtesa biologjike mbetet:

“zemër çame, ti e di..kujtesa tretet,
por gjaku yt brenda meje nuk tretet kurrë në dritë.”

Këtu kemi një paradoks të pastër: kujtesa tretet, gjaku nuk tretet. Pra, poezia shpall se identiteti është histori e treguar dhe  histori e trashëguar. Ky është një koncept i fuqishëm edhe në filozofinë e subjektit: unë nuk jam vetëm çfarë kujtoj, por edhe çfarë jam, egzistoj në traditë , kulturë dhe histori.

Në poezinë “Trashëgimnia e drurit “Migel Flori e ndryshon menjëherë regjistrin: nga lirika e kujtesës në një poezi me strukturë pothuaj epigramatike, ku ritmi është i prerë, dhe vargjet funksionojnë si prova.

“E rrahu i jati të birin,
se ‘kështu bëhet njeri’;”

Kjo është një nga formulat më të rënda antropologjikisht: “kështu bëhet njeri”. Pra, dhuna shfaqet si rit inicimi. Në kulturat patriarkale, shpesh burrëria nuk ndërtohet me edukim, por me frikë.

Poezia  dënon dhunën , si atë fizike dhe atë leksike ,  punon me përsëritjen si teknikë: “E rrahu…” “E rrahu…” “E rrahu…”. Kjo përsëritje nuk është vetëm stil; është strukturë mendore e dhunës: ajo riprodhohet duke u bërë zakon.

Në vargjet e mesit, dhuna kalon nga trupi te fjala:

“E rrahu i biri të birin,
gruan me fjalë e nxiu prapë:”

Ky është një detaj i rëndësishëm kritik: autori nuk e kufizon dhunën  jep dhe dhunën leksike ,dhunën   e zgjeron te gjuha. Kjo e bën poezinë bashkëkohore: sepse dhuna moderne shpesh është simbolike, psikologjike, diskursive.

Ndërsa kulmi ironik është:

“Dikur ma nxive fytyrën,
tani ligji jam unë vetë, o burrë.”

Ky është një varg filozofik për pushtetin: dhuna e prodhon vetë autoritetin. Kush e ka shkopin, e quan veten ligj. Këtu Migel Flor prek një ide themelore: kur ligji nuk është institucion, por forcë, atëherë familja bëhet shtet i vogël, dhe dhuna bëhet kusht i rendit.

Mbyllja është një sentencë e kthjellët:

“kujdes si rritet dhuna,
se dardha bie po në atë shtrat.”

Këtu autori bën një gjë të zgjuar: e përdor proverbin popullor si mekanizëm kritik. Proverbi nuk është “urtësi”, por provë e kulturës. Dhe pikërisht këtu distanca shpirtërore është e fortë: poezia nuk bërtet, por i lë kulturës të flasë me fjalët e veta dhe të vetëakuzohet. Distanca shpirtërore   jepet përmes strukturës së përsëritjes ku autorja nuk hyn në psikanalizë ajo ndërton një cikël. Përsëritja krijon ftohtësi të qëllimshme dhe e bën dhunën të duket si mekanizëm shoqëror,të cilën ajo e kritikon ashpër.

Në poezinë “Fëmijëria ime “ Migel Flor kalon në një lirikë më të brendshme, por edhe më moderne në strukturë. Kjo poezi rrëfen se  fëmijëria nuk është tregim, por gjurmë që mbetet në trup e në shpirt.

“Fëmijëria ime,
gjunjëve të mia u la plagët e mallit,
hundës erën e rigonit,
gjoksit aromën e Mullezit…”

Kjo është teknikë poetike e quajtur shpesh “inventar sensorial”. Poetja ndërton identitetin me shqisa. Në këtë mënyrë, poezia bëhet antropologji: sepse kultura ruhet në aromë, në bimë, në ritualin e zakoneve, aromave , ndjesive .

“shpirtit frikën e gjarprit
që zgjodhi dhéun,”

Gjarpri këtu  është  figurë arketipale e frikës së hershme, e lidhur me tokën, me dhéun

Pjesa e dytë e poezisë e sjell subjektin në të tashmen, ku “unë” identifikohet si “bija jote”:

“Unë, bija jote,
në asfaltin e të ‘ligut’ mëngjeseve vrapoj,”

Këtu ndodh një tjetër akt i distancës shpirtërore autorja vendos një thonjëz te fjala “lig”. Pra, nuk është vetëm mëngjes “i lig”, por një koncept social i ligësisë, i jetës moderne, i shpejtësisë, i rraskapitjes.

Kontrasti trupor është i saktë:

“ato këmbë që dikur m’i shpuan gjembat e murrizit,
e tani xhadet e botës m’i plaki.”

Një këndvështrim miqësor për autoren Migel Flori.

Te “Zemër Çame!” kemi një fillim shumë lirik dhe simbolik, pastaj një segment më realist (zi, djalin, uria e dhimbjes), pastaj fund filozofik me amnezinë.

Këto janë të gjitha të vlefshme, por kalimet nganjëherë janë të shpejta dhe jo gjithmonë të përpunuara.

Ku duhet të punojë poetja:
të ndërtojë më shumë “ura” brenda tekstit , jo vetëm tema, por edhe ritëm, figurë, lidhje.

Migel Flor ka , ka temë, ka ndjeshmëri kulturore dhe ka një intuitë të mirë për figurën. Por poezia e saj do të rritej shumë nëse:

  1. do të hiqte klishetë
  2. do të shkurtonte vargjet shpjeguese
  3. do të punonte me strukturën dhe ritmin
  4. do të guxonte më shumë me metafora të reja
  5. do ta kthente tekstin nga “rrëfim” në “formë”

Migel Flor ka penë të fortë kur është poete e imazhit kulturor (bakllavaja, tumanet, rigoni, mullezi), dhe më e dobët kur bie në fjalë të gatshme që e shpjegojnë dhimbjen në vend që ta lënë të punojë estetikisht.

Migel Flor  e kërkon të bukurën  si mënyrë për të mbajtur peshën e së vërtetës.  Poezia e saj rrëfen pamje  nga realiteti, dëshmi nga historia  dhe gjithçka e sheh me dritë, me plagë, me kujtesë dhe shpresë.

Dhe  kjo është forca më e madhe e këtij zëri: fakti që, edhe kur kujtesa të  tretet, poezia mbetet dëshmi e gjallë.