Letra si kumt a shenjë e mesazhit epistolar-Emi Krosi

Të dashur miq të mij dhe miq të librit!

Ju bëj me dije se poetja dhe studjuesja e letërsisë, Emi Krosi, i kishte bërë një lexim të vëmendshëm romanit tim «Letra Lejlekut». Ajo për librin kishte shkruar dhe publikuar një vështrim me një çasje krejt të veçantë.

Ju përkujoj se për këtë roman kanë shkruar recensione edhe disa autorë të tjerë (shkrimtarë të gjithë), si: Anton N. Berisha, Prend Buzhala (shkrimi është publikuar në ExLibris), Mirela Duka, Driton Gashi, Sylejman Salihu e ndonjë tjetër.

Në vazhdim po e jap shkrimin e Emi Krosit.

Autores i shpreh falenderimin tim të përzemërt.

GANI BYTYÇI

LETRA SI KUMT A SHENJË E MESAZHIT EPISTOLAR

(Letra Lejlekut, SHB Faik Konica, Prishtinë)

Kufiri midis njohjes dhe të kuptuarit, qenies dhe mosqenies apo ndërmjet të vërtetës dhe të pavërtetës, që lidhen me ritmin dhe modalitetin e depërtimit të thellë në shpirtin e brendshëm, më shumë se çdo gjë tjetër, është ajo që na lidh me rrëfimet epistolare (të letrave) në prozën e Gani Bytyçi-t. Ai është një shenjëzim i shprehjes së rrëfimit të veçantë, nëpërmjet këtij pasazhi përmbledhës: «Një vajzë e vogël nga një fshat i Kosovës, si çdo vit tjetër, po priste me padurim që të vinte pranvera dhe t’i sillte lejlekun. Pas një pritjeje të gjatë, torturuese e të mërzitshme, një ditë, krejt papritur, ajo bashkë me familjen e saj, detyrohent që të braktisë shtëpinë, akoma pa mbërritur lejleku. E mërzitur, e pikëlluar dhe pa e kuptuar se çfarë po ndidhte me ta, ajo nisi t’i shkruante letra lejlekut», fq. 9.

Letërsia epsitolare nuk është e panjohur për lexueisn shqiptar. Ajo njihet nëpërmjet shumë botimeve të letrave, në disa variante:

– varianti i parë: (letërkëmbimet e personaliteve në fushën e politikës, filozofisë, letërsisë, shkencës e të tjera);

– varianti i dytë: (letërkëmbimet në aspektin sentimental dhe atë erotik);

– varianti i tretë: (letërkëmbimet si dokument historik).

Por ky rrëfim, në formën e shkrimit të një letërsie për të rinj dhe fëmijë, edhe më tej, është një risi. Pse themi se është risi? Sepse autori ka ndërthurur, përrallën, me bestytnitë (fëmijëve u tregohej se si ata i ka sjellë lejleku nga foleja e tij) dhe realitetit. Lejleku, një shpend mesdhetar, që jeton në lartësinë e pemëve dhe ushqehet me krimba, vemje, peshq, zvarranikë të vegjël e insekte. Ai është edhe simboli i zogut të madh, që e pushton qiellin e lirë. Kjo simbolikë lidhet edhe me lirinë dhe pritjen e një vajze të vogël, që nuk e komcepton dot frikën, ankthin, shqetësimin dhe dramën e luftës.

Nëpërmjet të nëntëmbëdhjetë (19) letrave të nisuara nga vogëlushja, autori librin e mbyll me thelbin e të vërtetës, se atdheu dhe ëndrra jetojnë në zemër. Letrat, që i shkruan Lulja e vogël, drejtuar lejlekut të saj, janë një rrëfim i mbushur me dramën e një lufte të pakuptueshme, ku lexuesi në çdo letër kupton edhe udhëtimin e vogëlushes dhe vështirësitë e mbijetesës, në kushte natyrore ekstreme, deri në vendosjen e saj në Gjermani. Dekodimi letrar si mesazhe të drejtpërdrejta, të çiltra dhe të sinqerta të një nëntëvjeçareje, na rrëfen dhe absurdin e luftës e të dhunës. Na e bën të qartë shtypjen dhe zhbërjen e një populli, bashkë me kulturën, doket, zakonet dhe traditën e tij, (një kujtesë jo e largët por edhe analoge me luftën aktuale në Gaza, ku shumë fëmijë të pafajshëm u vranë dhe u maskakruan për të vetmin faj: religjonin); nëpërmjet:

a) absurdit dhe tragjizmit të çdo lufte,

b) vrasjes së pafajësisë dhe çiltërsisë së fëmijëve në atë absurd,

c) traumave që shkakton lufta në disa rrafshe:

– në rrafshin shpirtëror,

– në rrafshin fizik,

– në rrafshin mendor,

– në rrafshin historik,

d) akumulimit të ankthit dhe frikës,

e) kujtesave kolektive dhe personale,

f) zhgënjimeve ndaj dukurive në kohë të njëmentë.

Nëse do të zhbirojmë më shumë tekstin letrar, atëherë do të kuptojmë se ai është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe frymëzuese por dhe aq të kuptueshme. Libri, lexohet me një frymë dhe “aventura” e “dashuria” e Lules në azil, duke pritur përgjigjet e letrave apo ardhjen e Lejlekut me shpresën e kthimit të saj, është një terapi psikologjike. Kështu trauma e një fëmije tejkalohet nëpërmjet imazhit fëmjënor të shpendit të dashur dhe të lirë, atje në folenë maje lisi, në oborrin e fshatit të saj, në Kosovë.

Tematika e rrëfimit prozaik, jepet me anë të simboleve:

– lisi (qëndresa shekullore dhe identiteti),

– lejleku (simboli i lirisë dhe shpresës, i rikthimit).

Është një univers rrëfyes, që në këndvështrimin dhe trysninë e një proze, shpesh herë është aq “vizionare”. Kështu autori na mëson se si e vëzhgon ai botën në mënyrë të qëndrueshme, nëse për momentin, përtej mimesisit, (imitimit), modaliteti është i pashmangshëm, mes së dukshmes “si mendim”, ku analogjia si “pjesë e jetës” na sugjeron qartë, në proporcion me unin individualist, të na udhëheqë mendimin tonë dhe metodat e saj zbuluese, bëhen të arritshme për ne, përmes leximit të kësaj proze.

©Copyright EMI KROSI.

Lexuesit e interesuar librat e mij MAKTH, Fletëza dhembjeje dhe Letra Lejlekut mund t`i gjejnë në Librarinë ADRIONI në Tiranë.