Vargjet e Florentina Tamos ,simbol i mallit dhe i shpresës-Çano Nora

Çano Nora

 
Poetja Florentina Tamo (Ditari poetes)
ka lindur  në Delvinë .Që në moshë të re ajo ka shfaqur  një pasion të veçantë  për letërsinë ,duke e ndjerë poezinë  si mënyrën më të natyrshme  për të shprehur ndjenjat,përjetimet dhe botën e saj të brendëshme.
Prej vitesh jeton në emigracion  dhe largësia nga vendlindja ,malli për vendlindjen  dhe përballja me realitete të reja ,janë kthyer në tema të ndjera që i japin vargut të saj ndjeshmëri të thellë dhe një tone meditative.Deri më tani ajo ka botuar tri libra  me poezi dhe ka librin e katërt gati për botim.Poezia e saj mbart një figuracion të zgjedhur mirë dhe një prirje për të kërkuar kuptimin e jetës përmes fjalës së zgjedhur me kujdes dhe të ngarkuar me ndjenjë.Kjo poete vazhdon të ndërtojë një profil poetik të veçantë ,duke e bërë vargun e saj simbol të mallit dhe të shpresës.Në poezinë  “Shtigjeve të ëndrrës” të librit me titull “Gjurmë të heshtura” citojmë vargjet:
 
Dhe jeta një ditë na mori në supe,
Na hodhi në shtigje të panjohur,të largët,
E ne nuk kishim me vete asnjë busull,
Të gjenim saktë bregun e ëndrrës.
 
Këto vargje sjellin një mendim  mbi kuptimin e jetës dhe pasigurinë  që shoqëron njeriun në kërkimin e ëndrrave të tij.  Që në 
vargun e parë “Dhe jeta një ditë na mori në supe”,jeta personifikohet  si një forcë e madhe që e udhëheq njeriun pa e pyetur ,duke krijuar ndjesinë e fatit të pashmangshëm dhe të dorëzimit përballë kohës.Shprehja” Na hedh në shtigje të panjohur,të largët”,thellon motivin e humbjes  së orientimit.Shtigjet simbolizojnë udhët e jetës,ndërsa epitetet “të panjohur” dhe “të largët” përforcojnë ndjenjën e vetmisë ,pasigurisë dhe të shkëputjes nga e njohura.Kulmi emocional i strofës  qëndron te mungesa e “busullës” .Busulla është metaforë e drejtimit  shpirtëror ,e besimit,e shpresës apo e një udhërrëfyesi të brendshëm.Fakti që subjekti lirik ” Nuk kishim me vete asnjë busull” shpreh gjëndjen ekzistenciale  të njeriut që endet në kërkim të kuptimit.Vargu përcjellës “Të gjenim saktë bregun e ëndrrës” hap një horizont shprese ,por njëherazi mbetet i paarritshëm.”Bregu” sugjeron  prehje dhe realizim ,ndërsa”ëndrra”  mbetet qëllimi final i jetës.Kështu ,strofa ndërton  një tension poetik  mes humbjes  dhe shpresës ,mes pasigurisë  dhe dëshirës për mbrrotje.Në tërësi këto vargje karakterizohen  nga figuracioni domethënës ,me tone meditative  dhe filozofike  që e bëjnë poezinë  të prekshme.
 
E prapë krahët tanë   mbetën shtigjeve të zgjatura,
Në kërkim të një ëndërre,
Si një peshë që duhet lëvizur nga vëndi.
 
Strofa e fundit rikthen motivin e rrugëtimit të pafund,duke thelluar  ndjesinë e lodhjes shpirtërore dhe të kërkimit të pandërprerë.Shprehja”E prapë krahët tanë mbetën”  sugjeron një gjëndje pezullimi :Krahët,simbol i fluturimit  dhe lirisë ,nuk arrijnë  të ngrihen plotësisht.Kjo krijon kontrast  mes dëshirës  për të ecur përpara  dhe pamundësisë për t’a përmbushur atë.Figura “Shtigjeve të zgjatura” përforcon idenë e një rruge të gjatë ,të mundimshme  pa një fund të qartë.Zgjatja e shtigjeve  nuk është vetëm hapsinore ,por edhe kohore e shpirtërore,  duke nënkuptuar se kërkimi i ëndërrës shndërrohet  në një proçes  të vazhdueshëm njerëzor.
Vargu” Në kërkim të një ëndërre”  rikthen boshtin tematik  të poezisë :ëndërra si qëllim ,si shpresë ,por edhe si diçka gjithmonë  në lëvizje .Ndërsa krahasimi përmbyllës “Si një peshë që duhet lëvizur nga vëndi” i  jep strofës  një ton më realist.Ëndërra nuk paraqitet më si një dritë e zbehtë ,por si barrë  që kërkon përpjekje  të përherëshme për t’u zhvendosur,për t’u bërë realitet.Kështu mbyllja e poezisë mbart një ndjesi të dyfishtë:lodhje dhe këmbëngulje  njëkohësisht.Subjekti lirik nuk dorëzohet,  por mbetet në kërkim ,duke e shndërruar udhëtimin  në kuptim.Kjo i jep poezisë  një dimension meditativ  dhe njerëzor,ku ëndërra nuk është vetëm  destinacion,  por arsye për të vazhduar përpara.
Ja si shprehet poetja Tamo  në vargjet  e poezisë “Me vargun e trazuar”:
 
Shpesh kërkoj të gjej vetveten,
ashtu naive dhe e prekshme,
Sikur jam ndarë në njëmijë copë,
në mijëra thërrmija,
 në mijëra degë,
e në mijëra petale.
 
Tek kjo poezi ,”Me vargun e trazuar” ,zëri lirik paraqitet  i trazuar ,në një gjëndje kërkimi të paprerë  për identitetin  dhe përkatësinë.Që në vargjet e para kemi një metaforë të fuqishme  të shpërbërjes shpirtërore.”Një mijë copë”  dhe përsëritja  e fjalës  mijëra  krijojnë një ndjesi  përhapje në hapësirë e kohë.Por ky copëtim  nuk është vetëm dhimbje ,është shumëzim.”Degë”  dhe “petale” janë figura që lidhen me pemën dhe lulen :pra me jetën ,me vëndin ku kemi origjinën  dhe me lulëzimin.Subjekti lirik  nuk është shkatërruar ,ai është shpërndarë  si një pemë  me shumë degë,si një lule me shumë petale.
Ndërsa në strofën tjetër:
 
Ca i lam në vendlindje,
atje mes rrugëve të baltosura,
Atje mes oxhaqeve të patymosura,
pas tavolinave pa njerëz,
Pas  një toke ku frutat bien të paprekura.
 
Këtu poezia merr një kuptim social dhe atdhetar.” Vendlindja” nuk është  vetëm një vënd gjeografik :ajo shndërrohet  në hapësirë ,vëmëndje dhe dhimbje.”Rrugët e baltosura ” dhe ” Oxhaqet e patymosura”  janë metafora  të boshatisura,mund të nënkuptojnë  emigracionin,varfërinë,zbrazjen e jetës.Tavolinat pa “njerëz”  simbolizojnë mungesën  e bashkimit ,të familjes,zërit njerëzor.
Figura më e fortë është:Një tokë ku frutat bien të paprekura.
Kjo është metaforë e potencialit të pashfrytëzuar,e pasurisë  që nuk gjen dorë  për t’a mbledhur.Mund të lexohet si kritikë e heshtur ndaj braktisjes  së vëndit ,por edhe si mall për atë që mbetet pezull,pa jetë.
“Vargu i trazuar” në titull nuk është vetëm formë stilistike ,është gjëndje shpirtërore.Vargu trazohet sepse shpirti është i trazuar.
“Në shiun e kohës”.Kjo poezi nis me vargjet:
Dimri,
i lagu  të tëra,rrugët,çatitë,gurët,
si një psherëtimë pa zë,
deri në fund të botës,
 heshtje dhe lagështi.
 
Tek kjo poezi ,që në titull krijohet një metaforë e dyfishtë: shiu si dukuri  natyrore dhe “koha” si rrjedhë e pashmangshme e jetës:Shiu këtu nuk është klimë,është gjëndje shpirtërore.
“Dimri” vendos menjëherë tonin e ftohtë emocional .Gjithçka  është e lagur ,jo vetëm natyra ,por edhe atmosfera e brendëshme.Krahasimi “si një psherëtimë pa zë” ,është figurë shumë e goditur.Psherëtima  është shprehje  e dhimbjes ,por ” pa zë” ,e bën atë të brendëshme,të mbytur.Kjo është dhimbje  që nuk shpërthen ,përkundrazi,përhapet  si mjegull ” deri në fund të botës”.Heshtja  dhe lagështia  bëhen dy shtyllat e gjëndjes poetike.
Në vargjet e fundit :
 
Unë,
në dhomën që s’ka pamje,
kam vetëm fletën e bardhë 
dhe lapsin e lagur  e të djersitur
deri në dhimbje.
 
Këtu kalon nga peizazhi i jashtëm në hapësirën e brendëshme.”Dhoma që s’ka pamje”  simbolizon izolimin ,mbylljen,ndoshta mungesën e perspektivës.Por përballë kësaj qëndron krijimi :” fleta e bardhë” dhe ” lapsi”.
Lapsi ” i lagur dhe i djersitur”  është një metaforë shumë e bukur  e mendimit krijues.Ai mbart peshën e shiut ,të kohës,të brengës “deri në dhimbje” sugjeron se akti i të shkruarit  nuk është vetëm shprehje ,por edhe sakrificë.
Në tërësi, poezia  ndërton një paralelizëm:
 
* jashtë: dimër,shi,heshtje
* brenda:vetmi,fletë e bardhë,laps që vuan
Shiu  i kohës  bie mbi botën dhe mbi poetin  njëkohësisht,por në fund ,edhe në dhomën  e pa pamje mbetet krijimi ,si mënyra e vetme  për t’i dhënë zë psherëtimës pa zë.
Në fund  të këtij udhëtimi poetik ,mbetet ndjesia  se vargjet nuk janë thjesht fjalë  të renditura  në faqe ,por gjurmë shpirti të lëna  mbi kohën.Çdo poezi  sjell një copëz  jete ,një psherëtimë  të heshtur, një dritë  që ndizet dhe në dhomat  e pa pamje.Mes shiut ,dimrit,  vetmisë dhe mallëngjimit ,fjala poetike  gjen mënyrën  për të mbijetuar ,për të dëshmuar  se edhe dhimbja  mund të kthehet në dashuri.Sepse ,në fund ,ajo që mbetet  është fjala e thjeshtë,e ndjerë,njerëzore,që vazhdon të flas edhe kur gjithçka hesht.