Çano Nora

Poetja Florentina Tamo (Ditari poetes)
ka lindur në Delvinë .Që në moshë të re ajo ka shfaqur një pasion të veçantë për letërsinë ,duke e ndjerë poezinë si mënyrën më të natyrshme për të shprehur ndjenjat,përjetimet dhe botën e saj të brendëshme.
Prej vitesh jeton në emigracion dhe largësia nga vendlindja ,malli për vendlindjen dhe përballja me realitete të reja ,janë kthyer në tema të ndjera që i japin vargut të saj ndjeshmëri të thellë dhe një tone meditative.Deri më tani ajo ka botuar tri libra me poezi dhe ka librin e katërt gati për botim.Poezia e saj mbart një figuracion të zgjedhur mirë dhe një prirje për të kërkuar kuptimin e jetës përmes fjalës së zgjedhur me kujdes dhe të ngarkuar me ndjenjë.Kjo poete vazhdon të ndërtojë një profil poetik të veçantë ,duke e bërë vargun e saj simbol të mallit dhe të shpresës.Në poezinë “Shtigjeve të ëndrrës” të librit me titull “Gjurmë të heshtura” citojmë vargjet:
Dhe jeta një ditë na mori në supe,
Na hodhi në shtigje të panjohur,të largët,
E ne nuk kishim me vete asnjë busull,
Të gjenim saktë bregun e ëndrrës.
Këto vargje sjellin një mendim mbi kuptimin e jetës dhe pasigurinë që shoqëron njeriun në kërkimin e ëndrrave të tij. Që në
vargun e parë “Dhe jeta një ditë na mori në supe”,jeta personifikohet si një forcë e madhe që e udhëheq njeriun pa e pyetur ,duke krijuar ndjesinë e fatit të pashmangshëm dhe të dorëzimit përballë kohës.Shprehja” Na hedh në shtigje të panjohur,të largët”,thellon motivin e humbjes së orientimit.Shtigjet simbolizojnë udhët e jetës,ndërsa epitetet “të panjohur” dhe “të largët” përforcojnë ndjenjën e vetmisë ,pasigurisë dhe të shkëputjes nga e njohura.Kulmi emocional i strofës qëndron te mungesa e “busullës” .Busulla është metaforë e drejtimit shpirtëror ,e besimit,e shpresës apo e një udhërrëfyesi të brendshëm.Fakti që subjekti lirik ” Nuk kishim me vete asnjë busull” shpreh gjëndjen ekzistenciale të njeriut që endet në kërkim të kuptimit.Vargu përcjellës “Të gjenim saktë bregun e ëndrrës” hap një horizont shprese ,por njëherazi mbetet i paarritshëm.”Bregu” sugjeron prehje dhe realizim ,ndërsa”ëndrra” mbetet qëllimi final i jetës.Kështu ,strofa ndërton një tension poetik mes humbjes dhe shpresës ,mes pasigurisë dhe dëshirës për mbrrotje.Në tërësi këto vargje karakterizohen nga figuracioni domethënës ,me tone meditative dhe filozofike që e bëjnë poezinë të prekshme.
E prapë krahët tanë mbetën shtigjeve të zgjatura,
Në kërkim të një ëndërre,
Si një peshë që duhet lëvizur nga vëndi.
Strofa e fundit rikthen motivin e rrugëtimit të pafund,duke thelluar ndjesinë e lodhjes shpirtërore dhe të kërkimit të pandërprerë.Shprehja”E prapë krahët tanë mbetën” sugjeron një gjëndje pezullimi :Krahët,simbol i fluturimit dhe lirisë ,nuk arrijnë të ngrihen plotësisht.Kjo krijon kontrast mes dëshirës për të ecur përpara dhe pamundësisë për t’a përmbushur atë.Figura “Shtigjeve të zgjatura” përforcon idenë e një rruge të gjatë ,të mundimshme pa një fund të qartë.Zgjatja e shtigjeve nuk është vetëm hapsinore ,por edhe kohore e shpirtërore, duke nënkuptuar se kërkimi i ëndërrës shndërrohet në një proçes të vazhdueshëm njerëzor.
Vargu” Në kërkim të një ëndërre” rikthen boshtin tematik të poezisë :ëndërra si qëllim ,si shpresë ,por edhe si diçka gjithmonë në lëvizje .Ndërsa krahasimi përmbyllës “Si një peshë që duhet lëvizur nga vëndi” i jep strofës një ton më realist.Ëndërra nuk paraqitet më si një dritë e zbehtë ,por si barrë që kërkon përpjekje të përherëshme për t’u zhvendosur,për t’u bërë realitet.Kështu mbyllja e poezisë mbart një ndjesi të dyfishtë:lodhje dhe këmbëngulje njëkohësisht.Subjekti lirik nuk dorëzohet, por mbetet në kërkim ,duke e shndërruar udhëtimin në kuptim.Kjo i jep poezisë një dimension meditativ dhe njerëzor,ku ëndërra nuk është vetëm destinacion, por arsye për të vazhduar përpara.
Ja si shprehet poetja Tamo në vargjet e poezisë “Me vargun e trazuar”:
Shpesh kërkoj të gjej vetveten,
ashtu naive dhe e prekshme,
Sikur jam ndarë në njëmijë copë,
në mijëra thërrmija,
në mijëra degë,
e në mijëra petale.
Tek kjo poezi ,”Me vargun e trazuar” ,zëri lirik paraqitet i trazuar ,në një gjëndje kërkimi të paprerë për identitetin dhe përkatësinë.Që në vargjet e para kemi një metaforë të fuqishme të shpërbërjes shpirtërore.”Një mijë copë” dhe përsëritja e fjalës mijëra krijojnë një ndjesi përhapje në hapësirë e kohë.Por ky copëtim nuk është vetëm dhimbje ,është shumëzim.”Degë” dhe “petale” janë figura që lidhen me pemën dhe lulen :pra me jetën ,me vëndin ku kemi origjinën dhe me lulëzimin.Subjekti lirik nuk është shkatërruar ,ai është shpërndarë si një pemë me shumë degë,si një lule me shumë petale.
Ndërsa në strofën tjetër:
Ca i lam në vendlindje,
atje mes rrugëve të baltosura,
Atje mes oxhaqeve të patymosura,
pas tavolinave pa njerëz,
Pas një toke ku frutat bien të paprekura.
Këtu poezia merr një kuptim social dhe atdhetar.” Vendlindja” nuk është vetëm një vënd gjeografik :ajo shndërrohet në hapësirë ,vëmëndje dhe dhimbje.”Rrugët e baltosura ” dhe ” Oxhaqet e patymosura” janë metafora të boshatisura,mund të nënkuptojnë emigracionin,varfërinë, zbrazjen e jetës.Tavolinat pa “njerëz” simbolizojnë mungesën e bashkimit ,të familjes,zërit njerëzor.
Figura më e fortë është:Një tokë ku frutat bien të paprekura.
Kjo është metaforë e potencialit të pashfrytëzuar,e pasurisë që nuk gjen dorë për t’a mbledhur.Mund të lexohet si kritikë e heshtur ndaj braktisjes së vëndit ,por edhe si mall për atë që mbetet pezull,pa jetë.
Kjo është metaforë e potencialit të pashfrytëzuar,e pasurisë që nuk gjen dorë për t’a mbledhur.Mund të lexohet si kritikë e heshtur ndaj braktisjes së vëndit ,por edhe si mall për atë që mbetet pezull,pa jetë.
“Vargu i trazuar” në titull nuk është vetëm formë stilistike ,është gjëndje shpirtërore.Vargu trazohet sepse shpirti është i trazuar.
“Në shiun e kohës”.Kjo poezi nis me vargjet:
Dimri,
i lagu të tëra,rrugët,çatitë,gurët,
si një psherëtimë pa zë,
deri në fund të botës,
heshtje dhe lagështi.
Tek kjo poezi ,që në titull krijohet një metaforë e dyfishtë: shiu si dukuri natyrore dhe “koha” si rrjedhë e pashmangshme e jetës:Shiu këtu nuk është klimë,është gjëndje shpirtërore.
“Dimri” vendos menjëherë tonin e ftohtë emocional .Gjithçka është e lagur ,jo vetëm natyra ,por edhe atmosfera e brendëshme.Krahasimi “si një psherëtimë pa zë” ,është figurë shumë e goditur.Psherëtima është shprehje e dhimbjes ,por ” pa zë” ,e bën atë të brendëshme,të mbytur.Kjo është dhimbje që nuk shpërthen ,përkundrazi,përhapet si mjegull ” deri në fund të botës”.Heshtja dhe lagështia bëhen dy shtyllat e gjëndjes poetike.
Në vargjet e fundit :
Unë,
në dhomën që s’ka pamje,
kam vetëm fletën e bardhë
dhe lapsin e lagur e të djersitur
deri në dhimbje.
Këtu kalon nga peizazhi i jashtëm në hapësirën e brendëshme.”Dhoma që s’ka pamje” simbolizon izolimin ,mbylljen,ndoshta mungesën e perspektivës.Por përballë kësaj qëndron krijimi :” fleta e bardhë” dhe ” lapsi”.
Lapsi ” i lagur dhe i djersitur” është një metaforë shumë e bukur e mendimit krijues.Ai mbart peshën e shiut ,të kohës,të brengës “deri në dhimbje” sugjeron se akti i të shkruarit nuk është vetëm shprehje ,por edhe sakrificë.
Në tërësi, poezia ndërton një paralelizëm:
* jashtë: dimër,shi,heshtje
* brenda:vetmi,fletë e bardhë,laps që vuan
Shiu i kohës bie mbi botën dhe mbi poetin njëkohësisht,por në fund ,edhe në dhomën e pa pamje mbetet krijimi ,si mënyra e vetme për t’i dhënë zë psherëtimës pa zë.
Në fund të këtij udhëtimi poetik ,mbetet ndjesia se vargjet nuk janë thjesht fjalë të renditura në faqe ,por gjurmë shpirti të lëna mbi kohën.Çdo poezi sjell një copëz jete ,një psherëtimë të heshtur, një dritë që ndizet dhe në dhomat e pa pamje.Mes shiut ,dimrit, vetmisë dhe mallëngjimit ,fjala poetike gjen mënyrën për të mbijetuar ,për të dëshmuar se edhe dhimbja mund të kthehet në dashuri.Sepse ,në fund ,ajo që mbetet është fjala e thjeshtë,e ndjerë,njerëzore,që vazhdon të flas edhe kur gjithçka hesht.

