
Gëzim Llojdia
1.
Mesapliku në luginë.Dora e poetit dhe penda e tij. Bota e tij dhe një botë tjetër, përtej kreshpave të realitetit. Atje, në thellësi të Labërisë, ku jeta rurale ka misterin, heshtjen dhe sizmikën e saj të brendshme.
Që ta jetosh këtë realitet, duhet të shkëputesh nga jeta urbane. Atje lind dhe perëndon me këngën e zogjve, me uturimën e ujërave dhe me shushurimën e ujërave të lumit. Thonë se ujërat e një lumi nuk prekin dy herë të njëjtët gurë dhe jeta, po ashtu, rrjedh e pandalur.
2.
Në këtë vend jeta ka ekzistuar qysh herët. Cerja ruan ende gurë, mozaikë, kisha e udhë të gurta. E fshehta e kësaj qyteze është se dikur ishte një qytet-karakoll, që kontrollonte udhën e lumit. Karvanët kalonin përgjatë brigjeve, dhe ende duken gjurmët e ndonjë ure të vjetër. Ura e Bratit është më e vonshme. Cerja ishte pjesë e kohëve të Amantias.
Përtej udhës së Kuçes, rruga drejt Mesaplikut zbret në luginën e bukur të Shushicës, ku shkëmbinjtë duken sikur varen mbi ujë, ndërsa malet e larta rrinë përballë, madhështore dhe të heshtura.Në këtë strehë jetike jetoi dhe krijoi edhe poeti Eqerem Canaj.
3.
Mes nxënësve të veshur sipas kohës, mes shtëpive të vogla të fshehura pas kopshteve, ai shkonte çdo ditë drejt shkollës. Rutina e përditshme e mësuesit poet u bë trualli ku mbinë krijimet e para. Atje lindi romani i tij i parë.Por, si pema me fruta që goditet me gurë, edhe ai njohu kundërshti. Nga rrethi, nga Lidhja e Shkrimtarëve, erdhën për ta përgëzuar por edhe për ta gjykuar. Rebelimi i tij shihej me dyshim.
Në ato kohë, shkrimtari Shevqet Musaraj i dha një dorë. Ndërsa poeti nga Devolli, Dritëro Agolli, i tha një ditë:
-Dëgjo, Eqerem. Së bashku do të shkruajmë një roman.
Vendosën të punonin gjithë ditën. Por rakia dhe fshatarët, që kishin ardhur për të parë poetin e madh, ua shpërqendruan përqendrimin. E lanë punën.
-Do vendosim një rregull, – i thanë njëri-tjetrit.
– Do pimë raki gjithë ditën dhe do punojmë gjithë natën.
Filluan të punonin natën, në strehën e largët të Mesaplikut. Por puna sërish nuk ecte. Atëherë vendosën:
-Do pimë gjithë natën dhe do punojmë gjithë ditën…
4.
Eqeremi mori leje krijuesenga Lidhja e shkrimtarwve.
Një mesditë, bashkëshortja e tij, Lena, erdhi me nxitim nga ambulanca e fshatit ku punonte. Ia derdhi gjithë zemërimin:
-Eqerem, ç’është kjo leje krijuese? Në fshat thonë: shko në punë, se do mbetesh pa rrogë dhe do na lësh fëmijët pa bukë!
Në fakt, autori gëzonte të drejtën e një leje krijuese njëmujore. Por realiteti i fshatit nuk i njihte privilegjet e letërsisë.
5.
Kur sistemi u përmbys, nisi një kohë tjetër. Shumë autorë patën uri për të botuar. Edhe Eqeremi.Shiti bagëtinë që kishte në fshat për të nxjerrë në dritë librat e shumtë që prisnin prej vitesh në sirtar. Dorëshkrimet flinin në muzgun e pritjes.
Një ditë shkoi në bankë për të marrë kredi.
-Për çfarë arsye?- e pyeti punonjësja.
– Për shtëpi?
– Jo.
-Për biznes?
-Jo.
-Për pushime?
Për shkollim?
-Jo,jo
Ai u përgjigj qetë:
-Dua të botoj librat e kolonës sime, që prej vitesh flenë në muzgun tim.
6..
Është një shkrimtar që përfaqëson dy kohë: periudhën para viteve ’90 dhe kohën pas përmbysjes së sistemit. Në vitet e para të krijimtarisë së tij, ai botoi krijime të vogla në revistat dhe gazetat letrare të kohës.
Në vitin 1977 botoi poemën “Mesapliku në luginë”, ndërsa më parë ishte prezantuar në revistën letrare Nëntori. Vjersha “Labi i vogël”, e botuar në vitin 1978, konsiderohet si ditëlindja e tij poetike, duke u pasuar nga krijime të tjera si “Trimi i kësaj toke”.
Këto poezi shënojnë një profil të qartë tematik. Lidhjen me tokën, figurën e labit dhe identitetin krahinor.
Shkrimtari Naum Prifti, në një mesazh të viteve 2000, kujtonte:
…Rreth viteve ’74 më dhanë për reçension një libër të një autori, mësues nga Mesapliku i Vlorës. Quhej Eqerem Canaj. E redaktova dhe e dërgova për botim. Por, për fat të keq, libri nuk u botua. Në të vërtetë, u bë karton…
Ky rrëfim dëshmon për fatin e vështirë të dorëshkrimeve në atë kohë.Libri, sipas tij, përfundoi i copëtuar nga makineritë e shtypshkronjës një metaforë e heshtjes së imponuar.
Duke folur për poemën “Mesapliku në luginë”, N.Prifti shprehej se çdo autor i njohur e ka provuar të marrë në dorë krijime të të rinjve, duke e ditur me çfarë padurimi presin ata mendimin kritik. Ai rrëfente se tek Canaj kishte gjetur diçka të freskët, një zë që premtonte rrugë të gjatë krijuese. Për këtë arsye, ai dëshironte ta prezantonte në faqet e revistave për lexuesin e gjerë.
Edhe shkrimtari Hamdi Meçe, në librin përmbledhës “Sfida 5”, ku janë përfshirë shkrime kushtuar Canajt, thekson:
“Kisha lexuar më parë në shtypin e kohës shkrimtarin e mirënjohur Naum Prifti, i cili përmendte se diku në Labëri, në fshatin Mesaplik të Vlorës, mësuesi Eqerem Canaj shkruante poezi të bukura. Prezantimi i tij në ‘Nëntori’ dhe në Zëri i rinisë me poezitë e para të viteve ’70 ngjalli interes tek poetët dhe shkrimtarët.”
Ndërsa studiuesi Miftar Kurti e cilëson autorin E. Canaj si një zë të veçantë në prozën bashkëkohore shqiptare, duke e vendosur atë në një trajektore që kapërcen kufijtë kohorë dhe ideologjikë.
6.
Libri me tregime dhe novela “Kisnata” i autorit Eqerem Canaj është njëkohësisht pjellë e imagjinatës dhe e pjekurisë së tij krijuese, por edhe produkt i kohës, rrethanave dhe realitetit të përçudnuar shqiptar. Ky realitet, i mbushur me paradokse dhe absurditete, në dorën e shkrimtarit shndërrohet në një realitet të ri realitetin letrar dhe artistik.
E.Canaj nuk i shmanget historisë dhe së kaluarës, përkundrazi, ai e kundron atë në kontrast me kohën kur e shkruan veprën. Përmes një transpozimi të kujdesshëm artistik, historia bëhet materie estetike, ndërsa e kaluara shndërrohet në pasqyrë reflektuese të së tashmes. Në këtë mënyrë, rrëfimi i tij nuk është thjesht dokumentar, por interpretues, simbolik dhe shpesh metaforik.
Prof. Dr. Esherf Ymeri, në një dedikim kushtuar një romani të këtij autori, shprehet:
“Shkrimtari Eqerem Canaj, si në studion e një skulptori, ka gdhendur një shtatore të bukur. Libri kushtuar Brahim Bedinit është një tjetër kontribut i shquar i shkrimtarit të talentuar nga Mesapliku.”
Kjo metaforë e skulptorit është domethënëse. E.Canaj gdhend karaktere, ngjarje dhe fate njerëzore, duke u dhënë atyre formë dhe përjetësi artistike.
Ndërkohë, studiuesi R.Bajrami, duke folur për veprën “Romani i një oturaku”, e cilëson atë si “një copë jete nga Vërmiku”, një roman që i dedikohet historisë patriotike të Capojve të Vërmikut. Këtu ndërthuren historia lokale me narrativën kombëtare, duke dëshmuar aftësinë e autorit për të ngritur nga një realitet i kufizuar gjeografik një dimension më të gjerë identitar.
Sot, Eqerem Canaj njihet për larminë tematike dhe stilistike, si dhe për shtrirjen e tij në disa gjini letrare: poezi, roman, tregime, novela dhe skica. Kjo shumësi gjinore dëshmon për një energji krijuese të pandalur dhe për një kërkim të vazhdueshëm estetik.
Në prodhimtarinë e tij letraro-artistike zë vend të veçantë edhe seria e “delikateve”, një risi interesante në horizontin letrar bashkëkohor. Këto krijime përfaqësojnë një qasje më të përqendruar, më fine dhe më introspektive ndaj temave historike dhe njerëzore, duke e zgjeruar më tej profilin e autorit në skenën kulturore që nis nga Mesapliku dhe shtrihet deri në qytetin e Vlorës.
7.
Erdhi si veriu, iku si furtunë. I bukur, i ëmbël, poetik dhe thellësisht muzikal. Dora e tij shkruante nota muzikore, por edhe pamflete politike. Jetoi pak, por mbeti shumë në kujtesën e njerëzve. Ky ishte kompozitori Kastriot Gjini një yll që ndriçoi fort dhe u shua shpejt në qiellin shqiptar. A nuk kështu ndodh me yjet? Shfaqen, vezullojnë dhe lënë pas një dritë që vazhdon të jetojë.Figura e tij ka frymëzuar thellësisht shkrimtarin Eqerem Canaj, i cili i ka kushtuar dy vepra këtij personazhi të jashtëzakonshëm. Përmes artit narrativ, E.Canaj e rikthen K. Gjinin jo vetëm si figurë historike, por si simbol të shpirtit krijues që sfidon kohën dhe harresën.
Veprat e tij dëshmojnë këtë pjekuri estetike: vëllimi poetik “Qiej të çarë”, përmbledhjet me tregime e novela “Belita”, “Legjenda e Marsidës”, si dhe romanet “Njeriu me nofulla të hekurta”, “Kënga e thyer”, “Ethet e gjakut” dhe më pas “Disku i artë”. Në to shfaqet qartë moderniteti i autorit, përjetimet filozofike dhe kërkimi i vazhdueshëm për forma të reja shprehjeje.
Me romanin “Disku i artë”, shkrimtari paraqitet jo vetëm me një formë të re narrative, të realizuar me mjeshtëri, por edhe me një këmbëngulje stoike për të ndërtuar një kulturë letrare të gjithanshme.
Vite më parë ai botoi romanin “Kënga e thyer”, në nderim të kujtimit të kompozitorit Kastriot Gjini. Vepra u cilësua si prozë moderne, për shkak të strukturës narrative, introspeksionit psikologjik dhe trajtimit simbolik të figurës së artistit. Sot, me “Disku i artë”, autori i rikthehet të njëjtës figurë, por me një sfond të ri, duke kërkuar një përjetim më të thellë dhe një dimension më të gjerë artistik.
8.
Ai quhej Petro Marko. Poet, prozator dhe rebel i lindur. Një figurë që përshkoi kohë dhe regjime të ndryshme, duke mbetur gjithmonë i drejtë në bindjet e tij. I rrahur që fëmijë nga era e detit të Himarës, i mësuar me të vërtetën dhe drejtësinë, ai ishte komunisti i vjetër, luftëtari i brigadave internacionaliste dhe autori i romanit të njohur Hasta la vista.
Evokohet Spanja e mesviteve ’30 vendi i diellit, i ullinjve dhe i brigadave internacionaliste. Vitet e trazuara, kur pushteti përplasej mes bajonetave e topave dhe thirrjeve të pavdekshme “No pasarán!”. Në këtë vorbull historike, Petro Marko qëndronte i pathyeshëm, rebel i kohëve të sertë, i drejtë si qiparisi i kishës së fshatit të tij, i bukur në idealin e tij si një shenjt laik. Ai i numëronte ditët me shpresën e ardhjes së një kohe më të drejtë.
Pikërisht këtë figurë vitale dhe të papërkulur përshkruan Eqerem Canaj në romanin e tij “Rebeli”, një vepër kushtuar portretit njerëzor dhe historik të Petro Markos.
Mesuesi nga Himara, F.Bixhili, duke shkruar për këtë roman, thekson se të shkruash për Petro Markon nuk është e lehtë. Duhet të hysh thellë në kohën që ndërtuam vetë, në epokën e kontradiktave dhe të bashkëjetesës së imponuar mes idealit dhe frikës. Ishin kohë kur, si në alegori, kërkohej të bashkëjetonin qengji me ujkun edhe pse dihej se njëri do ta pësonte.
Një nga simbolet e figurës së Petros ishte cigarja, që nuk i ndahej kurrë nga buzët veçse në gjumë. Ajo bëhet metaforë e mendimit të tij të përhershëm, e përpunimit të ideve dhe e shpërthimeve të përmbajtura. Cigarja si “mulliri” i mendimeve tallazeshumë, që frenonte vrullin e një shpirti të trazuar nga zhgënjimet e kohës.
Këto janë vetëm disa nga fjalët e studiuesit për romanin. Por në thelb, “Rebeli” i Canajt është më shumë se një biografi artistike: është një dialog mes dy rebelësh Petro Markos dhe autorit që e rikrijon. Është një udhëtim përmes letrave shqipe, përmes stoicizmit të një shkrimtari që i ka dhënë shpirtin, ndoshta edhe jetën, artit të fjalës.. Ai është shkrimtari që vjen nga thellësia e Mesaplikut, nga gurët, lumenjtë dhe legjendat e Labërisë, por që ndërton një univers letrar me frymëmarrje kombëtare.
Ai është shkrimtar i rrënjëve dhe i horizonteve njëkohësisht. Ai e nis nga një fshat i vogël, por arrin të ndërtojë një botë letrare me dimensione universale. Proza e tij mbart modernitet, filozofi dhe një ndjeshmëri të thellë njerëzore. Poezia e tij ruan muzikalitetin e krahinës, ndërsa romanet e tij hapin shtigje reflektimi mbi fatin e individit në përballje me kohën.