
ATA QË HODHËN THEMELET E LETËRSISË MODERNE SHQIPTARE
Vitet 1900-1944, kanë qënë vite kur Letërsia Shqipe mori zhvillim të madh. Gjatë kësaj periudhe dolën shkrimtarë që hodhën themelet e një Letërsie Moderne Shqiptare. Prej Papa Kristo Negovanit, që shkroi novelën e parë në Gjuhën e Kulluar Shqipe e deri tek Bendo Shapërdani (Vasil Alarupi), me tregimet e tij ngjethëse; nga Fishta e Asdreni e deri te Lasgushi, është një Yllësi e tërë. Ata lëvruan që në themel të gjitha zhanret e letërsisë, tregimet, novelat, romanet, publicistikën, dramat, tragjeditë, komeditë, lirikën dhe epikën e poezisë Shqiptare të shek. 20-të.
Sot do të veçoja Mihal Gramenon, i cili ndonëse kreu një fillore greke dhe një shkollë të mesme rumune, ndonëse emigroi që 13 vjet e kaloi mbi 20-të vite në mërgim, ndonëse një pjesë të jetës e kaloi me armë në dorë, në çetën e Çerçiz Topullit, përsëri gjeti kohën të shkruante në Shqipe të Kulluar vepra të pazëvendësueshme në Historinë e Letërsisë Shqipe.
Ai lëvroi pothuajse të gjitha zhanret e letërsisë dhe publicistkës: poezi me përmbledhjen “Plagët”, drama në vargje “Mallkimi i Gjuhës Shqipe” e “Vdekja e Piros”, romanet “Oxhaku”, “E puthura” dhe “Varri i pagëzimit”, botoi dy gazeta nga 1909-1926 ku solli një frymë perendimore në gazetarinë shqiptare.
Pra është me plot gojën një Gur Themeli në Letërsinë dhe Publicistikën Shqiptare. Vepra e tij më e plotë dhe më cilësore është botuae nga “Rilindja” e Prishtinës në vitin 1979 (në foto botimi me ngjyrë të blertë).
Në ditët tona në Shqipëri M. Grameno, nuk është pjesë në asnjë nivel të programit shkollor, pasi ky program mbizotërohet nga letërsia e huaj dhe autorët shqiptarë të realizmit socialist. Turp e faqja e zezë për ata që hartojnë këto programe!