Nga Eduard M. Dilo

E DREJTA PËR TË DREJTËN DUHET THËNË
Pse e drejta frikëson, kur ajo është dritë mbi terr, pse dridhen hijet para saj,kur ajo vjen si agim i bardhë? E drejta s’vdes, ajo pret, rri zgjuar nëpër vite, si gur i lashtë në themele, si fjalë që nuk i harron dot. E drejta për të drejtën nuk duhet të na trembë. Dhe historia, nuk fle, ajo mbledh zëra,mbledh kujtime, mbledh dëshmi, i peshon në kandarin e kohës dhe shkruan me gjakun, dhimbjen e së vërtetës. Le të themi ç’pamë me sytë tanë, le të dëshmojmë ç’jetuam dhe ç’farë ndjemë në shpirt. Jo për lavdi të rreme, atë nuk e dua kurrë, por për dinjitet.
Drejtësia, pranimi fajit, dëshmia për të drejtën është ndërgjegje e pastër, pastrim ndërgjegjeje dhe shpirti.
Zagoria, ky vend që dhe Zoti i ka falur bukuri të rrallë, është tokë ku dhe e gurët flasin, e rrënjët nuk këputen, se burrat dhe gratë që historinë nuk e kërkuan, por e bënë treguan qartë se cilët janë.
Figura të ndritura nxorri ai vend, që i dhanë nder Shqipërisë – emra që koha i ruan si ar, edhe kur ne i lëmë në heshtje dhe harresë të qëllimshme. Por historia kërkon vepra, ajo s’i njeh klanet, s’i pranon hijet e vogla. Ajo njeh vetëm ata që i dalin zot vendit dhe kur duhej ju gjenden, ju ndodhën luanë. Ç
farë kemi bërë, sa kemi dëshmuar e shkruar, sa kemi kontribuar që të mos dominojë harresa për atë tmerr që ne përjetuam? Brezat e rinj të dinë të vërtetën e të mos bien në fajet e gabimet e të parëve të tyre. Sepse trevat që s’i kanë këta bij, siç i ka krahina jonë i ëndërrojnë. Ne i kemi, dhe shpesh i mbulojmë me pluhurin e heshtjes. Por koha vjen si lumë i fortë, ajo pastron, ajo zbulon, ajo vendos gurin në vendin e vet. Do të ribëhet historia me fakte si shkëmbinj, jo me dokrra dhe gënjeshtra që i merr era.
Dhe vendin që i takon bijve të Zagorisë dhe Zagoria do ta zërë. Ne jemi rrënjë në këtë tokë, autoktonë në gur e në kujtesë; vijmë nga lashtësia si jehonë që s’shuhet. Jemi lisa që duaruam e durojmë rrebeshe, erëra, furtunë, duruam dhe mbijetuam. Virtytet e shqiptarisë, besën, nderin, qëndresën i mbajtëm gjallë në këtë trevë si zjarr nën hi. Unë do të shkruaj. s’do të hesht pa dorashka do të flas. Sepse fjala është betim, dhe heshtja -faj
. Edhe pse nuk dua ta kujtoj të kaluarën time, sepse e kaluara ime ishte vetëm dhimbje, e kaluara ime është diçka që nuk mund t’ia dëshirosh as armikut tënd, nuk mund dot që ta harroj, se më del gjithçka përpara, më flet, më tundon, më thote :” Fol, shkruaj”. Unë shkruaj që zëri të mos shuhet, që e drejta të mos trembet më nga ata që i druhen dritës.