Metamorfoza, kujtesa dhe lëvizja – drejt një paradigme të identitetit poetik- Teuta Sadiku

Teuta Sadiku

 

Në panoramën e letërsisë shqiptare bashkëkohore Luan Rama përfaqëson figurën e intelektualit ndërkulturor,i formuar  në një hapësirë dialogu mes traditës shqiptare dhe kulturës frankofone. Përvoja diplomatike dhe ajo ndërkulturore nuk e zhvendosin poetikën drejt nostalgjisë, përkundrazi ato e universalizojnë konceptin e vendit.Në vend të një atdheu të mitizuar,poezia ndërton një hapësirë përjetimi, në lëvizje ,në metamorfozë.

Në poezinë” Vendi im “koncepti tradicional i atdheut zhvendoset nga një kategori gjeografike në një përvojë ekzistenciale në proçes lëvizjeje duke e rindërtuar identitetin përmes metamorfozës.

Atdheu në poezinë “Vendi im “është një narrative ekzistenciale,një identitet në rrëfim .

“Vendi im është një rrëfenjë

e vjetër sa bota “

Atdheu është një mit themelues,është një kujtesë kolektive ,që i paraprin individit.

Vargu hapës:

“U bëra erë dhe shkova”

nuk është figurë krahasimi,  është akt ekzistencial.Subjekti poetik nuk thotë “si erë”, por “u bëra erë”. Kjo e zhvendos poezinë nga metafora drejt transformimit të qenies.

Metamorfoza këtu funksionon si shpërbërje e identitetit të qëndrueshëm.Kalimi nga trupësia në element, çon në zgjerimin e konceptit drejt një dimensioni kozmik.

Në traditën klasike, si te Ovidi, metamorfoza është ndëshkim ose shpëtim. Në modernitet, si te Franz Kafka,  metamorfoza është alienim. Ndërsa te poezia e Luan Ramës metamorfoza është zgjedhje estetike dhe energji në lëvizje. Subjekti poetik nuk detyrohet të ndryshojë; ai dëshiron të bëhet ndryshimi, metamorfoza.

Kjo është  një risi. Metamorfoza në këtë poezi  nuk është traumë historike (si shpesh te poetët emigrantë), por akt lirie poetike.

Poezia përfshin referenca të qarta,si“Eumenidet” “mollët e Eden-it” “frutat e Abrahamit” “purpureus”.Këto nuk janë elemente dekorative,  këto janë struktura kujtese kulturore.

Intertekstualiteti mitik (Eumenidet) e vendos erosin në horizontin e fajit dhe ndëshkimit tragjik. Ndërsa intertekstualiteti biblik (Edeni, Abraham) e vendos në logjikën e tundimit, rënies dhe pjellorisë.Këtu kujtesa funksionon si memorie kulturore kolektive(në kuptimin e Maurice Halbwachs). Por brenda poezisë ndodh një paradoks:

“ku humbet dhe shuhet kujtesa”

Këtu thirret kujtesa mitike, por në kulmin e eros-it ajo shuhet. Kjo krijon tension midis historisë dhe kulturës,ndaj kujtesa aktivizohet për t’u tejkaluar.

Erosi në këtë poezi nuk është thjesht sensualitet. Ai është proces transformues.

“kjo erë e ngrohtë
që më dogji ijet dhe buzët”

Këtu kemi kalim trupor, por menjëherë pason një horizont më i gjerë:

“rendje në kufijtë e fundit të rruzullit”

Erosi bëhet energji kozmike. Ai kalon nga trupi,në harresë,E më pas në lindje/(“mushtin e lindjes”).

Në këtë kuptim, eros-i është tejkalim i vetvetes, një dinamikë që shkrin identitetin e mëparshëm dhe hap mundësinë e një qenieje të re.

Ndryshe nga erotika urbane bashkëkohore, e cila shpesh mbetet në planin individual, këtu eros-i ka dimension ekzistencial dhe ciklik.

Kujtesa, sipas Paul Ricoeur, është ndërtim i identitetit përmes rrëfimit. Harresa mund të jetë humbje, por edhe rifillim.Në këtë poezi, harresa nuk është tragjike. Ajo është pezullim i vetëdijes,, është çlirim nga ngarkesa historike. Kujtesa përfaqëson strukturën,kurse harresa përfaqëson energjinë. Kontrasti mes tyre krijon një identitet  të lëvizshëm.

Një kritik mund të vërejë se motivi i kujtesës përmendet shkurt dhe nuk zhvillohet më tej. Por pikërisht kjo ndërhyrje minimale e bën të fuqishëm tensionin: kujtesa nuk ka nevojë të shtjellohet më hollësisht për të ndjerë peshën e saj.

E gjithë poezia “Vendi im “ është ndërtuar mbi dinamizëm duke përdorur foljet “u bëra”/“shkova”,çka tregon se subjekti poetik është gjithmonë në lëvizje.

Në filozofinë e Heraclitus gjithçka rrjedh ndaj Identiteti nuk është substancë, por proces. Po kështu, te Luan Rama identiteti poetik nuk formulohet “unë jam”, por  “unë bëhem”.Kjo është thelbësore për poetikën moderne.

Në kontekstin e poetëve të diasporës, lëvizja shpesh lidhet me zhvendosjen gjeografike dhe nostalgjinë. Ndërsa në poezinë e Luan Ramës  lëvizja është energji ,është zgjerim i hapësirës së qenies.

Përsëritja konstante/“Vendi im është…” krijon një strukturë rituale me ngarkesë emocionale .Kjo formë përsëritëse funksionon si psalm kombëtar, duke krijuar ritëm solemn.

Në aspekt teorik, kemi një strukturë performative poezia nuk përshkruan vendin ,ajo e krijon atë përmes fjalës.

 Topika e parë

Subjekti poetik e jep   Atdheun si trup i plagosur

“është një lumë lotësh

që derdhet në një det hidhërimi,”

Këtu kemi metaforë të dyfishtë ujore.

Lot – lumë -det.

Ky zgjerim metaforik krijon intensifikim të dhimbjes dhe shndërrim të gjendjes  emocionale në aspekt historik.

Në aspekt antropologjik, ky është një simbol i traumës kolektive.Atdheu bëhet trup që qan.

Topika e dytë

Subjekti poetik e jep vendin , atdheun të braktisur .

“një fshat i braktisur

me puse të heshtur dhe dyer të kyçur.”

Këtu kemi një përshkrim të heshtjes ku pusi është simbol i jetës,heshtja e pusit është ndërprerje e vazhdimësisë.Antropologjikisht, kjo është figura e rrezikshmërisë së  shkëputjes së trashëgimisë.Braktisja nuk është vetëm demografike; braktisja është realitet.

 Figura e emigrantit në poezi është figura e njeriut  mes dy botëve.

“është një emigrant me letrën e nënës

mbetur në xhep me fjalë premtimi,”

Ky është momenti më kulminant antropologjik i poezisë.

Emigranti është trup në një vend,shpirt në një tjetër,

Letra e nënës është simbol i lidhjes së paprerë me origjinën.

Premtimi – kthimi.Por:

“është një kthim i vonuar nën një diell të verbuar.”

Këtu kthimi nuk është triumf,për subjektin poetik kthimi  është zhgënjim.Këtu poezia hyn në zonën e tragjikes moderne.

Poezia “Vendi im “ ka një  dimensioni kritik-politik,ku subjekti poetik thyen tonin lirik dhe e vendos poezinë në plan etik.

“është një orgji politikanësh pa skrupull

që dinë veç të premtojnë parajsën.

Subjekti poetik nuk është vetëm nostalgjik; ai është kritik qytetar që demaskon pushtetin dhe e zhvesh hipokrizinë.

Në nivel evropian bashkëkohor, kjo e vendos tekstin në linjën e poezisë së angazhuar, por pa rënë në propagandë.

Pas errësirës vjen kthesa:

“Por vendi im është dhe një lojë fëmijësh…”

Kjo “por” është nyja strukturore e poezisë.

Nga tokë e thatë/te ëndërr e dielltë

Nga emigrim/ te dasmë e ardhshme

Këtu kemi një lëvizje dialektike:

Dhimbje – Shpresë _ Vazhdimësi.

Kjo e bën poezinë të mos mbetet elegji, por të bëhet vizionn.Vargu final i poezisë është  një kulm filozofik.

“vendi im është dhe mbetet gjithnjë rrëfenjë

që më mban të robëruar gjithnjë…”

Individi nuk mund të dalë jashtë narrativës së origjinës së vet.Atdheu bëhet strukturë e qenies.

Kjo poezi është një model lirik-elegjiak,me strukturë anaforike, me sistem metaforik të zgjeruar,me ndërthurje të lirizmit dhe kritikës sociale,që përfundon me mendim filozofik.

Në kritikën bashkëkohore evropiane, kjo poezi   klasifikohet si poezi e identitetit post-emigrim,poezi e kujtesës kulturore,poezi e ndërgjegjes kombëtare të brendësuar.

“Vendi im” i Luan Ramës nuk është vetëm një poezi për Atdheun ,është një poezi mbi përkatësinë,kujtesën,humbjen dhe shpresën antropologjike të vazhdimësisë.Kjo poezi dëshmon se letërsia e diasporës mund të arrijë nivele të larta estetike dhe teorike, duke u integruar plotësisht në diskursin kritik evropian bashkëkohor.